leoni

Besnik Musa Lajçi (24.6.1971 – 19.4.1999)

Besnik Musa Lajçi (24.6.1971 – 19.4.1999)

Besnik Musa Lajçi lindi më 24 qershor të vitit 1971, në Pejë. Ai ishte pjesëtar i një familjeje tradicionale me tradita të larta atdhetare e cila kishte marrë pjesë aktive në të gjitha ngjarjet e kryengritjet për liri e bashkim kombëtar.
Besniku, mësimet e para i mori në shkollën fillore “8 Mars” në Pejë, kur mbaroi dhe shkollën e ulët të muzikës. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin. “Bedri Pejani. Ishte i pasionuar pas arteteve marciale të karatesë, ku edhe e kishte fituar shiritin e kuq. Studimet universitare i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Filozofik drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Ishte pjesëmarrës në të gjitha protestat dhe demonstratat që zhvilloheshin kundër torturimit, burgosjeve, vrasjeve dhe terrorit që Serbia po bënte mbi shqiptarët.
Prindërit: Musë dhe Rabe Lajçi, që të dy ishin albanologë të diplomuar, me përvojë pune në procesin edukativo – arsimor 33 dhe 37 vjeçar. Ata kishin dy bij e dy bija: Besnikun, Fatosin, Beatriçën dhe Serafinën. Besniku ishte marrë edhe me studimin e speologjisë, hulumtimin e shpellave dhe terreneve të vështira malore. Merrej edhe me gjueti dhe kjo i kishte ndihmuar që të njihte shumë mirë çdo pëllëmbë të territorit të Rugovës po edhe më gjerë. Kishte njohuri të mëdha për armët, ishte gjuajtës i shkëlqyer dhe shenjëtar i jashtëzakonshëm. Ishte njëri ndër luftëtarët më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Rugovës, bashkë me Selman e Salih Lajçin, të cilët ishin themeluesit e organizimit ushtarak në Rugovë.
Organizimi i UÇK-ës në Rugovë u zhvillua në tre etapa; Njësiti “Rugova”, nëntor 1997; Shtabi Rajonal i Rugovës, korrik 1998; brigada 136 “Rugova”, nëntor 1998. Të tre këto etapa karakterizohen me veprimtari shumë të ngjeshur si në organizim, zgjerim të radhëve të UÇK-së, furnizim me armë, aksione luftarake dhe beteja ballë për ballë me armikun jo vetëm në Rugovë po edhe në Dukagjin e më gjerë, ndërsa Besniku ishte pjesë dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha këto zhvillime, sidomos në furnizimin me armatim ku iu priu shumë karvanëve të UÇK së duke thyer kufi e hap shtigje që nga Tuzi, Bogiçeja, Tropoja, Pashtriku etj.
Çdo moment të qëndrimit në Shqipëri në kohën deri sa bëhej grumbullimi i armatimit Besniku gjithmonë e shfrytëzonte për përgatitje dhe aftësim ushtarak në mënyrë që ato njohuri të marra nga oficerë të ushtrisë shqiptare ti barte sa më mirë tek luftëtarët e UÇK-së, në frontet e luftës në Kosovë. Besniku bashkë me Nexhmi Lajçin dhe Fanol Kolën kishin kryer edhe trajnime dhe ishin aftësuar edhe për përdorimin e armëve të sofistikuara nga ekspertë të jashtëm.
Menjëherë pas aksionit të dytë për sjelljen e armëve nën përgjegjësinë e Salih Lajçit, Besnik Lajçit, Sylë Muriqit dhe Arianit Demajt u formua Shtabi rajonal i Rugovës ku Besnik Lajçi caktohet përgjegjës për çështje organizative. Në përcjelljen dhe shpërndarjen e armatimit ishte përherë i angazhuar duke e bërë këtë nëpër Rugovë, Dukagjin e deri në Drenicë.
Si njohës i mirë i terrenit Besniku vëzhgonte vazhdimisht vijën e kufirit me Malin e Zi, lëvizjet e forcave serbe në gjithë rrethinën e Pejës dhe bashkë me Selman Lajçin organizonin sigurimin e shtigjeve të furnizimit si me armë e municion dhe pajisje të tjera për luftë po ashtu edhe ato të furnizimit me ushqime, veshmbathje dhe gjëra tjera të nevojshme për ushtrinë dhe popullatën civile. Vlen të theksohet se në Rugovë pos popullatës vendase kishte edhe më mija të zhvendosur nga zonat tjera të luftës po edhe nga qytetet e Pejës, Burimit, Klinës e Deçanit.
Në Rugovë ka marrë pjesë në të gjitha aksionet kundër forcave të okupatorit Serb. Besnik Lajçi pati një rol vendimtar në transformimin e Shtabit Rajonal të Rugovës në Brigadën 136 “Rugova” si dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rugovë. Me formimin e Brigadës 136 “Rugova” më 5 nëntor 1998 emërohet komandant i Njësitit Vëzhgues me zëvendës Enver Salihajn ku veproi e luftoi deri në rënien e tij heroike.
Edhe me 19 prill si gjithmonë, Besnik Lajçi ishte në krye të detyrës. Dy ditë më parë forcat serbe kishin ndërmarr një ofensivë të madhe kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e përgjegjësisë së brigadës 136 “Rugova”, në fillim sulmuan pikën të cilën Ramush Lajçi për kohë të gjatë e mbajti me nderë e trimëri. Gjatë luftimeve në Qafë të Hajlës më 18 prill bie dëshmori i parë në Rugovë, Xhavit Lajçi. Pas kushtrimit të dhënë nga Selman Lajçi, Sali dhe Besnik Lajçi që në atë kohë ishin në vëzhgim dhe përforcim të pikave mbrojtëse në Grykë të Rugovës, kthehen në Pepaj dhe sapo arrijnë në Qafë të Hajlës ndeshën në forcat e armikut.
Aty shpërthejnë luftime të rrepta nga të dyja palët, meqë armiku ishte më i shumtë në numër kishte arritur t’i marr krahët e pozicioneve mu ku ndodhej Besnik Lajçi. Distanca ishte e vogël, herë-herë 10 metra, gjatë këtyre luftimeve Besniku plagosët, forcat serbe ishin përpjekur ta zënë të gjallë, por duke përfituar nga zjarri i bashkëluftëtarëve të tij Salih Lajçi, Imer Nikçi e të tjerë, Besnik Lajçi futet në mes të forcave serbe dhe zbraz edhe dy karikatorë fishekësh mbi armiqtë që po e rrethonin.
Ashtu si heronjtë legjendarë: Mic Sokoli, Oso Kuka e Adem Jashari, me 19 prill të vitit 1999 në Qafë të Hajles duke u vet sakrifikuar Besnik Lajçi bie heroikisht në fushë të nderit në mbrojtje të lirisë, atdheut e kombit të vet. Në përpjekje për tërheqjen e trupit të tij përmes luftimeve të rrepta bien dëshmorë edhe Ramush e Selman Lajçi dhe plagosen disa të tjerë. Të tmerruar nga trimëria e malësorëve Rugovas serbët morën ikën e Qafë Hajla kala e pa mposhtur i bekoi bijtë e vet.
Fillimisht që të tre varrosen në vendin e rënies, në vendin e përskuqur me gjakun e tyre, që qe bërë muranë e pathyeshme dhe kështjellë fitimtare e lirisë. Rivarrimi i këtyre tre flakadanëve të lirisë, u bë më 29 gusht të vitit 1999, me nderime ushtarake dhe me pjesëmarrjen e mijëra liridashësve nga mbarë trojet etnike të Shqipërisë. U varrosën në Qafen e Pepajve, për të hyrë kështu në përjetësi dhe në historinë e së lavdishmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Familja e dëshmorit Besnik Lajçi ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Zona Operative e Dukagjinit, nga Brigada 136 “Rugova” shoqatat e dala nga lufta dhe nga institucione të tjera. (N. L.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …