Biblioteka Publike “Ramadan Musliu” në Viti, pritet të furnizohet edhe me shumë tituj të rinj librash dhe atë në vlerë prej 6400 euro. Kjo pasi që dje përgjegjësja e bibliotekës publike në Viti, Sadie Dauti kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit. Drejtori i DKRS-së në Viti, Valmir Sahiti ka thënë se pasurimi i bibliotekës në Viti, do të bëhet edhe me projekte të tjera duke paralajmëruar se së shpejti në bashkëpunim me USAID-in dhe BONEVET do të investohet edhe në furnizime të reja me libra dhe në digjitalizimin e kësaj biblioteke. Ndërkaq po ashtu dje në shkollën fillore të mesme të ulët “Kenan Halimi” në Gjylekar të Vitisë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u dhuruan për këtë shkollë rreth 300 tituj të librave me mbi 500 ekzemplare. Kurse ditë më parë u bë edhe dhurimi i një sasie të librave me 111 tituj dhe 168 ekzemplare nga Biblioteka “Ramadan Musliu” në Viti për themelimin e bibliotekës në Manastir të Maqedonisë së Veriut.