Dr. Fahredin Hoti u lind në Krushë të Madhe më 27 nëntor 1953, aty ku u lind plaku i maleve tona Bajram Curri edhe intelektuali i përmasava kombëtare e ndërkombëatre Ukshin Hoti.
Një kohë të gjatë punoi si mjek i praktikës së përgjithshme në Rahovec e rrethinë, duke u treguar i palodhshëm dhe gjithmonë i gatshëm për t´u ardhur në ndihmë pacientëve të kësaj ane. Në vitin 1991 kreu specializimin nga gjinekologjia me akusherisë në Rijekë të Kroacisë. Pas kryerjes së specializimit, si gjinekolog me zell e përkushtim punoi në Rahovec, Malishevë dhe Prizren.
Prania e Dr. Fahredinit në Repartin e Gjinekologjisë me Obstetrikë në Prizren, nuk i shkoi përshtati pushtetit serb. Sikur shumë gjinekologë të tjerë shqiptarë më parë edhe atë e përjashtuan. Pas hapjes së lindores „NËNA“ në Prishtinë në kuadër të Shoqatës Humanitare Bamirëse „Nëna Terezë“, Dr. Fahredini iu bashkëngjit gjinekologëve të tjerë të Kosovës në punën humanitare për mbrojtjen e shëndetit të nënave dhe fëmijëve të Kosovës. Njohuritë e veta profesionale e shkencore ua mësoi edhe brezave të rinj, duke punuar si mësimdhënës pa kurrfarë kompensimi material në shkollën e mesme të mjekësisë „Dr. Luciano Motroni“ në Prizren nga viti shkollor 1993/94 e deri para vrasjes. U angazhua në veprimtari të shumta në Shoqatën e të Gjelbërve, si dhe Shoqatën „Mjekët pa kufi“.
Për mbrojtjen e shëndetit të popullit dhe familjeve të atyre që lirinë e deshën më shumë se jetën Dr. Fahredini nuk ishte vetëm gjinekolog, por ai në kohën e luftës ishte mjek për të gjitha hallet e pacientëve. Kreu punët e pediatrit, kirurgut, internistit edhe të teknikut mjekësor, duke filluar nga Krusha e Madhe, Pagarusha, Drenoci, Açareva, Likoci, e shumë vende të tjera të Rahovecit, Prizrenit dhe të Malishevës, ku në shtëpitë e rrënuara të këtyre anëve dhe nën flakën e pushkëve, për herë të parë e dëgjoi zërin e fëmijëve të lirisë-trashëgimtarëve të së ardhmes, së cilës i gëzohej pa masë.
Në ofensivën e përgjithshme serbe të pranverës së vitit 1999, e cila përfshiu mbarë Kosovën, Dr. Fahredin Hoti, në një spital fushor të improvizuar në kodrat e Krushë së Madhe kryen disa operacione kirurgjike, sidomos për civilët e plagosur.
Në përpjekje për t´i vizituar të strehuarit në pyll goditet nga predhat e ushtrisë serbo-çetnike, i biri i tij KRESHNIKU, në moshën katërmbëdhjetë vjeçare. Dashuria për të birin dhe ndjenja e lartë humaniste, nuk e lejoi t´i braktiste të plagosurit në asnjë moment. Duke u përpjekur t´i ndihmonte të birit të tij të plagosur rëndë, qëllohet nga snajperistët serbë, të cilët kishin rrethuar në çdo anë popullatën e strehuar në pyll. Edhe pse i plagosur, doktor Fahredini nuk jepej. Njeriu që kishte kuruar qindra e mijëra njerëz, u përball i vetëm me plagët vdekjeprurëse që ia shkaktuan armiqtë e popullit të tij. Ndërron jetë në përpjekje për të operuar plagët e veta, që i kullonin gjak.
Kështu përfundoi jeta e njeriut dhe humanistit, i cili nuk dinte ta urrejë askënd, por tërë jetën e vet luftoi kundër vdekjes. E vdekja e hershme e Dr. Fahredinit e varfëroi mjekësinë tonë në përgjithësi dhe gjinekologjinë e këtij rajoni në veçanti.
U rivarros në Krushë të Madhe, më 12 gusht 1999, së bashku me 206 dëshmorët dhe martirët e Krushës së Madhe, të përcjellë nga mijëra qytetarë të ardhur për nderime nga të gjitha anët e Kosovës.
Për humanitetin dhe guximin e treguar për çlirimin e Kosovës Dr. Fahredin Hoti shpallet DËSHMOR I KOMBIT, si dhe nderohet me shumë mirënjohje nga institucione të ndryshme. Disa rrugë mbajnë emrin e tij, ndërsa në shenjë nderimi e respekti për jetën dhe veprën e tij, institucionet e komunës së Rahovecit, emrin e Dr. Fahredin Hotit ia vunë shëndetësi së kësaj komune.