Bilall Sherifi

Bilall Sherifi: Skandalet e ish-diplomatit Lulzim Peci, për Marrëveshjen e Demarkacionit!

Ndaj shkrimit tim “Rrëzimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi hapë rrugën për liberalizim të vizave” pati disa reagime përmes të cilave autorët e tyre shprehën mospajtim me qëndrimin tim. Nga të gjitha mospajtimet lidhur me shkrimin tim dallon reagimi i Lulzim Pecit, drejtor ekzekutiv i OJQ-së KIPRED, shkrimin e të cilit mediet e plasuan si qëndrim të ish diplomatit kosovar për faktin se ka ushtruar funksionin e drejtuesit të zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi. Është e parëndësishme se në çfarë cilësie u plasua shkrimi i z. Peci. Ajo që e bën të veçantë këtë shkrim lidhet me faktin se ky shkrim paraqet sintezën e jashtëzakonshme të gabimeve trashanike në vetëm disa fjali. Më poshtë do t’i trajtoj vetëm disa nga gabimet e shumta që ngërthen teksti i lëshuar nga ai në publik.

Për lexuesin që nuk ka pasur mundësi ta lexojnë shkrimin e z. Peci po e sjell esencën e asaj për të cilën kam qëndrime diametralisht të kundërta.

«(Mos) marrëveshja për demarkacionin nuk mund të rinegociohet, dhe vetëm me pëlqimin e Malit te Zi, ajo mund të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Prandaj të mos bëjmë “llogari pa hanxhine”…Opinionet se me dërgimin e kontestit të demarkacionit në këtë Gjykatë, do të zhbllokohet liberalizimi janë të pasakta, dhe interpretime të kushtëzimeve të BE-së “si ma ka qejfi”. Për dallim prej rastit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku edhe e kemi pasur përkrahjen e pakursyer të SHBA-ve dhe shteteve kyçe perëndimore (të cilën shumë shpejtë jemi duke e harruar), në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit nuk do të kemi fare përkrahje. Për më tepër, le të kujtojmë pak se si kemi kaluar me rastet e fundit të arbitrazhit.»(Epoka e Re, 5 mars 2017 “Demarkacioni mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit vetëm me pëlqimin e Malit të Zi”)

Në fillim po vë në dukje se secili që ka përcjellë reagimet lidhur me deklaratën e zonjës Mogherini për marrëveshjen e lartpërmendur gjatë vizitës së saj në Kosovë e di se përveç meje askush nuk e shtroi domosdoshmërinë e hedhjes poshtë të Marrëveshjes me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës për t’i hapur rrugë edhe liberalizimit të vizave. Prandaj, polemika e Lulzim Pecit me idetë që shtrova pa ma përmendur emrin dallon nga reagimet tjera sepse është “polemikë si ja ka qejfi atij”.

Sikur ai të kufizohej në kualifikimet e opinioneve që nuk përputhen me qëndrimet “si ja ka qejfi atij” reagimi do të ishte i një forme tjetër. Por, kur sheh se me çfarë arrogance i jep vetes të drejtë të manipulojë me shpalosjen e “njohurive të veta diplomatike” dhe të kërkojë nga deputetët të mos veprojnë sipas logjikës “për inati të resë më vdekt djali” dhe ta votojnë marrëveshjen e që i kalon rreth 8000 hektarë të territorit të Kosovës Malit të Zi atëherë e shoh të domosdoshme t’i jap përgjigjen adekuate.

A e di z. Peci se kush është “nëna”, kush është “reja” dhe kush është “djali” në kontekstin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi? Është e pa falshme për një “ish diplomat të Kosovës” të deklarojë se gjoja “marrëveshja për demarkacionin nuk mund të rinegociohet, dhe se vetëm me pëlqimin e Malit të Zi ajo mund të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit”!

Zoti Peci! Çdo pëllëmbë tokë e Kosovës është “mëmëdhe” ose “atdhe” për çdo qytetar të Kosovës. Nëse ti i kupton drejtë raportet se kush çka është në relacionin Kosovë-Mal i Zi në përputhje me territorin e Kosovës do ta kuptoje se për politikanët, diplomatët e Kosovës dhe “Ekspertët e Komisionit Shtetëror” metafora “ për inat të vjehrrës shkoj dhe flejë me mullixhiun” është më adekuate. Sido që të jetë, çështja është tepër e rëndë dhe mendoj se askush nuk ka të drejtë të sillet si ajo shprehja e njohur “kur fshati digjet e dikush krihet”.

Që Kosova ka armiq, këtë e dimë të gjithë, por nuk është vend pa zot dhe nuk do të mund askush ta bëjë han si ua ka qejfi atyre. Por, për një ish diplomat të Kosovës është e pa pranueshme të thotë se gjoja Mali i Zi është hanxhiu që duhet të pyetet për tokat tona.

Zoti Peci përpiqet t’i bindë lexuesit e vet se “marrëveshja mund të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit vetëm me pëlqimin e Malit të Zi”. Në marrëveshjet ndërkombëtare ku përcaktohet se kontestet e ndryshme që mund të dalin në procesin e zbatimit të marrëveshjeve duhet të zgjidhen në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit atëherë pala që konsideron veten si e dëmtuar ka të drejtë, njëanshëm, ta dërgojë lëndën në këtë gjykatë.

Marrëveshja në mes Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacion nuk është kontratë në mes dy ndërmarrjeve. Këtu kemi të bëjmë me marrëveshje ndërshtetërore. Zoti Peci, si ish diplomat i Kosovës në Serbi duhet ta ketë ditur se të gjitha marrëveshjet që autoritetet shtetërore të Kosovës nënshkruajnë me shtetet tjera bëhen të plotfuqishme vetëm nëse ato miratohen nga Kuvendi i Kosovës. Në të kundërtën ose negociohen përsëri ose duhet të pajtohen të dy shtetet që çështja të shkojë Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Të pretendosh, ashtu siç bën zoti Peci, se gjoja kjo çështje mund të shkojë në arbitrazh vetëm me pëlqimin e Malit të Zi është injorancë e llojit të vet. Kjo formë e “argumentimit” i ulë marrëveshjet ndërshtetërore në nivelin e kontratave të dy ndërmarrjeve. Për më tepër, qëndrimet e zotit Peci lënë të nënkuptohet se gjoja me mosmiratimin e marrëveshjes së lartpërmendur pala e dëmtuar është Mali i Zi. Kësaj kategorie u them se: pa pëlqimin edhe të Kosovës askush nuk mund ta dërgojë këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Shembujt e humbjeve kohëve të fundit në Gjykatën e Arbitrazhit të cilave zoti Peci iu referohet, janë tërësisht jo adekuate për çështjen në fjalë. Ai këtë e bën në funksion të frikësimit të lexuesve të tij se në Arbitrazh asgjë nuk do mund të mund të ndryshojmë. Sikur të mos kishte pasur për qëllim manipulimin me opinionin publik ai do të ishte dashur ta konsultojë kontratën që Kompania publike e telefonisë mobile « VALA » kishte nënshkruar me Kompaninë « Z.mobile » dhe të mos ngatërrojë me marrëveshjet ndërshtetërore. Por, ai nuk kënaqet vetëm me këtë shtrembërim të rastit duke e vënë në kontekst që nuk ka të bëjë fare me te. Zoti Peci, si ish- diplomat i Kosovës në Serbi, sjell edhe raportin e forcave në kuadër të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Madje ai tërheq vërejtjen se “për dallim prej rastit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku edhe e kemi pasur përkrahjen e pakursyer të SHBA-ve dhe shteteve kyçe perëndimore (të cilën shumë shpejt jemi duke e harruar), në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit nuk do të kemi fare përkrahje.”!!!

Fatmirësisht që zoti Peci ka statusin e ish-diplomatit sepse deklarata e këtillë do të hynte në analet e diplomacisë si skandali më i madh që një diplomat shqiptarë ka bërë kurdoherë. Nuk ka njohës të politikës që ka përcjellë procesin nga momenti kur Serbia kërkoi mendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e deri te sjellja e aktvendimit të kësaj gjykate.

Të gjithë e dinë se duke u mbështetur në argumentet e trajtuara dhe të ekspozuara gjerësisht, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin e vet se akti i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare.

Shumica shteteve anëtare të OKB-së, shumica e shteteve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe shumica e shteteve të BE-së pranuan vendimet e GJND-së si vendime të drejtësisë ndërkombëtare. Edhe pse u iniciua prej tyre, diplomacia e Serbisë dhe e Rusisë ishin dy diplomacitë më të zëshme që nuk i pranonin konkluzionet e GJND-së.

“Argumentimi” i diplomacisë serbe dhe asaj ruse për mospranimin e vendimeve të GJND-së mbështetej në gjoja “mbështetjen politike të SHBA-ve dhe shteteve kyçe të perëndimit që i dhanë Kosovës” dhe se gjoja “vendimi i GJND-së nuk është vendim i drejtësisë ndërkombëtare, por ndikim politik mbi drejtësinë”.

Nuk ka skandal më të madh se deklarata e një ish-diplomati të Kosovës që përsërit qëndrimet e diplomacisë serbe dhe ruse për gjoja ndikimin e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga politika e SHBA-ve dhe e shteteve tjera të perëndimore. Nuk e di se deri në ç’masë ka ndikuar qëndrimi i zotit Peci në Beograd për t’i përqafuar interpretimet e lartpërmendura për vendimin e GJND-së, por ajo që publikoi në profilin e vet, nuk është opinion origjinal i tij. Këtu kemi të bëjmë me propagandë si ja ka qejfi Serbisë.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …