Bidoshi: Zgjedhja e Janullatosit në krye të Kishës u bë me bërryla, përplasje e këngë shqip

Petrit Bidoshi, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë Ortodokse Shqiptare nga vitet 1992-1998, flet për “Gazeta Shqiptare” për detajet e ditës 2 gusht të vitit 1992, atëherë kur, peshkop Janullatosi mori drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare. Sipas tij, situata për pak sa nuk shkoi në rrahje me grushte në mes të kishës. Ai tregon se kundërshtarët e Janullatosit në kishë nuk ishte ‘një grusht njerëzish’, por shumica e besimtarëve. Bidoshi thotë se Janullatosi u kurorëzua në hotel Tirana dhe jo në Kishë. Ai flet për ndryshimin e qëndrimit të drejtuesit të Kishës Autoqefale Ortodokse shqiptare të Bostonit, At Artur Liolinit, pasardhësit direkt të Nolit. Sipas tij, në këtë ndryshim qëndrimi ka ndikuar edhe ana materiale.

Zoti Bidoshi, ju ishit i pranishëm në ceremoninë fetare të kurorëzimit të Janullatosit si kryepeshkop i Shqipërisë më 2 gusht të 1992. Si ishte ajo ditë për ju?

 Rastësisht e morën vesh që po ndodh diçka në kishë dhe shkojmë atje. Shohim që kishe kishte shumë grekë të ardhur nga Greqia. Në mesin e shqiptarëve ishte dhe deputeti Uran Butka, i komisionit parlamentar që merrej me çështjet e besimeve fetare, por nuk ishte aktiv, ai kishte ardhur për të parë. Ndërkohë, ne besimtarët e tjerë po prisnim të shihnim se çfarë do të ndodhte. Në një moment, dy njerëz të nderuar, anëtar të Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë, doktor Vokopola dhe profesor Nasho Bezhani, që të dy nga Durrësi, hynë në ajodhimë dhe i shpjegojnë Janullatosit se nuk mund të zgjidhej kryepeshkop, pasi ia ndalonte neni 16 i statutit të Kishës, miratuar në 1929. Ata i folën frëngjisht Janullatosit. Ata dolën të qeshur pas shtatë minutash dhe më thanë se ai nuk e dinte këtë gjë, dhe se nuk do të pranonte që të zgjidhej. Në fakt, shpreha habi për këtë, prandaj kërkuam një njeri që fliste greqisht. Nga njerëzit në kishë doli një profesor, Thoma Çomorra dhe një kompozitor nga Tirana. U thashë që të rrinë afër Janullatosit dhe njerëzve të tij, që të marrin vesh se çfarë po ndodhte, se dinakërisë greke nuk i dihej. Del Janullatosi nga ajodhima dhe grekët e duartrokitën, kur papritur pas 2-3 minutash fillon ceremonia për ta zgjedhur kryepeshkop. Rregulli ishte që të thoshim anaksios, nëse kryepeshkopi nuk ishte i dëshiruar për besimtarët, dhe ne ashtu thamë, tre herë, në këtë pikë, ceremonia duhesh anuluar. Por, grekët filluan të këndojnë këngë greke dhe ne nga ana jonë filluam të këndojmë këngë patriotike, deri edhe himnin e flamurit e kënduam.

Por nga ana tjetër pretendohet se kundërshtarët kanë qenë pak veta, madje kanë akuzuar se kanë qenë edhe myslimanët që e kanë prishur ceremoninë?

Nuk është e vërtetë që ishim një grup njerëzish. Ne ishim shumica dërrmuese të pranishëm në kishë. Madje në një moment, si për të treguar se ishim të vendosur, u kapën të gjithë përkrahu ndërsa këndonim. Atëherë ishte ende gjallë patriotizmi, nuk është si sot, që nuk ka patriotizëm fare. Ndërsa një djalë i gjatë nga familja Zaharia, po rrinte me shpinë, prapa krahëve të mi. I thashë që të kthehej, por ai më tha se do të ruaj se këtyre grekëve nuk i dihet. Situata u acarua shumë. Në një moment një prift grek, mbështetës i Janullatosit, vjen nga ana e djathë, pikërisht te litarët ndarës. Ai e tërhoqi nga krahu një besimtar, një djalë i ri, por ai me atë dorë që kishte nofullave dhe e hodhi tej te grekët. Nuk u bë më përplasje. Në vazhdonim të këndonim këngë patriotike, ata nuk këndonin më, zëri i tyre u shua. Ndërsa ishte kjo situatë, vjen njëri e na thotë që Janullatosi nuk është në kishë. Ai kishte ikur, grekët e morën vesh këtë gjë dhe filluan të ikin një e nga një nga kisha. Ndërsa ata iknin ne vazhdonim t’i këndonim këngët tona m’u afër veshëve të tyre. Në këtë mënyrë kurorëzimi nuk u bë në kishë, por në hotel “Tirana”, atje ku ai kishte ftuar grekë dhe shqiptarë mbështetës të tij.

 Besimtarët që mbështesin autoqefalin kanë vënë re se pas marrjes së drejtimit të Kishës Orto-dokse nga ana e Janullatosit është hequr fotoja e Fan Nolit nga ambientet e saj. Cila është e vërteta?

Në kishën e Bostonit, At Artur Liolini ka një pikturë të bukur të Fan Nolit. Një kopje e saj gjendej dhe në kishën e Tiranës. Dy ditë pas ardhjes së Janullatosit, ajo pikturë u hoq nga vendi kryesor që zinte. Kur shkova njëherë në kishë i pyeta priftërinjtë se ku e keni pikturën, kur më treguan se e kishin vendosur në një dhomë të vogël, ‘mirë që nuk e keni vënë në VC’.

Besimtarët ortodoksë shqiptarë kanë pasur gjatë gjithë kohës një pikë referimi mjaft të vyer për të ardhmen e tyre, siç është Kisha Ortodokse Autoqefale e Bostonit, kishë e ngritur nga Fan Noli, që e vazhdon më tej At Artur Liolini. Pse nuk e bëri ringritjen e ortodoksisë kjo kishë?

At Artur Liolini kur erdhi në Shqipëri na tha njëherë në hotel “Dajti”, “kini kujdes mos të vijë ndonjë klerin grek, ata janë të poshtër dhe do të gjeni belanë me ta”. Kur isha në kishën e tij në Boston, i thashë se pse nuk erdhe ti të ngrije kishat tona dhe ortodoksinë shqiptare. Ai më tregoi për vizitën e tij në Shqipëri më 1990, kur takoi edhe Ramiz Alinë. Ky i fundit gjatë takimit i kishte thënë se në Shqipëri do të lejohej feja dhe kërkohej ndihma e Kishës Ortodokse Autoqefale e Amerikës për të ringritur kishën. Liolioni i është përgjigjur se do ta bënte këtë punë, por i duhej kohë deri sa të zgjidhte zëvendësin në kishën e Amerikës dhe të përgatiste terrenin si atje për të ikur si këtu për të ardhur. Lionili në takimin që pata më tha se priste që ta thërrisnin të vinte, pasi kështu ishte lënë edhe me udhëheqësin e fundit të komunizmit. Por, kur ai kishte marrë vesh që qeveria shqiptare kishte rënë dakord që të sillte në Shqipëri si ekzark këtë Janullatosin, që me shërbim ishte në Afrikën e Jugut, prandaj dhe nuk erdhi më në Shqipëri për një mision të tillë. Po më pas çfarë ndodhi? Po me sa mora vesh unë, Janullatosi ia ka mbyllur gojën mirë edhe atij në Amerikë. Njëherë më patë thënë At Arturi se ‘ne jemi me ju, por s’mund të dalim hapur se shumë nga financuesit tanë janë grekë. Tani At Arturi ka bërë të kundërtën, ai është lidhur me Janullatosin e quan tani atë si “Krisht për Shqipërinë”. Kam shkruar artikuj kundër tij, për ndryshimin e qëndrimeve që ai ka pasur sa i takon Autoqefalisë, por nuk m’i kanë botuar.

Cilët janë marrëdhëniet tuaja me Kishën Ortodokse aktuale?

 Një vit e gjysmë më parë më trokitën në portë. Ngadalë e hapi derën dhe shoh katër priftërinj. Më kërkojnë që të bisedojmë së bashku. Njëri prej tyre, që duket se ishte caktuar të fliste filloi kështu bisedën “Hirësia e tij ka respekt për ju dhe ne kemi ardhur që ju të vini në gjirin tonë”. Kur bëja shkrime kundër Janullatosit, ku i fundit i përgjigjej me replika, por kjo më jepte më shumë material që t’i përgjigjesha. Në një moment e kuptoi shpejt, se kështu do ishte ai qendër sulmi, kështu që nuk m’u përgjigj më. Priftërinjtë që erdhën në shtëpi, përdorën kartën e tyre të vjetër “ardhja e juaj në gjirin tonë do të jetë një gjë e mirë për ne dhe për ju”, duke më lënë të kuptoj anën financiare. Kur më tha kështu e vetmja gjë që më duhej të bëja, ishte që t’i nxirrja jashtë me shkelma, por nuk e bëra. Si dështuan në bisedime, njëri prej tyre më kërkoi të di se ku e kisha ikonën, sepse është rregull që nëse bekohej ikona, ajo shtëpi është e bekuar. Por, nëna ime kishte një kënd të vogël, me një ikonë dhe një kandil, ku edhe falej. Kur panë këndin ku i çova, ata duket dështuan sërish, pasi kujtonin se unë isha ateist dhe kishin për çfarë të më sulmonin. Njëri prej tyre që ishin në shtëpinë time ka ngritur Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare në Kanada, që është një kishë kundër pranisë së Janullatosit në vendin tonë. Ju keni qenë për mëse gjashtë vjet kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë Ortodokse Shqiptare. Cilat kanë qenë përpjekjet tuaja për ta mbrojtur këtë autoqefali? Me mbështetjen e disa shqiptarëve nga Amerika filluam të nxirrnim një gazetë, ‘Autoqefalia Ortodokse Shqiptare’. Por në një moment ata nuk na sollën më para kështu që e nxora me shpenzimet e mia edhe disa numra dhe më pas u shua.

 

A mund të renditen dhe nisma të tjera?

 Një përpjekje tjetër e jona ishte që të shkollonim priftërinj shqiptarë për t’i vënë në krye të kishës. Kisha maqedonase është e pavarur nga ajo Patriarkana e Stambollit, kështu që i kërkuam kryepeshkopit atje nëse mund të sillnim një njeri tonin për ta shkolluar dhe për ta bërë drejtues të Kishës. Ata ranë dakord dhe me ndërmjetësinë e Sejfi Protopapës, që na ndihmoi nga ana financiare, dërguam në Maqedoni, Nikolla Markun. Atje ai u kurorëzua si prift, mori dokumentin e duhur dhe do bëhej ceremonia e kurorëzimit të tij në Kishën e Elbasanit. U mblodhën shumë njerëz në këtë ceremoni. Unë shkova, edhe pse u helmova çuditërisht pak orë para fillimit të ceremonisë. Janullatosi solli në këtë ceremoni një prift shqiptaro-amerikan. Ky mori fjalën dhe foli kundër veprimit që po bënim në Kishë. Ne e nxorrëm përjashta, nga forca e shtyrjes ai ra në kalldrëm. Që nga ai moment ai iku nga Shqipëria.

A jeni anëtarë i kishës ortodokse dhe pse kur flitet për ortodoksinë gjithnjë duhet të ketë patjetër lidhje të ngushtë me Greqinë. A ka pasur ortodoksë që e kanë  kundërshtuar politikën e saj?

Unë nuk jam anëtar i kësaj kishe që drejtohet nga Janullatosi, edhe ndonjëherë që shkoj më shohin shtrembër. Një pjesë e madhe e anëtarëve të Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë kanë vdekur, pak nga ne kanë mbetur ende gjallë, ata kanë qenë gjithnjë kundër vërshimit të priftërinjve grekë në kishën tonë. Sa për familjen time, ne jemi familje me tradita të forta fetare, por njëkohësisht dhe patriotike. Babai im ka qenë Kosta Bidoshi, komandat i pikës kufitare në Kakavijë. Është ai që hetoi dhe zbuloi se kush e vrau gjeneralin italian, Telinin, që ishte drejtues i komisionit ndërkombëtar për përcaktimin e kufijve. Grekët akuzuan për këtë vrasje shqiptarët, të cilët nga ana e tyre ngritën një komision për të hetuar ngjarjen dhe në krye të tij ishte Mehdi Frashëri. Ky i kërkon babait tim, që të gjente se kush e kishte vrarë gjeneral Telinin, pasi kishte shkaktuar një incident ndërkombëtar një vrasje e tillë. Babai im i kërkon Frashërit një qese me napolona që ta zgjidhte çështjen. Pasi mori vesh se ishte një bandë grekërish në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë që vepronin të lirë, im atë mobilizoi 24 burra shqiptarë, aq sa kishte anëtarë kjo bandë. Kreu i kësaj bande kishte një të dashur në fshatrat shqiptare, Frosinën. Ai vendos që të hyjë në Shqipëri edhe pse ishte paralajmëruar për rrezikun që mund t’i kanosej. Skuadra e tim eti kishte vetëm një urdhër, as ‘ndal’, as ‘mos lëvizni’, por vetëm zjarr. Dhe të gjithë banda greke u vra. Kur erdhi komisioni ndërkombëtar për hetimin e vrasjes së gjeneral Telinin, im atë u tha që këta ishin vrasësit e vërtetë. Anëtarët e komisionit i kërkuan të dinë se ku e mbështeste këtë fakt, ai me një shkop i nxori nga xhepi sahatin prej ari, dhe njëri prej tyre tha “ah, il orologio dell nostro generale” (“Po, kjo është ora e gjeneralit tonë”). Kjo ishte familja Bidoshi. Xhaxhai im, Vasil Bidoshi, ishte përfaqësues i Gjykatës së Diktimit, siç është sot Gjykata Kushtetuese, që mori pjesë në kurorëzimin e kryepeshkopit Visarion Xhuvani.

 

Por për Janullatosin çfarë mund të na thoni, sa është ai i përfshirë në jetën kishtare, por edhe politike?

Siç e thashë, ai erdhi si i përkohshëm në vendin tonë, por me mënyrën e tij arriti të qëndronte këtë, në sajë edhe të ndikimit të fuqishëm të kishës greke. Janullatosi flet shumë herë për dashurinë që duhet të ketë njeri për njeriun, apo se Zoti i do shqiptarët. Nëse është kështu, atëherë unë pyes, se kur zoti na i dashka shqiptarët, pse ai nuk ndërhyri asnjëherë kur qeveria greke dëbonte nga vendi i tyre emigrantët. Se siç e dini, çdo politikan i lartë grek që vjen në Shqipëri, shkon e takon patjetër dhe Janullatosin. Pse nuk i tha njëherë ai, që zoti i do shqiptarët, kështu që grekërit të mos i dhunonin ata. Sa kemi parë emigrantë të dhunuar, të rrahur, të poshtëruar në kufijtë tanë. Kjo është ajo që mund të them për Janullatosin.

( Gazeta Shqiptare  24  nëntor 2010)

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …