Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Ministria e Diasporës nënshkruan memorandum bashkëpunimi

Të mërkurën, më 29 mars 2017, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në praninë e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ministrit të Diasporës, Valon Murati dhe Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku dhe drejtori i Departamentit për Ruajtjen dhe Kultivimin e Arsimit dhe Kulturës në Diasporë, Avdyl Lipoveci, nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit për krijimin e fondit të librave për diasporën.

Në bazë të këtij memorandumi, të dy institucionet obligohen që të grumbullojnë fonde të librave për diasporën, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi me institucionet përkatëse që të krijojnë kënde të koleksioneve të librave në gjuhën shqipe, të shpërndajnë fondet sipas kërkesave në diasporë, të përzgjedhin llojin e koleksionit për diasporë, si dhe të bashkëpunojnë në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta me qëllim promovimin e kulturës, gjuhës dhe arsimit në diasporë.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi është ruajtja dhe zhvillimi i identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor dhe arsimor të diasporës, si dhe lidhshmëria e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës.

Të tre ministrat e pranishëm, u zotuan se përveç se do ta përkrahin këtë nismë, ata edhe do të punojnë që procedurat e zbatimit të këtij memorandumi të fillojnë menjëherë.

Ministri Shala theksoi se krijimi i një fondi të librave për diasporën është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe Ministria e Kulturës që ka pasuar një politikë që librin dhe kulturën shqiptare ta vendosim edhe jashtë kufijve të Kosovës, do ta përkrahë. Në këtë kontekst ai përmendi edhe bashkëpunimin dhe ndihmën që i është dhënë Ulqinit dhe që pritet ta bëjë të njëjtën edhe për Strugën dhe Tetovën. Gjithashtu, përmendi kontingjentin e librave që është përgatitur edhe për Preshevën dhe Medvegjën.

Ministri i Diasporës – Valon Murati, tha se ky Memorandum është i rëndësishëm për fuqizimin e misionit që ka kjo Ministri për ruajtjen e identitetit shqiptar edhe në diasporë. “Thelbi i kësaj është krijimi i një fondi të librave brenda Bibliotekës Kombëtare, fond ky i cili do të jetë për diasporën dhe në bashkëpunim me bibliotekën dhe me Ministritë e tjera, do të dërgojmë libra nëpër universitetet, shkollat shqipe, por edhe nëpër qendrat tona kulturore.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami u shpreh se edhe Ministria me institucionet e saj vartëse do të kontribuojnë gjithashtu në këtë fond të librave për diasporën.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …