leoni

Besim Sylejman Qarri (26.4.1979 – 14.12.1998)

Besim Sylejman Qarri (26.4.1979 – 14.12.1998)

Besim Qarri u lind më 26 prill të vitit 1979 në fshatin Luboc të komunës së Ferizajt. Familja e tij kishte ardhur në këtë fshat, më 1980 pasi ishte shpërngulur nga fshati Graiçevc i Therandës. Shkollën fillore e kreu në fshatin Tërn të Ferizajt, kurse shkollën e mesme, në drejtimin ekonomik-juridike e vazhdoi në shkollën “Faik Konica” të Ferizajt.
Në vitin akademik 1998/1999 Besimi u regjistrua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, por nuk vijoi studimet meqenëse asokohe ishte inkuadruar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Babai i Besimit, Sylejman Qarri, me qëllim për ta ngritur dhe për ta mbajtur familjen kishte shkuar në Slloveni ku kishte punuar shumë kohë. Ai ndodhej në Slloveni edhe në kohën kur në Kosovë kishte filluar lufta çlirimtare. Besimi e dinte se babai i tij kishte lënë në shtëpi pushkë e revole, prandaj edhe kishte kërkuar nga ai që ta lejonte t’i merrte këto armë e të angazhohej në luftë, për çka ishte pajtuar edhe i ati.
Asokohe, derisa ai mbante kontakte me disa shokët e tij, të cilët tashmë vepronin në zonat e luftës ku ai disa herë kishte qëndruar, një ditë kishte takuar xhaxhain e tij, Bajramin dhe i kishte treguar lidhur me pëlqimin e marrë nga babai për t’iu bashkuar radhëve çlirimtarëve në luftë. Duke pasur parasysh faktin se Besimi ishte ende i ri dhe i dhimbsej, xhaxhai i kishte thënë se para tij së pari duhej të shkonte në luftë vetë ai. Mirëpo, Besimi i ishte përgjigjur shkurt: “Jo, xhaxhi! Secili për veten, secili i ka borxh atdheut”. Ky reagim i tij kishte treguar vendosmërinë për t’u inkuadruar në luftë.
Në vjeshtën e vitit 1998, Besimi së bashku me shokun e tij, Hysni Kajtazi nga fshati Tërn, u sistemua fillimisht në Jezerc e pastaj në Pikën e Rancës, e komanduar nga eprori Isak Musliu – Komandant “Çerçizi”. Atje kishte takuar edhe Selim Selimin nga fshati Belinc dhe luftëtarë të tjerë, të cilët kishin kryer stërvitjet dhe ishin sistemuar në vende të caktuara për vëzhgim dhe mbrojtje të pozicioneve.
Edhe pse kishte armën e vet, Besimi iu bashkua radhëve të një grupi të luftëtarëve të Zonës Operative të Neredimes për të shkuar në Shqipëri për sigurimin e armatimit dhe municionit, për të cilin kishin nevojë pothuajse të gjitha zonat e luftës.
Në nëntor të vitit 1998, Besimi së bashku me një grup luftëtarësh u nis në drejtim të Pashtrikut në krye me komandantin Afrim Musliu, i cili me disa nga bashkëluftëtarët e tij, dhjetëra herë kishte kaluar kufirin dhe kishte sjellë armatim e municion në Kosovë.
Me të kishin shkuar luftëtarët e përmendur të Batalionit “Ruzhdi Salihu”, të Brigadës 121, “Ismet Jashari”-Komandant Kumanova. Në Shqipëri kishin shkuar kohë më parë për armatim edhe Mujë Krasniqi, Rifat Mëziu, Beqir Gashi, Gani Elshani dhe shumë luftëtarë të UÇK-së sidomos nga zona operative e Drenicës.
Dimri shumë i ashpër dhe kushtet tejet të pavolitshme atmosferike kishin penguar kthimin në Kosovë të luftëtarëve të lirisë. Ata për një kohë kishin qëndruar në bazat e UÇK-së afër kufirit me Kosovën. Pasi bora mbi Pashtrik vende-vende arrinte deri në dy metra, udhëheqësit e grupeve të luftëtarëve nuk kishin lejuar kthimin në Kosovë derisa nuk krijoheshin kushte më të volitshme atmosferike dhe kushte të tjera të sigurisë.
Vendimin për hyrjen e grupit të armatosur në Kosovë, prej 143 luftëtarësh, e mori Mujë Krasniqi-komandant “Kapuçi”. Më 13 dhjetor 1998, ai kishte mbajtur një fjalim para luftëtarëve dhe kishte kërkuar që të mos niseshin në rrugë, ata që nuk ndiheshin mirë, ose që ishin të sëmurë, ose të tjerë që nuk mund ta përballonin rrugën, për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Luftëtarët e lirisë, të gatshëm për të luftuar me armikun kudo ku do të ndesheshin, kishin vendosur që në orët e hershme të 14 dhjetorit ta kalojnë kufirin në majen e Gorozhupit. Në ballë të kolonës ishin Mujë Krasniqi, Beqir Gashi, Rifat Mëziu, Gani Elshani, Vesel Aruqi, Luljetë Shala, e të tjerë. Rreth Afrim Musliut, ndodheshin kryesisht luftëtarët e Zonës së Neredimes, Besim Qarri, Hysni Kajtazi, Rifat Mujota, Selim Selimi, Agni Musliu, Hysri Musliu e të tjerë. Ata po i kujtonin fjalët e komandant Mujë Krasniqit i cili kishte thënë: “Do të luftojmë, qoftë në kufi, qoftë brenda kufirit. Në luftë jemi dhe kthim prapa nuk ka!” .
Mëngjesi i 14 dhjetorit ishte i acartë. Dëbora, vende-vende arrinte deri në një metër e gjysmë trashësi. Rruga ishte tepër e rrezikshme, meqenëse duhej depërtuar nëpër lartësinë dhe majat deri në 1400 metra mbi nivelin e detit, mirëpo trimat dhe trimëreshat e lirisë ishin mobilizuar rreth motos “kthim prapa nuk ka”. Besimi ndodhej në mesin e luftëtarëve të radhitur afër komandantit Afrim Musliu. Në ato radhë ndodheshin edhe Agni Musliu, Fadil Rashiti, Kadri Ademaj, Astrit Bytyçi e të tjerë.
Forcat serbe, gjatë tërë natës kishin përcjellë e vëzhguar me kujdes lëvizjet e luftëtarëve të UÇK-së. Ata kishin zënë të gjitha pritat e supozuara andej nga do të kalonin pjesëtarët e UÇK-së. Sapo kishin vërtetuar se formacioni i UÇK-së ishte futur në rreth, forcat serbe kishin sulmuar mu në mes të kolonës, me qëllim krijimit të panikut dhe të hutisë. Sulmi i rrufeshëm nga të gjitha llojet e armatimit kishte goditur pandërprerë me breshëri.
Shumë ushtarë të UÇK-së kishin rezistuar trimërisht, derisa kishin shpenzuar tërë municionin që kishin. Luftimet kishin zgjatuar disa orë. Disa nga luftëtarët kishin rënë, disa të tjerë ishin plagosur, kurse disa të tjerë kishin filluar të ngrinin nga acari dhe nuk mund të lëviznin dot nëpër dëborë. Dhjetëra prej tyre ranë trimërisht.
Duke përshkruar luftimet dhe humbjet që kishin pësuar luftëtarët e lirisë, më 14 dhjetor në malet e Gorozhpit, luftëtari Enver Krasniqi nga Karaçica i cili kishte shpëtuar me dhjetëra plagë në trup, në bisedën e zhvilluar me redaktorin e Radios-Kosova e lirë, Martin Çuni, më 27 janar të vitit 1999, ka përshkruar momente të asaj lufte shumë të pabarabartë. “Ramë në pritë. Megjithatë luftuam pa ndërprerë ballë për ballë forcave të armikut. Pasi disa prej nesh kishin rënë e shumë të tjerë ishim plagosur, ushtarët serbë na detyruan të qëndrojmë në dëborë me orë të tëra. Më pas edhe pse të plagosur rëndë, na detyruan t’i tërheqim bashkëluftëtarët e rënë deri te kampi i tyre për të na ngarkuar pastaj të gjithëve në kamion”.
Besim Qarri me eprorin Afrim Musliu dhe me bashkëluftëtarë të tjerë, pasi ishte goditur nga predhat e forcave armike kishte mbetur në një hendek të borës, afër një shkëmbi. Gjatë tërheqjes së luftëtarëve për në territorin e përtejkufirit, në Shqipëri, bashkëluftëtarët e tyre, nuk i kishin gjetur dot nën thellësinë e dëborës. Tre muaj më vonë, bashkëluftëtarët e tyre kishin hulumtuar vendin dhe i kishin gjetur trupat e katër dëshmorëve të mbetur në borë, në mesin e tyre edhe komandanti, Afrim Musliu.
Trupat e katër dëshmorëve, bashkëluftëtarët e tyre i varrosën në bjeshkën e Pashtrikut. Pas luftës ata u rivarrosën në Varrezat e dëshmorëve në Legjendas (ish-Mollapolc). Më vonë, trupat e shumë dëshmorëve të kësaj ane u varrosën në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në hyrje të Ferizajt te vendi i quajtur “Mulliri i Kukës”.
Me emrin e dëshmorit, Besim Qarri është emërtuar një rrugë në Ferizaj.
Besimi ka lënë babain, Sylejmanin, nënën, Nurijen, motrat: Sevdijen dhe Begishen, si dhe vëllain Bashkimin.
Familja e dëshmorit Besim Qarri ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga shoqatat e organizatat e luftës së UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …