Besim Daut Halilaj (25.4.1967 - 9.5.1998)

Besim Daut Halilaj (25.4.1967 – 9.5.1998)

Besim Halilaj është njëri ndër dëshmorët e parë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për çlirimin e atdheut nga barbaria serbe, ka rënë dëshmorë edhe vëllai i Besimit, Alban Halilaj, po ashtu edhe babai i tij, Daut Halilaj, mësues dhe atdhetar i njohur i Drenicës.
Familja Halilaj e Grykasit është shquar për heroizëm dhe qëndresë të armatosur kundër pushtuesve. Babagjyshi, Xhemajl Halilaj, ka qenë bashkëluftëtar i Azem Galicës, ndërsa gjyshi i tij, Zenuni, luftëtar i shquar i radhëve çlirimtare të Shaban Polluzhës.

Besimi lindi më 25 prill të vitit 1967 në fshatin Grykas (ish Tërdefc) të Drenicës. Babai Dauti ishte arsimtar i historisë dhe edukator i brezave arsimdashës e liridashës në këto anë. Edhe pse në kushte të rënda ekzistenciale, ai kishte bërë çmos që t’ i shkollonte dhe t’ i përparonte bijtë e tij dhe të mbarë Drenicës.
Besim Halilaj shkollën fillore e kreu në fshatin Abri e Epërme. Gjatë viteve 1982-1986 ka kryer Gjimnazin në Drenas. Përnjëherë pas kryerjes së shkollës së mesme, merr thirrjen për të kryer shërbimin ushtarak. Atje ishte ballafaquar me dhunën dhe presionin sistematik të eprorëve të armatës jugosllave që iu bënin sidomos disa ushtarëve, pjesëtarë të familjeve të njohura shqiptare për rezistencë kundër pushtetit.
Pas lirimit nga ky shërbim i detyrueshëm, Besimi regjistrohet në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës. Duke qenë se gjendja ekonomike e familjes ishte e paperspektivë për të gjalluar normalisht, Besimi la studimet dhe filloi të interesohej për të zënë punë, me qëllim që ta ndihmonte familjen materialisht. Një kohë ka punuar në Gjermani, por nuk ka arritur të sigurojë punë të përhershme.

Ka marrë pjesë në shumë manifestime kundërvënëse, në revolta dhe demonstrata, në Drenas dhe në Prishtinë. Në kohën e krismave të para çlirimtare në Drenicë, Besim Halilaj kontakton me Rasim Kiçinën, njërin ndër prijatarët e luftës çlirimtare në këto anë. Më vonë në aktivitetin e tij luftarak kontakton edhe me bashkëluftëtarët: Ilaz Dërgutin, Dibran Fyllin, Zenë Prokshin, Skënder Prokshin, Rifat Mëziun, Hazir Tahirajn, Skënder Halilajn e shumë të tjerë. Qysh në fillim të vitit 1997, shtëpia e Besimit në Grykas, e njohur për mikpritje e trimëri, bëhet çerdhe e luftëtarëve të lirisë.

Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Besim Halilaj sistemohet në pikën ushtarake të quajtur “Guri 2”, e cila më vonë, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, shkrihet në brigadën 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës.
Më 26 prill të vitit 1998, Besimi së bashku me luftëtarët: Mehedin Morina, Imer Krasniqi, Fatos Krasniqi e disa të tjerë, ka marrë pjesë në sulmin kundër forcave serbe, në magjistralin Prishtinë – Pejë, në relacionin Gjergjicë – Balincë, me ç’rast forcave armike iu shkaktuan humbje në njerëz dhe në teknikë lufte.
Luftimet për zënien e Grykës së Llapushnikut ishin intensifikuar sidomos më 7, 8 dhe 9 maj të po atij viti. Veprimet e koordinuara luftarake në mes të njësiteve ushtarake “Guri” 1 dhe 2, “Çeliku”, “Pëllumbi” dhe “Lumi”, bënë që forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas luftimeve të pandërprera, kundër forcave ushtarake e policore serbe, më 9 maj të vitit 1998, të zënë Grykën e Llapushnikut.
Në luftimet e ashpra për zënien e Grykës, përveç luftëtarit Besim Halilaj kanë marrë pjesë edhe: Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi – Lladrovci, Rasim Kiçina, Imer Krasniqi, Mehedin Morina e shumë të tjerë.
Atë ditë çlirimtarët kishin zhvilluar luftime 13 orë rresht kundër forcave serbe dhe më në fund ato tërhiqen me turp.
Besim Halilaj lufton në radhën e parë të çlirimtarëve. Duke qenë se sulej pakursyeshëm kundër forcave barbare, predhat e armës armike e godasin për vdekje. Ishte dëshmori i parë i Grykës legjendare të Llapushnikut, e cila qëndroi e pathyeshme prej asaj dite e deri më 26 korrik të vitit 1998.
Trupin e dëshmorit nga vendi ku kishte rënë trimërisht e tërheqin bash këluftëtarët.
Më 10 maj, dëshmorin Besim Halilaj, bashkëluftëtarët e varrosin në vendlindjen e tij, në Grykas, me nderime ushtarake. Për t’ i dhënë nderimet e fundit, atë ditë në varrim marrin pjesë eprorë dhe ushtarë të shumtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atë ditë babai i tij, mësuesi i popullit, Daut Halilaj, kishte qëndruar burrërisht, ndërsa me shembullin dhe qëndresën e tij kishte frymëzuar luftëtarët çlirimtarë, për të vazhduar luftën deri në dëbimin përfundimtar të forcave okupatore. Armën çlirimtare për t’ i dalë zot atdheut e merr edhe vëllai i Besimit, Albani, i cili po ashtu bie heriokisht, më 26 janar të vitit 1999. Më 29 mars të vitit 1999, nga arma armike, bie dëshmor edhe babai i tyre, Daut Halilaj. Besimi ka qenë i martuar dhe ka lënë dy fëmijë: Melosin dhe Meridianën.

Kujtimi për veprën heroike të Besim Halilajt, Alban Halilajt, Daut Halilajt dhe dëshmorëve të tjerë të kombit, përgjithmonë do të mbetet në faqet më të ndritshme të historisë sonë kombëtare, në faqet e nderit, të heroizmit dhe vetëflijimit për liri.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …