Bilall Sherifi : Farsa me krimet dhe farsa politike me drejtësinë

Edhe pse Kuvendi i Kosovës nuk e votoi projektligjin për Gjykatën Speciale mbështetësit e formimit të kësaj gjykate vazhdojnë ta mbajnë këtë temë si temë aktuale të skenës politike të Kosovës. Në këtë shkrim të shkurtër do të vë theksin në disa nga shtyllat e argumenteve të tyre.

Kështu, për të qenë sa më bindës në arsyetimet  e tyre  për domosdoshmërinë e krijimit të kësaj gjykate nga të huajt, ata vënë në shënjestër të goditjeve të tyre sistemin e drejtësisë së Kosovës. Në këtë kontekst ata e kualifikojnë sistemin tonë si sistem të paaftë për të sjellë vendime të drejta gjyqësore sepse, sipas tyre, “prokurorët dhe gjykatësit e Kosovës frikësohen të gjykojnë krimet e luftës që i ka kryer UÇK-ja”.

Në rastin konkret forma e sulmeve kundër sistemit të drejtësisë është e motivuar politikisht sepse “argumentet” e tilla nuk kanë asgjë të përbashkët me qëndrimet që duhet të mbajnë juristët. Në vend të prezumimit të pafajësisë deri sa të përfundojë procesi ata paragjykojnë rezultatin e procesit: SHPALLJEN FAJTOR!

Në të kundërtën, çdo vendim tjetër nuk do të shihej si rezultat i provave por si “vendim nga frika e trupit gjykues”.

Po rikujtojmë se drejtësi e këtij lloji është aplikuar në kohën e inkuizicionit, pasi që proceset e kohës së inkuizicionit nuk e kishin për detyrë të gjenin të vërtetën, por me çdo kusht të vërtetonin akuzat.

 

Çdo fund tjetër pos shpalljes së fajësisë konsiderohej dështim.

Ndoshta inkuizicioni është shumë i largët dhe njerëzit e kanë mësuar vetëm në histori. Por, formë të ngjashme si të priftërinjve që pretendonin se kishin mandatin hyjnor të mbronin “pastërtinë e doktrinës kishtare” e zbatuan edhe komisarët politik të komunizmit që pretendonin të krijonin “parajsën tokësore” duke ruajtur të drejtën ekskluzive edhe mbi ndarjen e drejtësisë. Populli i Kosovës e njeh fare mirë këtë përvojë të hidhur.

Tani, nën arsyetimin e “domosdoshmërisë që të pastrohet lufta e UÇK-së”, një kategori që sillet mes logjikës së priftërinjve të inkuizicionit dhe komisarëve komunistë përpiqen të ushtrojnë një terror të përgjithshëm psikologjik kundër atyre që nuk votuan për suprimimin e sovranitetit të Kosovës.

Krahas akuzave se gjoja “sistemi i drejtësisë së Kosovës ka frikë të gjykojë krimet e UÇK-së” kjo kategori akuzuesish e arsyeton mungesën e një gjykate në Kosovë që do t’i gjykonte krimet e serbëve. Këtë mungese e arsyetojnë me gjoja “subjektivitetin e prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë”, të cilën nuk do të ishin profesional në gjykimet e tilla sepse janë të përkatësisë së njëjtë etnike me viktimat.

 

Pra, për rastet kur të akuzuar mund të jenë serb, jo vetëm që vlen prezumimi i pafajësisë, por, për të qenë aktgjykimi i besueshëm,vendimi duhet të jetë gjithsesi PAFAJËSIA.

Kur kësaj kategorie mbrojtësish të krijimit të Gjykatës speciale ua nxjerrim faktin se Serbisë, e cila ishte gjeneratori i luftërave në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe që kreu gjenocid në Kosovë i është lejuar të ketë Gjykatë për Krime Lufte, ku nuk ka as prokurorë, as gjyqtarë të huaj ata, të zënë ngushtë, pohojnë se “Serbia megjithatë ka bërë disa procese gjyqësore për krimet e luftës në Kosovë edhe pse proceset kanë qenë farsë”!

Mbrojtësit e gjykatës speciale e dinë fare mirë se farsa, që nga antikiteti e deri më sot ishte pjesë teatrale që synonte ta bëj të qeshë publikun. Sot kjo fjalë ka marrë kuptimin e ndodhisë që të bën të qeshësh; veprimtari qesharake; lojë a veprim që bëhet për të mashtruar dikë, për t’ia arritur një qëllimi jo të mirë. (Fjalori elektronik i gjuhës shqipe).

Të mbahen gjykime farsë, pra gjykime tallëse me viktimat, është padrejtësia më e madhe që mund të bëhet në një rast kur pritet të ngadhënjejë drejtësia.

Pra siç shihet edhe pse të gjithë e pranojnë se janë proçese farsë, Sërbisë i lejohet të gjykojë krimet e luftës, pra i lejohet të tallet me viktimat, të mashtrojë përmes proceseve Farsë.

Ndërsa Kosovës nuk i është  lejuar dhe as nuk po i lejohet pikërisht duke u bazuar në argumentin se do të bënin procese Farsë.

Siç e pamë nga kuptimi i fjalës Farse, del se me viktimat shqiptare mund të tallesh, ndërsa me viktimat serbe nuk ka tallje.

Përderisa për viktimat shqiptare i lejohet vrasësit të ndaj drejtësi, për viktimat serbe drejtësia duhet të vij nga më kompetentja, ajo ndërkombëtare.

 

Duke e pasur parasysh faktin se drejtësia duhet t’i trajtojë të gjitha viktimat  njësoj, nga qasja e deritashme del se kemi dy standarde. Dhe vetëm duke u nisur nga ky fakt është e mjaftueshme që një modeli të tillë t’i thuhet jo.

Për fund kam lënë argumentin e këtyre “inkuizitorëve modern” se gjoja tani është shumë vonë që Kosova të gjykojë vet krimet e luftës!

Pse vonë? Prej kur po u bëka vonë hetimi dhe gjykimi i krimevetë luftës?

Duke e pasur parasysh, në njërën anë, faktin se Serbia bën vetëm procese farsë dhe në anën tjetër për Kosovën qenka bërë vonë t’i gjykojë krimet e luftës, atëherë dilema shtrohet se kush do ta vë drejtësinë në vend për ato mijëra viktima shqiptare që i ka shkaktuar shteti i Serbisë në Kosovë?

Nuk dua të besoj që dikujt mund t’i shkojë ndërmend që të heqë dorë nga hetimi dhe gjykimi i këtyre krimeve të tmerrshme që janë kryer kundër shqiptarëve.

Të pajtohesh me këtë qasje është njëjtë sikur të thuash se nuk na intereson fare nëse do të vihet drejtësia në vend për viktimat shqiptare. Kjo logjikë është e papranueshme, dhe si e tillë duhet refuzuar.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …