Bilall Sherifi: Bardhyli i Metve dhe hipokrizia fodulle


Dështimi i përpjekjeve për të liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës u shoqërua me një revoltë të përgjithshme të qytetarëve kundër qeverisë së korruptuar të Kosovës, si shkaktare kryesore e dështimeve të njëpasnjëshme. Me qëllim të manipulimit të qytetarëve dhe të identifikimit me ta, Isa Mustafa, në cilësinë e kryeministrit në pritje të dorëheqjes, deklaroi me pompozitet se do të ndajë fatin e qytetarëve dhe se nuk do të shkojë në Bruksel për t’u takuar me Kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiç pa u liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës. 


Duke e njohur mirë se si funksionon Isa Mustafa, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç shfrytëzoi rastin që të tallet me deklaratën e Isa Mustafës. Madje e ironizoi deri në atë shkallë sa që deklaroi se “Isa do të vijë të takohet me mua si Tulipan i Bardhë”. Për ata që nuk e dinë po theksoj se shprehja «Tulipan i Bardhë» simbolizon një dashuri ekstreme dhe mund të ofrohet pa marrë parasysh rastin.


I indinjuar nga ironia e kryeministrit serb që e trajton takimin me Isa Mustafën si dhuratë dashurie, Jakup Krasniqi shprehu pakënaqësinë e tij me këtë situatë:  “Kryeministri ynë i hanger fjalët e veta. Problemi nuk është këtu, pasi jemi mësuar me njerëzit që i hanë fjalët e veta?! Me erdhi inat, pse Kryeministri ynë u tallë keq nga Vuçiqi!”


 Në vend që kjo tallje e kryeministrit serb me Isa Mustafën të indinjonte të gjithë, sidomos ata që i qëndrojnë pranë, shpërthyen akuza kundër Jakup Krasniqit. Madje nga ai që më së paku pritej: nga Bardhyl Meta.


 Them se nuk pritej reagimi i tij për arsye se opinionit publik i kujtohet fare mirë kur Isa Mustafa e dëboi Bardhyl Metën nga mbledhja e Këshillit Drejtues të LDK-së duke e poshtëruar në mënyrën më të keqe të mundshme: e akuzoi si informator i medieve!


 Sikur Bardhyl Meta të polemizonte me Jakup Krasniqin dhe polemika të kufizohej në çështje që i konfronton pikëpamjet e tyre as që do të reagoja. Por, ajo që më shtyri të reagoj ka të bëjë me arrogancën e dyfishtë, si në aspektin gjuhësor ashtu edhe përmbajtjesor, të Bardhyl Metës.


 Ky “demokrat” i sojit të vet i jep të drejtë vetes si në kohën e komunizmit jugosllav t’u drejtohet atyre që kanë guxim t’ia “ngucin shefin” që  “ TË TRUKEN!”. Madje, për t’i dhënë përmasa “gjithëpërfshirëse” “urdhrit” të tij ai përdor fjalën krahinore “truku” që përdoret nga shqiptarët në Maqedoni. Për ata që nuk e dinë kuptimin e kësaj shprehje krahinore po e “përkthej” në “kosovarçe”:” MSHELE!”.


 Jo vetëm që kërkon nga Jakup Krasniqi që ta “Mshelë” gojën por Bardhyl Meta shkon edhe më larg. Në stilin “gjithëkombëtar” ai i drejtohet Jakup Krasniqit me fjalën urdhëruese që përdoret kryesisht nga shqiptarët në Shqipëri:  “IK”! dhe ndanë emrin e Jakupit me apostrof  Ja’kup” që të krijojë lidhësen “JA” dhe fjalën “KUP”! Përsëri më duhet ta përkthej për ata që nuk e dinë se fjala “KUP” është një krahinorizëm që përdoret në Kosovë për fjalën “PËLCET”. Pra “demokrati” i sojit të vet, Bardhyl Meta përpiqet ta vë Jakup Krasniqin para alternativës: IK OSE KUP! Po sido që të jetë, ai këmbëngul që Jakup Krasniqi “TË TRUKET”!


 Arroganca e kësaj sorte “demokrati”, që pretendon të jetë “model për të cilin paskëshim nevojë sot”, arrin kulmin kur pohon me fodullëk se “Kam me fol, edhe për shokët e miqtë e tu, të sotëm e të djeshëm – e edhe për ata të partisë sime, që janë soji hipokrit, i ngjashëm me Ty e Ju – por me parashenjë tjetër”…


Nuk ka arrogancë më të madhe se sa kur të tjerëve u drejtohet që ta “Mbyllin gojën” ndërsa të drejtën për t’u shprehur lirshëm e ruan vetëm për veten e vet. Bardhyl Meta e ruan të drejtën e shprehjes së lirë ekskluzivisht për vete dhe ai afirmon se do të shkruaj kundër të gjithëve që nuk mendojnë si ai. Dhe ata që nuk mendojnë si ai, sipas Bardhyl Metës,  nuk mund të jenë asgjë tjetër pos “HIPOKRIT”!


Pikërisht hipokrizia dhe arroganca e Bardhyl Metës më shtyri të reagoj publikisht. Por, për dallim nga sorta e “demokratëve” që përpiqen t’ua mbyllin gojën të tjerëve unë i them Bardhyl Metës të flasë dhe të shprehet lirshëm sepse kohën kur njerëzve u është thënë “TRUKU”  e kemi lënë pas dhe nuk besoj që do të mund ndokush ta kthejë sërish. Madje atë kohë nuk mund ta kthejnë as “demokratët” të cilët i marrin të tjerët për kuaj që mund t’i “shalojnë” .


Edhe pse jam nga rrethi i “SHOKUT JA’KUP” (siç e cilëson Bardhyl Meta) do t’i shkruaj disa fjalë dhe le të vlerësojë lexuesi se cila logjikë mund të cilësohet logjikë “SHOKU”  e cila logjikë meriton të cilësohet “demokratike”.


 Për dallim nga Bardhyl Meta, i cili nuk citon asnjë fjalë të Jakup Krasniqit, unë do të ndalem në atë që shkruan ai për të nxjerr në shesh edhe arrogancën përmbajtjesore të tij. Do ta citoj ashtu siç ka shkruar (me të gjitha gabimet drejtshkrimore).


Po filloj me “argumentet” përmes të cilave ai përpiqet ta mbështetë cilësimin e veprimtarisë së Jakup Krasniqit si HIPOKRIZI. Ai i drejtohet Jakup Krasniqi se në vitin”2002 ishe  Ministër i Qeverisë së parë pas lufte – ku LDK kishte shumicë absolute, por u pervjedhe si super-Ministër, te Qeveria e Bajram Rexhepi (t’ambulances)… pra jo me forcë të votës por me zaptime”


Nëse postet e PDK-së në qeverinë e pasluftës ishin “poste të zaptuara” dhe nuk pasqyronin “forcën e votës” dhe një veprim të tillë e cilëson si hipokrizi, atëherë le të na tregojë Bardhyl Meta se a ka hipokrizi më të madhe se ta akuzosh Jakup Krasniqin për “zaptim të postit ministror” në atë qeveri, ndërsa me ideatorin dhe zbatuesin e atij zaptimi Hashim Thaçin të vazhdosh të bashkëqeverisësh tani.


 Pra jam kureshtar të di se si do ta shpjegosh këtë fakt që tani je bërë bashkë me “Krye zaptuesin”  e pushtetit tuaj që e fituat me votë ndërsa lufton kundër “zaptuesit” më të “vogël”, qoftë në postin e”super-ministrit”.


Meqenëse e përmend atë periudhë besoj se Bardhyl Meta nuk ka harruar faktin se PDK-ja ishte partia e dytë për nga forca e votës. Në vitin 2015  kur Isa Mustafa, të cilin ti e more në mbrojtje nga Jakupi, u bë kryeministër, LDK-ja ishte po ashtu partia e dytë, sikur PDK në vitin 2002. Do kisha dashur që Bardhyl Meta t’u thotë lexuesve se me çfarë force u bë Isa Mustafa kryeministër? Me forcën e votës apo me ZAPTIME? Lexuesit e shohin qartë hipokrizinë e kulluar të Bardhyl Metës i cili veprimin e njëjtë të vitit 2002 e quan “zaptim”, ndërsa veprimin e vitit 2015, kur përfiton LDK-ja, e quan “demokratik”.  Sa i përket periudhës së vitit 2002 lexuesve u kujtohet se Jakup Krasniqi dhe një pjesë e veprimtarëve që nuk janë më pjesë e PDK-së kanë qenë unik se Kosovës i duhet një qeverisje gjithëpërfshirëse. Në kuadër të kësaj strategjie nuk përjashtohej asnjë mundësi koalicioni. Pra as mundësia e koalicionit me LDK-në. Lexuesit gjithashtu i kujtohet se edhe pas ndarjes nga PDK-ja, NISMA për Kosovën, ku Jakup Krasniqi është Kryetar i Këshillit Kombëtar, strategjinë e vet zgjedhore nuk e ndërtoi kundër PDK-së por në funksion të një qeverisje NDRYSHE! Dhe në përputhje me këtë strategji as që u zhvillua ndonjë bisedim për një koalicion qeverisëse me PDK-në. Lexuesit i kujtohet gjithashtu se LDK-ja tërë strategjinë e vet elektorale e bëri kundër PDK-së dhe në të gjitha paraqitjet publike përjashtonte kategorikisht qeverisjen e përbashkët ME TA!


Por kur LDK-ja i hëngër fjalët e veta dhe u bë koalicioni me PDK-në, edhe Bardhyli u bë ME’TA! Harroi të gjitha fjalët që kishte thënë publikisht dhe privatisht (në kuadër të bisedimeve në VLAN) dhe  ndryshoi qëndrimin ndaj PDK-së së Hashim Thaçit. Ky kontekst nxori në shesh edhe fytyrën e dytë të Bardhylit kur është ME’TA. Nëse ka nevojë, po ja “rikujtoj” Bardhylit ME’TA se hipokrizinë e karakterizojnë, ndër të tjera, veprimet e njerëzve që nuk e zbulojnë fytyrën e vet të vërtetë por mbajnë qëndrime dyfytyrësh. Lexuesit vlerëson drejt se kush është hipokrit në kë situatë.


Me të njëjtën logjikë të paraqitjes dyfytyrëshe apo hipokrite siç i pëlqen Bardhylit ME’TA NUMËRON FUNKSIONET QË Jakup Krasniqi ka pasur në të kaluarën. Ai shkruan se:  “Më 2007, n’Krye – në parti Sekretarë – i dyti (PDK) – dhe në Qeveri e institucione, i pari apo dyti… Me 2010, n’Krye – në parti Sekretarë – i dyti (PDK) – dhe në Qeveri e institucione, i pari apo dyti…”


A ka hipokrizi më të madhe se në kohën kur lufton  kundër ish të dytit të PDK-së, TË MOS PËRMENDËSH FARE  të parin e saj, Hashim Thaçin. Mendoni se lexuesit kanë harruar tërë vrerin që keni vjellë kundër Hashim Thaçit pak kohë më parë dhe përpjekjet për ta bërë  Hashim Thaçin TË PARIN E VENDIT (PRESIDENT TË KOSOVËS nuk do të cilësohen HIPOKRIZI! Apo dyfytyrësia juaj ju duket e mirë dhe si të tillë mundoheni t’ia shitni të tjerëve! Është e drejta jote që u bëre ME’TA Bardhyl, por mos kujto se lexuesit janë kuaj që mund të “shalohen”, siç e lë të nënkuptohet në shkrimin e tënd. HIPOKRIZIA JUAJ është shembull për ta shkruar në enciklopedinë e hipokrizive!


Edhe në rastin kur Bardhyl ME’TA flet për privilegjet e funksioneve të Jakup Krasniqit nxjerr në shesh hipokrizinë e vet. Ai mendon se lexuesit e shkrimit të tij nuk e dinë se lideri i tij, Isa Mustafa, është i pashembullt në historinë e funksionarëve të Kosovës. Që nga koha e diktaturës komuniste SHOKU Isa Mustafa ishte kuadër i lartë i pushtetit. Në kohën e AzemVllasit, kur hoqën nga skena politike gjeneratën e Fadil Hoxhes, ai u shqua për dinakërinë e vet. Në kohën kur Millosheviqi arrestoi Azem Vllasin dhe grupin për rreth tij, Isa Mustafa u ngrit edhe më lartë në funksione përkrah Rahman Morinës. Të njëjtën ngritje e vazhdoi edhe me Bujar Bukoshin e deri te Hashim Thaçi. Vetën gjatë një periudhe të shkurtër kohore Isa Mustafa nuk mundi ta “SHALOJË” popullin (siç i pëlqen të shprehet Bardhyli ME’TA): Në kohën e Ibrahim Rugovës Isa Mustafa u struk në pritje të kontekstit të ri.


A ka hipokrizi më të madhe se të përmendësh funksionet e Jakup Krasniqit, që lidhen vetëm pas çlirimit të Kosovës dhe në kuadër të forcës politike që është bashkëthemelues dhe të strategjive të kësaj force politike dhe të dalësh në mbrojte të Isa Mustafës që ishte funksionar që nga koha e Millosheviqit dhe Rahman Morinës e deri te koha e Hashim Thaçit. Lexuesi e vlerëson vetë se nuk është dyfytyrësia.


Bardhyli, para se me u bë ME’TA pretendoje për vazhdimësinë e «Rrugës së Rugovës». Çka u bë me ty dhe me revoltën tënde kur të përzuri Isa Mustafa nga Mbledhja e Këshillit Drejtues të LDK-së? Apo strategjia e njohur e «puthjes së dorës që nuk e thyen» tu duk më e përshtatshme për ty? Si do që të jetë, është e drejta jote e pakontestueshme që t’i puthësh dorën cilitdo qoftë. Por, sado e drejtë që të jetë për ty, puthja e dorës së Isa Mustafës nga “kuadrot lojal ndaj frymës së Rugovës” është hipokrizi “e vogël” në krahasim me hipokrizinë që ju karakterizon ty, shefin tënd dhe të gjithë ata që puthët dorën e Hashim Thaçit! Pyetni anëtarët e LDK-së që ju votuan për premtimet që dhatë gjatë fushatës se si e cilësojnë këtë hipokrizi? T’i premtosh elektoratit se nuk do të bësh koalicion me personat që i cilësuat si kriminel që kanë kapur shtetin dhe të këmbëngulësh ta bësh Hashim Thaçin të PARIN E VENDIT për mua është një MEGA HIPOKRIZI!


Dhe në fund, unë që vij nga “Rrethi i SHOKUT Ja’kup” nuk i them “demokratit” Bardhyl ME’TA që të “TRUKET”, “AS TË KUP” . Përkundrazi, le të flet sa të dëshirojë sepse ka të drejtën e vet të flet. Madje sa më shumë që flet aq më tepër do të del në shesh hipokrizia. Fundi i fundit janë lexuesit të cilët do të vlerësojnë se cili është hipokrit e cili demokrat dhe cilin e karakterizon logjika e “SHOKUT”.


 


 


 


Bilall Sherifi:  Konspiracioni i sëmurë i Lutfi Hazirit me Kompani


 


Në e misionin “debat” në RTK, Lutfi Haziri me bindje të plotë konstatoi se arsyeja e rezistencës së opozitës nuk është as Asociacioni dhe as me Demarkacioni por Gjykata Speciale.


Nëse e marrim si të vërtetë hipotezën e Lutfi Hazirit&Co, se arsyeja e këtij “rebelimi të opozitës” nuk qenka as Asociacioni dhe as demarkacioni por asgjë më pak se vet Gjykata Speciale, atëherë del se ky duhet të jetë konspiracioni më i madh në historinë e konspiracioneve. Madje, i denjë për librin e Ginisit. (Guinness)


Tani do të përpiqem të shpjegoj dhe të argumentoj këtë konstatim timin.


Është fakt publik se, Gjykata Speciale për objekt trajtimi do të ketë luftën e UÇK-së dhe rrjedhimisht edhe njerëzit që e kanë udhëhequr atë.


Ende nuk e dimë se kush do të jenë ata që do të akuzohen nga kjo gjykatë, por bazuar në raportin e Dik Martyt bëhet fjalë për figura të larta të UÇK-së.


Nëse nisemi nga hipoteza e teorisë së konspiracionit të Lutës&Co del se kryetari i PDK-së Hashim Thaçi qëndron prapa këtij rebelimi të opozitës. Besa, kjo teori të bën të besosh se edhe VLAN-in e bëri dhe e prishi po ai.


Pra, sipas kësaj logjike Hashim Thaçi si njëri nga të përfolurit e Dik Martyt ka arritur të manipulojë të gjithë, duke filluar nga kundërshtari i tij i përhershëm politik Albin Kurti, si dhe Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj etj.


Pra, Gjithnjë sipas këtij konspiracioni, Hashimi, Albini, Ramushi, Fatmiri, janë marrë vesh që Hashimi dhe PDK të bëjë koalicion me LDK-në. Pastaj ta miratojnë Gjykatën Speciale ama jo në votim të parë por në votim të dytë. Dhe, pas kësaj, Hashimi me Isën të shkojnë në Bruksel, të nënshkruajnë marrëveshjen për zajednicën me Serbinë dhe me Malin e Zi për demarkacionin. Sipas planit të kësaj KATËRSHE, nga ky moment, këta tre, Albini, Ramushi dhe Fatmiri duhet të fillojnë “kryengritjen”, së pari në parlament e pastaj edhe në rrugë.


Sipas këtij plani në të cilin Hashimi sërish po del “drejtor politik” këta tre komandantë për të ndalur Gjykatën Speciale duhet të paguajnë një çmim, atyre duhet burgosur njerëzit e tyre, besa Albini personalisht duhet të arrestohet, duhet demoluar selinë e Lëvizjes së tij. Tërë kjo për të kamufluar projektin e madh Konspirativ për të zhbërë Gjykatën Speciale.


Pra, në vend se që në fillim të bëhet një koalicion PDK-VV- AAK – NISMA dhe fare as të mos themelohet Gjykata speciale dhe as të mos bëhen këto dy marrëveshje, kjo Katërshe zgjodhi rrugën e tërthortë. Athu pse? Apo ndoshta kështu deshi “drejtori politik” që të mos merret vesh që ai qëndron prapa këtij plani. Çfar shkalle të lartë të sakrificës kanë treguar Albini, Ramushi dhe Fatmiri. Hoqën dorë nga pushteti me Hashimin, duke pranuar madje edhe të persekutohen. Tërë këtë e bënë për të fshehur rolin drejtues në këtë konspiracion të “udhëheqësit të tyre legjendar të luftës dhe të pas luftës”


O njerëz të mjerë, a kaq pak e vlerësoni këtë popull saqë mendoni se me dokrra të tilla konspirative do ta bindni popullin se Gjykata Speciale qenka arsyeja e rezistencës së opozitës dhe jo marrëveshjet e dëmshme?


Po të mos ishin këto marrëveshje shumë të dëmshme për vendin, do të ndjeja keqardhje për imagjinatën e sëmurë të këtyre njerëzve. Por, meqë këto marrëveshje janë shumë të dëmshme, duke përfshi edhe gjykatën Speciale, jo vetëm që nuk ndjej keqardhje për të tillët por pos përbuzjes nuk mund të ndjej asgjë tjetër.


 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …