BEXHET JAGODINI: TË DHËNA TOPONIMIKE DHE ONOMASTIKE TË PATRONIMIT, JAGODINI

Bexhet Jagodini: TOPONOMIA E TINGULLIT NË SËRBICË – KËRÇOVË

(Kur natyra këndon, njeriu e pagëzon vendin)

Duke soditur natyrën për rreth këtu në vendbanimin rural në Sërbicë të Kërçovës në aspektin toponomik, të bien në sy dy aspekte: atë të tingullit dhe të relievit – me të gjitha  peisazhet e bukura dhe ndjesitë që sjellin ato. E mes këtyre dy botëve, takoj një pasuri që shpesh kalon pa u vënë re, ato janë toponimet që lindin nga tingulli, nga vetë zhurma e natyrës.

Në gjuhën shqipe janë shumë bashtingëllore që të bien në vesh, e sidomos bashkëtingëllorja “RR” – një tingull arkaik, i thellë, që rrallë haset në këtë formë të pazbutur në gjuhë të tjera. Ajo dëgjohet shpesh në dukuri natyrore që për ne shqiptarët janë frymëzim, ndërsa për të tjerët mund të jenë tinguj që “ua vrasin veshin”. E megjithatë, këto tinguj e mbajnë të gjallë një botë që flet vetë.

Këto emërvende nuk janë thjesht fjalë, janë onomatope, janë kujtime të popullsisë së kësaj ane, të cilëve natyra ua jep tingullin si kur bie guri, kur rrjedh uji, kur pëlcet shkëmbi…e tjera. Kështu  emërvende janë emrat si Bërrrce, Vërrrbojca, Mërrrza, Rrrasat apo edhe Shuburka, emra që këndojnë, e që dëgjohen përpara se të lexohen.

Në lindje të Sërbicës, pranë qendrës së vendbanimit, ndodhen dy mikrotoponime të ngulitura në kujtesën e popullsisë lokale: Bërrrce dhe Vërrrbojca. Bërrrce ka dy degë: e Madhe dhe e Vogël – kodra me pjerrtësi të theksuar e me fundamente argjilore dhe me një rëndësi strategjike. Në ditë me reshje, nga ato kodra rrëshqasin gurët, dhe zhurma që krijohet – bèrrrrr – është aq  zëshme dhe karakteristike, sa që vetë vendi e mori emrin nga ajo.

Poshtë tyre, në anën verilindore, shtrihet Vërrrbojca – një prrockë që mbushet me ujë vetëm nga reshjet atmosferike. Përbërja e saj prej zhavorri, argjile dhe dridhjes së gurëve në rrjedhë, krijon një këngë të zvarritur natyrore – vërrr – që duket sikur emërton vetveten nëpërmjet zërit të saj.

Në jugperëndim të Kopaçes ndodhej dikur Mërrrza, një fushë pjellore sot e mbuluar nga dhejat e basenit të thëngjillit. Aty, në orët e vona të natës, insektet, pushimi i kafshëve dhe qetësia e bujkut krijonin një sfond tingujsh mërrr… mërrr…, që mbeti si kujtim dhe u bë emër.

Pak më tej, në shpatin jugperëndimor të malit të Sadiellit, ndodhen. Rrrasat – pllaka guri të zeza që dikur u shfrytëzuan nga banorët për ndërtim, e ku sot thuaj se nuk ekzistojnë. Kur je afër, dëgjon një pelcëtim të lehtë, Ngjyra e zezë, nxehtësia dhe përbërja e tyre krijojnë atë tingull të mprehtë që vetë natyra përdor për të emërtuar vendin.

Shuburka- Është një pasuri natyrore, ujvarë e vogël, atje te ura afër shtratit të lumit të Sërbicës në lindje të familjes Dehare, apo rruga për në fshatin Novosellë. Është funksionale vetëm atëhere kur uji nga Zalli I Sërbicës ndahet nga banorët e lagjeve me lartësi më të madhe mbidetare për vaditje. Rrjedhja modeste e ujit mbi terenin pjerrtësor dhe në kontatakt me shkëmbijtë  krijon një tingull të veçantë ,,shu-shu” nga e mori edhe emrin shu,shu-bënka respektivisht Shuburka

Toponimet që lindin nga tingujt nuk janë vetëm emra vendesh. Janë dokumente të gjalla të lidhjes mes njeriut dhe natyrës. Në to, jeta ka lënë gjurmë, tingulli ka lënë emër, dhe natyra ka folur me zë, thjeshtë, një copëz e trashëgimisë sonë që duhet ruajtur, sepse edhe nëse këto emra janë të panjohur për shumëkënd, ato këndojnë akoma – me zërin e tokës, të gurit, të ujit e të insektit – në një gjuhë të heshtur por të fuqishme: atë të natyrës sonë.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani

Zymer Mehani: KOSOVË – ZEMRA IME

(Poemë përkushtuar dheut të lirisë dhe shpirtit shqiptar) Himni i tokës Kosovë, o tokë e …