Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se decentralizmit të tanishëm i ka skaduar afati. Tahiri, i cili është edhe këshilltar i lartë i Institutit Demokratik Amerikan, ka thënë se sistemi i pushtetit lokal duhet t’i nënshtrohet një rimendimi dhe rirregullimi të thellë. Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se kjo do të ishte në të mirë të demokracisë. “Qeverisja lokale bazohet në legjislacion, i cili është miratuar një dekadë më parë. Për kohë, rrethanat politike kjo kornizë ligjore ka qenë kompatibile me synimet politike. Tetë vjet pas sistemi i pushtetit lokal duhet t’i nënshtrohet një rimendimi dhe rirregullimi të thellë. Sistemit të tashëm të qeverisjes lokale i ka skaduar afati”, ka thënë Tahiri. Ai ka bërë thirrje që, krahas reformës elektorale që po pretendohet të bëhet edhe në nivel lokal, të ndodhë edhe reforma në qeverisjen lokale.
