Besnik Kryeziu: Domosdoshmëria e hapjeve të dosjeve

 

Debati që nisi për hapjen e dosjeve komuniste edhe te ne në Kosovë do të ishte mirë sikur të kishte nisur nga nevoja jonë si shoqëri apo edhe si shenjë e vetëdijesimit tonë karshi të kaluarës sonë, për ta parë në sy pa zbukurime dhe pse jo edhe falsifikime këtë të kaluar, por ja që kjo erdhi si një ngacmim nga miratimi i Ligjit për Pastërtinë e Figurave që u miratua në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo për mua nuk ishte gjë e mirë sepse kjo tregoi edhe njëherë se ne ende nuk jemi shoqëri që prodhojmë vetë debate por këtë e marrim nga të tjerët (në këtë rast nga Shteti Amë Shqipëria) dhe mundohemi t´ia përshtatim nevojave tona.
Gjykuar në bazë të gjendjes politike por pse jo edhe asaj ekonomike e sociale në vend mund të dukët se ky debat po e hapë edhe një plagë të rëndë në shumëfishin e plagëve që ka shoqëria jonë. Por kjo është vetëm ana sipërfaqësore e problemit. Ana tjetër është se ne nuk mund të zhvillohemi me këtë mishmash të vlerave në jetën tonë shoqërore dhe politike. Prandaj mu kjo e benë të domosdoshme hapjen e dosjeve për të vënë rend dhe rregull në sistemin tonë të vlerave si shoqëri në ndërtim me mentalitet të ri.
Hapjen e dosjeve e shoh në kontekstin e zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë sonë dhe assesi si një thirrje për varje tek sheshi të atyre që u bënë mëkatar ndaj popullit të vetë duke i shërbyer një regjimi pushtues, edhe pse disa nga ta e kanë merituar një gjë të tillë. Natyrisht se gjithsecili duhet ta marrë atë që e meriton, varësisht nga pozita dhe dëmet që i ka shkaktuar gjatë kohës komuniste. Këtu nuk duhet të bëj askush përjashtime.
Më bëri përshtypje opinioni i disa pjesëmarrëseve në këtë debat të cilët po mundohen të na bindin se megjithatë në kohën e sundimit komunist ne kemi mësuar shkrim dhe lexim dhe në njëfarë mënyre jemi zhvilluar dhe për këtë duhet të jemi dashamirës ndaj komunistëve jugosllavë. Ndërkohë që të njëjtit ishin shumë të ashpër ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Edhe pse nuk e kishin jetuar dhe përjetuar në kurrizin e vet kohën e sundimit komunist në Shqipëri, ata i dhanë vetës të drejtë të njollosin dhe shajnë vend e pa vend me argumente e pa argumente. Ky lloj i të menduarit diferencues se komunistët në Shqipëri kanë qenë shumë më të këqij se komunistët në Kosovë nuk është aspak më shumë se fyerje për të gjithë ata shqiptarë që u vranë, u burgosen, u dëbuan me dhunë nga vendi i tyre dhe të tillë ka sa të duash edhe këndej në Kosovë. Andaj hapja e dosjeve duhet doemos të trajtohet me një kujdes të veçantë duke pasur parasysh sidomos ata që kanë pësuar nga ky regjim komunist. Ka aq shumë mistere në të kaluarën tonë si shoqëri saqë me doemos duhet të hapen dosjet për ta kuptuar rolin e secilit, sepse për dikë dikush mund të jetë atdhetar e për dikë tjetër tradhtar. Shumë nga funksionarët e atëhershëm komunist po vazhdojnë ende edhe sot të mbajnë pozita të larta publike në Kosovë. Ta marrim shembull unë personalisht kur kam lexuar se Hashim Rexhepi është zgjedhur Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, menjëherë mendja më ka vajtur te e kaluara e tij si kryetar i komunistëve të rinj. Me këtë nuk po dua me thënë se ai ka bërë të këqija por dua të them se figura e tij është paksa e errësuar dhe me hapjen e dosjeve do të ndriçohej për opinionin publik. Pastaj muaj më parë deri sa po e lexoja librin ´´Përjetësia e dyfishtë´´ të autorit Bedri Islami kushtuar patriotit dhe atdhetarit të madh shqiptar Fehmi Lladrovcit dhe gruas së tij Xhevës, më bëri përshtypje roli i dy personazheve që kishin shkuar si të dërguar nga Parti në Zagreb për t’i qortuar dhe kërcënuar studentët e organizuar dhe drejtuar nga Fehmi Lladrovci. Këta dy të dërguar janë me poste publike sot në Kosovë. I pari është Drejtor i Radio Televizionit të Kosovës ndërsa i dyti kryetar i Prishtinës. Pastaj ndriçimi i vrasjeve të shumta që kanë ndodhur në atë kohë. Unë si pjesëtar i brezit të ri më intereson ta di se cili ishte roli i komunistëve shqiptarë në Kosova në vrasjen e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut. Pastaj dua ta mësoj të vërtetën për ngjarjet e 81-shit.
Cili ishte roli i elitës së atëhershme karshi këtyre ngjarjeve? Si u pozicionuan ata ndaj kërkesave të studenteve? Ne e dimë se pas atyre ngjarjeve u burgosen shumë intelektualë që guxuan të dalin në mbrojtje të studentëve. Një gjë që më ka gërryer në shpirt tash e disa vjet dhe vazhdon të më gërrye ende është edhe fati i intelektualit dhe atdhetarit Ukshin Hoti i cili edhe sot vazhdon të konsiderohet si i zhdukur. E gjithë kjo për profesorin e nderuar kishte filluar fill pas demonstratave të vitit ’81 kur ai si askush tjetër kishte dalë në mbrojtje të studentëve për të vazhduar deri te zhdukja e tij e mistershme nga ana e shtetit serb. Këtu duhet ta mësojmë patjetër rolin e disa funksionarëve komunistë si të: Mahmut Bakalli tani më i ndjerë, të Azem Vllasit e shumë të tjerëve që patën dorë në burgosjen dhe izolimin e Ukshin Hotit për shumë vite me radhë. E kaluara nuk ka dyshim se dikujt i dhemb por ne nuk mund të mbetemi peng si shoqëri dhe si popull në zhvillimin tonë drejt qytetërimit evropian.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …