Besnik Kryeziu: Zgjimi i vonuar i Sejdiut dhe i Thaçit

 


Ajo që po ngjanë aktualisht me shtetin e Kosovës është më shumë se absurde, më shumë se skandaloze, është një goditje për ta vrarë me paramendim rritjen dhe forcimin e shtetit më të ri në botë i cili u shpallë në marrëveshje dhe pajtueshmëri të plotë me gjithë botën demokratike dhe institucionet e saj. Tani kur institucionet e Shtetit të Kosovës janë vënë para aktit të kryer ( jo pa fajin e tyre ), para nesh shtrohet pyetja: si erdhëm deri këtu, në këtë rreth vicioz dhe tepër të rrezikshëm? Prishtina zyrtare i tha jo këtij plani edhe përkundër trysnisë së madhe nga ana e faktorit ndërkombëtar dhe bëri mirë. Por sa e qëndrueshme do të jetë kjo Jo sepse asgjë nuk ka përfunduar në këtë lojë absurditetesh të pa para!
Duam ta pranojmë apo jo, deri më tani klasa politike e vendit ka treguar se është plotësisht e varur nga faktori ndërkombëtar i cili vazhdimisht na ka trajtuar si objekt e assesi si subjekt të barabartë politik në raport me Serbinë. Nuk na duhet ndonjë filozofi e veçantë për ta kuptuar këtë gjë.
Çështja e Kosovës është trajtuar më shumë si çështje e së Drejtës Humane në emër të secilës e kemi edhe intervenimin e NATOS, se sa si çështje e pa zgjidhur politike në kuadër të problemit të pa zgjidhur shqiptar. Në përputhje të plotë me këtë filozofi faktori ndërkombëtar ka marrë vendime pa i pyetur shqiptarët. Na duhet vetëm një kthim koke mbrapa për ta parë rrugën që e kemi bërë deri këtu.
Në Rambuje edhe pse e kishim delegacionin tonë prezent, në fakt të gjitha negociatat janë zhvilluar në mes të delegacionit serb dhe faktorit ndërkombëtar. Marrëveshja e Kumanovës po ashtu është bërë mes Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar pa dijeninë dhe prezencën e shqiptarëve. Rezoluta 1244 po ashtu është rezultat i kompromisit të Serbisë dhe Rusisë me faktorin ndërkombëtar. Edhe këtu shqiptarët nuk u pyeten fare.
Të vetëm mundësi e kishin leximin e kësaj Rezolute pas miratimit të saj dhe asgjë më shumë! Edhe vetë shpallja e Pavarësisë me 17 Shkurt ishte e dizajnuar nga faktori ndërkombëtar ku faktorit politik shqiptar iu la vetëm një mundësi: të lexojnë Deklaratën e Pavarësisë që e kishin përkthyer nga gjuha angleze. Duke i parë të gjitha këto fakte, deklaratat me pompozitet të krerëve të institucioneve, se nuk do ta pranojnë këtë plan duken të vonuara dhe folklorike.
Pse po them kështu? Sepse ishin këta lider që e pranuan Planin e Ahtisaarit duke i sulmuar të gjithë ata që në çfarëdo mënyre patën dijeninë dhe guximin të thoshin me kohë të vërtetën rreth këtij plani. Arsyetimi i Sejdiut dhe Thaçit se nuk e pranojmë këtë plan pasi ky plan e shkel Kushtetutën dhe integritetin e Republikës së Kosovës duket paksa paradoksal sepse dorën në zemër Kushtetuta që nga miratimi i saj e deri më sot nuk është zbatuar dhe as që është vënë në funksion, bile ishin vetë liderët që e shkelën për interesa të ngushta personale.
Ndërsa sa për sovranitetin e Republikës së Kosovës edhe këtu po spekulohet sepse ky sovranitet nuk ka ekzistuar as para shpalljes e as mbas shpalljes së Pavarësisë. Për çfarë sovraniteti mund të bëhet fjalë kur Serbia me shumë mekanizma të saj e kontrollon një pjesë të territorit tonë ( Rasti më eklatant i këtij sovraniteti u pa ditë më parë ku qytetarit nga Mitrovica nuk iu lejua ta meremetonte shtëpinë e vetë të cilën ia kishin shkatërruar dhe djegur forcat serbe ).
Një pyetje e domosdoshme që duhet shtruar për Sejdiun dhe Thaçin, por pse jo edhe për tërë klasën politike në vend është se përse nuk vepruan me kohë për ta marrë veriun, po them për ta marrë pasi ajo pjesë po mbahet e pushtuar nga Serbia dhe për ta ushtruar të plotë sovranitetin në të gjithë Republikën e Kosovës, por e priten planin e Ban -Ki –Monn-it për ta shkelur këtë sovranitet.
Krerët e institucioneve të vendit popullit nuk ia kanë shpjeguar qartë dhe drejt obligimet që dalin nga Plani i Ahtisaarit por gjithmonë janë munduar që nën petkun e Pavarësisë t’i mbajnë të hipnotizuar dhe sa më larg realitetit. Tash kur faktori ndërkombëtar nën trysninë e Rusisë dhe Serbisë po e kërkon edhe zyrtarisht ndarjen e Kosovës në baza etnike, krerët e institucioneve janë mbështetur për muri dhe ju ka has ,,sharra në gozhdë” ,nuk po munden të gjejnë fjalë të bukura siç e kishin bërë zakon. Nuk ka si të quhet e të shpjegohet ndryshe ky refuzim i Sejdiut dhe Thaçit për pos se zgjim i vonuar.
Merreni me mend deri sa Kosovës po i shkelet sovraniteti dhe po i kanoset edhe ndarja, gjëja më e shtrenjtë për ne shqiptarët që e kishim po shkatërrohet, Trupat Mbrojtëse të Kosovës. A ka kund shtet në botë që nuk e ka ushtrinë e vetë? Nuk e besoj!
Cilat janë mekanizmat që Sejdiu dhe Thaçi do t’i përdorin nëse edhe pa pëlqimin e tyre do të miratohet plani gjashtë pikash? Asnjë! Derisa do të vazhdojmë me filozofinë e mbrojtjes së pragut të shtëpisë dhe nuk dalim përtej kësaj filozofie ,Kosova jo vetëm që do të copëtohet por do të bëhet edhe një shtet me shumë shtete brenda saj. Zgjimi ynë i vonuar mbase do të evitojë disa pasoja por jo edhe shkaktarin e gjithë kësaj tollovie dhe paqartësie politike: PAKON E AHTISAARIT

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …