“Bijtë e Sefës”, bijtë e rapsodisë së papërsëritshme shqiptare

“Bijtë e Sefës”, bijtë e rapsodisë së papërsëritshme shqiptare

Rapsodi emblematik i epopesë homerike të bëmave të moçme të trimërisë, Sefë Gashi, i njohur me emrin e fshatit Mleçan, ishte paraqitje e veçantë e këngës shqipe, në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore, e cila shqiptarët i kishte larë me gjak, por nuk i kishte mposhtur.

Kënga e tij kishte lidhur fijet nganjëherë të këputura të së kaluarës,  e cila kishte mbijetuar shekujt, kishte përcjellë nga brezi në brez bëmat e trimëritë, duke rrëfyer fragmente të qëndresës  dhe heroizmit, nëpër shekujt e së kaluarës dhe duke jehuar si frymëzim i pashtershëm, si këngë malli e këngë vaji por edhe këngë atdhetarie e heroizmi.

Sefë Gashi i njohur si  Sefë Mleçani në kohën e tij kishte bërë emër të rapsodit të “sofrës” së parë e të madhe të rapsodisë shqiptare në Kosovës e më gjerë krahas, Maliq Zhabarit, Xhemë Bojkut, këngëtarë të gjysmës së dytë të shekullit 19-të, pastaj Rizah Bllacës, Tahir Drenicës, Salih Krasniqit, Feriz Krasniqit, Avdullah Bellanit, Adil Cenës, Selman Haradinit, Ymer Rizës, Rexhë Kopiliqit, Ibish Brojës, Augustin Ukës, Bajrush Dodës, Lan Dobrës, Tomë Nikollës, Frrok Haxhisë, Sali Manit, si dhe  instrumentistëve të çiftelisë e veglave muzikore si: Beqir Prelezi, Shaqir Hoti, Ndue Shyti, Fatmir Makolli e shumë të tjerëve.

Secili prej këtyre  e këngëtarëve të tjerë si këta,  kishte edhe stilin e vet të këngës dhe dallohej e dallohet për ndonjë nuancë qoftë me melodinë e zërit që është trashëgim, qoftë me kordat e forta si tela sharkie, qoftë me shqiptim  të pastër të tingujve, me zërin e fuqishëm burrëror, apo me veçori të tjera specifike.

Në këtë mes, rapsodi, Sefë Mleçani kishte një specifikë më dalluese se të tjerët, sidomos në këndimin e rapsodive të kreshnikëve. Duke qenë se këngët e tilla homerike janë të gjata, të vështira për t’i mbajtur mend dhe për t’ i interpretuar e kënduar me nge, ai gjatë këndimit kishte intervenuar me recitim të vargjeve, me shtesa e ndajshtesa, monolog e dialog, të cilat begatonin këngën duke thyer monotoninë e gjatësisë dhe sillnin para dëgjuesve, skena teatrore me mimikë, thirrje, britma, që në disa raste përcilleshin edhe me krisma armësh. Kjo veçanti e këndimet nuk ishte shpikje e Sefë Mleçanit, por ai e kishte përvetësuar dhe ruajtur më shumë se rapsodët e tjerë të kohës, duke e alternuar në pjesë të stilit të këndimit.

Kënga e Sefë Mleçanit me shumëllojshmërinë e shprehjes po i frymëzonte  dhe po i edukonte edhe këngëtarët e tjerë më të rinj, por edhe bijtë e tij, të gjithë këngëtarë të talentuar, bijë të babait, sepse nuk thuhet kot: “bëmë baba të të ngjaj”. Me këtë rast kjo urti popullore kishte rezultuar: “teste” dhe kishte prodhuar grupin e vëllezërve këngëtarë, të njohur si “Bijtë e Sefës”, të cilët u afirmuan me zërin e këngën trashëgim sidomos të babait, me këngën e atdhedashurisë e të trimërisë, por edhe me këngët e mallit e të zemrës, të cilat janë të pashmangshme për këngëtarët, përcjellësit besnikë të traditës  sonë të pasur epike e lirike, nga brezi në brez…

Me këtë rast, emërtimi Bijtë e Sefës, i korrespondon një veçantie, e cila zakonisht iu referohet vëllezërve këngëtarë apo motrave këngëtare.

Bijtë e Sefës, Imeri, Osmani, Ibrahimi, Xhaferi, Ismeti, Beqiri, ishin rritur tok me këngën e babait dhe qysh herët e kishin nisur ta emitonin atë, secili në moshën kur kënga shpërthen vetvetiu si nevojë, për të shprehur një botë ndryshe të komunikimit.

Në odën e babait, ata ishin edukuar në frymën e këngës atdhetare, së cilës i qëndruan dhe i qëndrojnë besnikë gjatë tërë jetës, duke e përcjellë edhe vetë te bijtë e nipat e tyre, sepse ne lindim jetojmë vdesim por kënga, arti i mirëfilltë, nuk vdesin kurrë, ato jetojnë nga brezi në brez, duke lidhur të kaluarën me të sotmen, për t’ iu treguar atyre ku kemi qenë, cilët kemi qenë, nga ku vijmë, ku jemi tani dhe për ku po synojmë…

Bijtë e Sefës, ishin dhe janë bijë e babait, nga i cili trashëguan mirësinë, urtinë, këngën, nderin, besën dhe i ruajtën  këto vlera me krenari e dinjitet, duke u bërë pjesë e aspiratave të kombit për çlirim dhe bashkim, sepse tërë opusi i këngëve lidhjen e vetme integrale dhe organike  e kishte historinë e së kaluarës, kombin, traditën, trimërinë, qëndresën, besimin e patundur për ditë më të mira, besimin se liria nuk fitohet pa gjak, se dasma e kuqe e lirisë kërkon edhe flijim e sakrificë. Dhe atë sakrificë sublime ia fali Atdheut, Beqa i ri,  dhe “ajo sakrificë i  dukej pak”.

Nuk është rast unik që gjashtë vëllezër të jenë këngëtarë. Ka raste të tilla te popujt e ndryshëm të botës. Ka raste kur tërë familja krijon një kor familjar të këndimit e interpretimit. Por rasti për të cilën po shkruajmë ka veçantitë e veta, veçantitë  tipike shqiptare të kohës në të cilën jetuam dje dhe po e jetojmë të sotmen.

Bijtë e Sefës, tani nipat e Sefës, këndojnë edhe sot, këndojnë edhe ata që janë ndarë fizikisht nga familja e të afërmit, sepse kënga atdhetare, kënga e kënduar me zemër e shpirt nuk vdes kurrë. Ajo trashëgohet nga brezi në brez dhe jep mesazhin në çdo kohë, sepse të gjithë ne jemi kalimtarë çasti në këtë botë dhe krejt ajo çka mbetet nga ne është kujtimi i mirë, nëse kemi lënë vepra të mira, mbetet fjala e mirë, nuk harrohet kurrë kontributi për kombin e atdheun, nuk harrohet sakrifica për të mirën e përgjithshme.

Tani në Kosovën e lirë, të çliruar nga lufta heroike e titanike e Adem Jasharit dhe e bijve e bijave më të përkushtuar të Atdheut, në këngën shqipe këndon edhe brezi i tretë  i këngëtarëve që janë nipat Sefës. (A. Qeriqi)

“Bijtë e Sefës”, bijtë e rapsodisë së papërsëritshme shqiptare

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …