Pas betejave të 25, 26 e 27 tetorit 1998, të zhvilluara në kodrat vreshtare të “Izbishtit” të Retisë, me pretekst që forcat serbe dhe punonjësit e vreshtarisë së Rahavecit ta vjelin rrushin, pas dërgimit të një grupi të madh për t’u riarmatosur e veçanërisht pas rënies heroike të Xhelal Hajdës-Tonit, Selajdin Mullabazit-Micit, nga Rahaveci e Hamdi Hajrizit nga Strovci, Nezir Ymerit, nga Liqejt e Bektesh Halitit nga Gurakuqi, të tre nga komuna e ushtrrrisë, luftëtarë të Zonës Operative të Shalës, komandant Tahir Sinani i porsaardhur nga Tropoja e Shqipërisë, së bashku me Ajvaz Berishën-Tigrin, fillon sëtrvitjet e para në përgatitjen e Njësitit Special për Intervenime të Shpejta në Zonën Operative të Pashtrikut, ndërsa pjesëtarët e formacionit “Tigrat e Zinj”, në kuadër të Brigadës 111 “Adem Jashari” sulmojnë Stacionin Policor në Drenas, kurse në luftimet e Turiçecit përjetësohen dëshmorët: Riza Halit Ahmeti, Fatmir Rexhep Isufi e në Negros dëshmori Abedin Salih Bujupi, në Bokë të Devës bjen në një fushë të minuar Sadedin Hysen Shehu i Gjakovës, edhe luftëtarët e Batalionit të Lugut të Brestosti, Brigada 124 “Gani Paçarizi” e Zonës Operative të Pashtrikut, detyrohen që ta zgjerojnë vijën e frontit në drejtimet: Krushë e Madhe, Krushë e Vogël dhe Piranë kah Landavica e pastaj nëpër lugun e Qëndresës kah Zojzi, Medveci, Nepërbishti dhe Mamusha për t’u mbrojtur nga depërtimi i këmbësorisë serbe e cila pretendonte mbajtjen e fshatrave të Lugut të Mamushës në mënyrë që nga shpina e nga fronti t’u dalë luftëtarëve të kazermuar në Reti e Apterrush. Në këtë vijë, më 22 nëntor të vitit 1998, gjatë ushtrimit të detyrës së vëzhgimit e të përgjimit, afër fshatit Nepërbisht forcat serbe, të cilëve u prinin paramilitarët e fshatrave Hoçë e Madhe, Zaçisht, Bardhatin Apterrush Reti e Rahavec, zënë rob luftëtarin e lirisë Besim Aziz Kabashin prej fshatit Apterrush të Anadrinit të Rahavecit të cilin pasi e identifikojnë, e dërgojnë në Burgun e Prizrenit.
Dëshmori i kombit Besim Kabashi, i biri i Azizit dhe Ylkijës së Vneshtit të Therandës (ish-Smadraxhës), babë i Etnikut, i vëllai i Bashkimit e i motrës Mefyde, është i lindur më 9 maj të vitit 1972 në fshatin Apterrush të Anadrinit të Rahavecit. Doli prej gjirit patriotik të Kabashëve të Apterrushit. Po këtu mbaroi shkollën fillore, ndërsa të mesmen, sipas dëshirës së prindërve e vazhdoi në Rahavec, sot Gjimnazi “Xhelal Hajda-Toni”. Gjatë shkollimit në gjmnazin e Rahavecit, Besimi krijon kontakte me veprimtarët e kësaj çerdheje arsimore të tërë Anadrinit. Si mjaft i ri, maturant, Besimi ëndërronte lirinë e Kosovës e cila, sipas tij mund të arrihej vetëm me një luftë të armatosur të cilën do ta bënte populli i robëruar e i shkeluar nga shkau, nga vuajtja dhe nga skamja. Në Gjimnazin e Rahavecit, Besimi shquhet si nxënës mjaft i zellshëm, por përveç mësimit, i bashkohet ilegales që gjatë viteve ’80 vepronte në Rahavec pavarësisht prej masave që asokohe shqiptoheshin ndaj nxënësve të gjimnazit, prandaj edhe Besimin e thërrisnin shpesh në biseda informative kur udbashët interesoheshin jo vetëm për Besimin por edhe për të anë Azizin që ishte një zejtar i zellshëm dhe njeri i kapitalit, prandaj edhe UDB-ja serbe shihte se Aziz Kabashi ka ndikim të madh. Kështu, ky i ri gjendet në krye të çdo manifestimi kundër dhunës serbe të instaluar në fshatra e qytete të Kosovës, veçanërisht pas vendimit mbi pezullimin e shkollave shqipe. Ushqehej me një krenari të veçantë kur dëgjonte për trimërinë e anadrinasve të shquar si Halil Hamza, Halit Hajda, Dan Retia e veçanërisht entuziasmohej kur dëgjonte fjalimet e profesor Ukshin Hotit që ishte mysafir i shpeshtë i odave të Apterrushit, pavarësisht prej rojeve serbe të sajuara prej serbëve lokalë të armatosur deri në dhëmbë. Veçanërisht pas aktiviteteve të zhvilluara në Janarin e vitit 1990 kur në “Lakun e Dëshmorëve” ranë dëshmorët e parë të Anadrinit, Agron Fetahu, Hilmi Krasniqi, Halim Hoti e Nasimi Elshani, Besimi tmerrohet prej tërë asaj që kishte parë me sy në këtë lug, por edhe trimërohet edhe më shumë dhe kyçet në të gjitha mënyrat e mundshme e të pamundshme për t’u furnizuar me armë. Por rënia e dëshmorëve Jahë Hoti nga Drinasi dhe Shkëlzen Krasniqit nga Hoça e Vogël në afërsi të “Lugut të Zi” të Pashtrikut, më 1992, ndikoi në ndërprerjen e aktiviteteve logjistike të veprimtarëve të Anadrinit sepse satelitët e sigurimit serb, si duket, u kishin rënë në gjurmë veprimtarëve të Anadrinit pas brugosjeve në Reti, Qëndresë e Drinas. Edhe pse mungonin veprimtarët Nait Hasani e Nait Thaçi, të burgosur, i pari nga Qëndresa e i dyti nga Retia, grupi nuk stepet por e zgjeron veprimtarinë, veçanërisht në rrafshin logjistik. Kështu, më 26 prill të vitit 1998, pak ditë pas Betejës së Prekazit e të Gllogjanit, në fshatin Apterrush, bri Retisë, formohet grupi i parë i armatosur, një tog me prirje të zhvillimit kah kompania dhe në fund Brigada 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Operative të Pashtrikut dhe si formacion i parë vepron krahas “Grykës” nga Retia dhe formacioneve të Vneshtit e të Liriasit të Therandës të cilëve u prinin: Musli, Bekim e Bujar Thaçi, Hamëz e Hajriz Kryeziu, Hasim Shtërbani, Sylejman Mazreku, nga Retia, Ejup Kabashi, Shemsedin Spahiu, Sokol Bytyçi, Sinan Morina, Shkëlzen Krasniqi, Sylejman Bytyçi, Jeton Kabashi, Blerim Spahiu, nga Apterrushi, Feim Balaj, Ruzhdi Morina, e shumë veprimtarë të tjerë, luftëtarë të lirisë, sot dëshmorë të kombit, invalidë e veteranë pa ndonjë mbështetje institucionale. Dhe sot, në historinë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrallë mund të gjendet luftëtar i lirisë që gjatë veprimtarisë në sektorin e logjistikës të mos ketë kaluar nëpër Reti e Apterrush, nëpër fshatrat e Anadrinit.
Luftimet në fshatin Bardhatin të Anadrinit më 12 maj të vitit 1998 Besimin e gjetën të papërgatitur, mirëpo pas përfundimit të betejave në Gardhisht e Drinas, Besimi armatoset dhe nëpërmjet eprorit Ejup Kabashi kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Togun e Apterrushit, kompania Apterrush-Reti dhe Besimi është së bashku me nismëtarët e rezistencës së armatosur: Shemsedin Spahiu, Sokol Bytyçi, Sevdat e Nazmi Krasniqi, Blerim Spahiu, Agron, Nevzat Kabashi, Besim Kabashi dhe Enver Mazreku dhe më 15 maj të vitit 1998 Togu i Apterrushit zë pikat e para për ta mbajtur nën kontroll aksin rural Apterrush-Samadraxhë ku shkrihen formacionet “Çeliku 50” dhe “Lisi”. Vëzhgohej kryesisht pika kritike kah “Udhëkryqi i Vneshtit” dhe Zaçishti sipas vlerësimeve të komandantëve Xhemë Gashi-Gjermani dhe Mahir Hasanaj. Korriku me betejat e Apterrushit, të Rahavecit, të Fortesës e me luftimet në krahun e Therandës e në atë të Klinës, në Loxhë të Pejës, e ndryshuan situatën në terren. Në Dardhishtë përjetësohet Kadri Sadri Kokollari, në Peçan Muhamet Krasniqi dhe Xhemajl Bytyçi, në Jezerc, Nazmi Ukëzmajli, në Budakovë Bujar Jahir Buzhala e në Qëndresë të Klinës Muhamet Sefer Haxhaj, kurse në sektorin e logjistikës, në Shqipëri përjetësohen bashkëluftëtarët e Besimit: Feim Morina nga Vneshti i Therandës dhe Feim Kabashi i Leshanit të Therandës. Këto rënie e sidomos përjetësimi i dy Feimëve, ndikoi dukshëm në zbehjen e lëvizjeve për armatim në kohën kur në Frontin e Anadrinit forcat policore serbe që kontrollonin aksin rrugor prej Rrihjeve të Rahavecit deri në Therandë, bëjnë përpjekje maksimale që ta bëjnë dëbimin definitiv të formacioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zaçisht, në Apterrush, në Reti, në Vnesht të Therandës e në Gurrë (ish-Sudençan) në mënyrë që rruga të lirohet dhe të jetë sa më e sigurt. Në luftimet përreth Retisë dhe Apterrushit merr pjesë Besim Kabashi dhe me çdo lëvizje që bënte si në drejtim të Zaçishtit ashtu edhe të Samadraxhës, karakterizohej me një maturi të pashoqe, por megjithatë plagoset në këmbë por nuk thehet shpirtërisht. Gjatë luftimeve të gushtit, Besimi është edhe më i fortë, forcat serbe tentojnë për ta marrë sërish aksin e përmendur por luftëtarët e Apterrushit e të Samadraxhës nuk i lëshojnë pozicionet dhe në këto luftime, përjetësohet dëshmori Bekim Dalip Bekteshi i Vneshtit të Therandës. Togu i Apterrushit, i gjetur ndërmjet aktiviteteve luftarake të Kompanisë së Vneshtit të Therandës dhe Batalionit të Grykës së Brestosit, përkatësisht të brigadave 123 e 124 zë ta dinamizojë jetën ushtarake në Rrafshin e Anadrinit. Por rikthimi i Xhelal Hajdës-Tonit dhe Selajdin Mullabazit-Micit ristrukturoi shumçka në fshatin Reti me rrethinë prandaj edhe forcat serboçetnike sërish pretendojnë për ta marrë Retinë. Togu i Apterrushit në të cilin vepronte Besim Kabashi, tashmë me aktivitetet më të gjëra shtrihet edhe kah Mamusha, përkatësisht deri në kodrinat e “Gërçillat” ku bjen në një pritë, identifikohet dhe zihet rob nga paramilitarët vendas të cilët e dërgojnë në Prizren. Gjatë ballafaqimit me paramilitarët serbë të fshatrave Reti, Zaçisht, Apterrushë e Hoçë të Madhe, gjykata serbe e Prizrenit e dënon me 4 vjet mbajtje burgimi për shkak të “veprimtarisë në të ashtuquajturën “OVK”. Prej Prizreni Besimi transferohet në Burgun e Dubravës dhe më 22 maj të vitit 1999, sipas dëshmitarëve që mbijetuan masakrën e Dubravës, ekzekutohet luftëtari i lirisë Besim Aziz Kabashi së bashku me veprimtarët: Abdylgafur Luma, nga Qafëshqipja e Kaçanikut, Adem Jasiqi nga Juniku, Agim Elshani nga Klina, Avni Thaçi nga Retia, Bajram Berisha nga Valljaku i Klinës, Danush Kurtaj nga Gabrrica e Kaçanikut, Dervish Sylaj, nga Ratishi i Poshtëm, Arsim Zogiani nga Harilaqi i Fushë-Kosovës, Fazli Kabashi nga Muhalani i Therandës, Gjokë Ndrecaj nga Biteshi i Gjakovës, Kristë Përvorfi nga Dujaka e Gjakovës, Hysen Ademi nga Molliqi i Gjakovës, Ibër Metaj nga Hereçi i Gjakovës, Man Karavidaj nga Mazreku i Hasit, Mehmet Çunaj nga Kajusha e Hasit, Ramiz Memia nga Myhejani i Tropojës, Zahir Agushi nga Thanishta e Klinës, Zekë Hasanmetaj nga Stralli i Epërm i Deçanit dhe shumë veprimtarë të tjerë. Dëshmitarët Nait Hasani, Salih Sokoli, Xhelal Canziba e Asllan Selimi me shokë të burgosur edhe e bëjnë varrimin e Besimit, ndërsa me rastin e identifikimit të trupave të pajetë, familja e Besimit merr mbetjet mortore të luftëtarit Besim Aziz Kabashi dhe e vendos në shtëpinë e amshueshme të “Kopshtit të Dëshmorëve” në Rahavec, afër Jetonit e Bujar Thaçit, pranë komandantëve Xhelal Hajda- Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici.
Sot, në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Rahavec, për çdo vjet gjatë “Lulëkuqeve të Majit”, së bashku me nënën e Jetonit vjen edhe nëna Ylkije të cilën e shoqëron nipi Etniku tashmë nxënës i shkëlqyeshëm e poet i vogël që bëri pothuajse një përmbledhje vjershash për t’anë të cilin as që e pau, ndërsa gjyshja Ylkia i rrëfen për trimërinë e t’et, Besim Kabashit përherë të buzëqeshur ashtu si të gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilët sot thuren vargje, këndohen këngë e hidhen valle në sheshet e burrave për burrat që çdo gjë i dhanë Kosovës. Edhe fshati Apterrush është në përgatitje për gurthemelin e kompleksit memorial bri Gurrës së Fshatit, aty ku kaluan fëmijërinë dëshmorët e fshatit Apterrush, jo larg udhëkryqit ku ranë Toni e Mici, aty ku jetoi dhe veproi Ushtria Çlirimtare e Kosovës për të cilën pati ëndërruar profesor Ukshin Hoti. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …