Në 26-vjetorin e Epopesë së Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përulemi nderojmë heroizmin dhe sakrificën e familjes Jashari.
Bacë Shabani me të bijtë Ademin e Hamzën i kishin krejt të njohura faktet e rezistencës, por edhe fatet e popujve që nuk ecin në atë rrugë. Datat 5,6,7 mars shënojnë kthesën e madhe për Kosovën, aty ku ndryshoi ora e historisë, e u bë epokë.
Shtëpia, oda e familjes Jashari ishte kthyer në kuvendin e shumë takimeve të luftëtarëve për liri, aty vinin nga Drenica, Dukagjini, Llapi, Shala, Pashtriku, Gollaku, Nerodimja, Karadaku e të gjitha trojeve shqiptare. Ky vend i shenjtë ishte kthyer në qendrën e rezistencës dhe në frymëzim të atëdhetarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pra vetë rezistenca, sakrifica e rënia, ishte ndërtuar mbi motive e ideale të qarta. Të tilla, që nuk mund t’i gjendet një shembull kaq unik.
5, 6 dhe 7 marsi, nuk mund të themi se janë thjeshtë as ditë e data. Ato janë kulmimi i një trashëgimie, burim shpirtëror për lirinë, e ndjenja më sublime për sakrificë. Pasi në këto data u ndërtua një bosht i fortë, i dashurisë, i sinqeritetit i miqësive e besës.
Bacë Shabani, e Nënë Zahidja, ndërtojnë imazhin e brezit që përjetuan vuajtjet shekullore të të gjithë shqiptarëve. Ademi, Hamza, e Rifati, një brez që pashkëputshëm mishëruan forcën e pajtimit, në ëndrrën për lirinë, lidhjen e fortë me atë që i bashkonte shqiptarët, këngën e pushkën, vuajtjet e sakrificën e mërgimtarit për atdheun.
E një brez mes nipash e mbesash, që jetonin mes pikturave plot ngjyra mes zymtësisë që na kishte mbuluar. Në dashurinë e një shtëpie të madhe. Në ëndrrat për lirinë e dashurinë për njëri-tjetrin.
Sikur në çdo legjendë, daja Osman mbetet frymëzimi, e një daje për nipat. Një tregim i pa shënuar ende, mbi motivet fisnike. E kemi parë pamjen e dajës Osë, ai u ngjanë tregimeve legjendare. Vdes për amanetin e dhënë.
Për secilin prej nesh, Epopeja e UÇK-së na e sjellë në vëmendje rëndësinë e lirisë që e gëzojmë. Epopeja e UÇK-së mbetet moment lavdie, përkulje dhe inspirimi për të ardhmen tonë si shtet i lirë e i pavarur, i integruar në BE e NATO, e në miqësi të përjetshme me ShBA-në.
Lavdi e përjetshme sakrificës së familjes Jashari!
Nderim për Komandantin Legjendarë Adem Jashari!
Përulje e nderim për amanetin që bartën të gjithë të rënët për liri!