leoni

Binak Ulaj: Ndërtimi i kishës sllavo-ortodokse në Martinaj të Plavës e Gucisë është provokim i rëndë

Ndërtimi i  kishës sllavo-ortodokse në Martinaj të Plavës e Gucisë është provokim i rëndë, ka deklaruar në një reagim veprimtari i Çështjes Kombëtare, ish i burgosuri politik, Binak Ulaj. Ai konsideron se ky akt ka shkaktuar indinjatë të thellë jo vetëm te banorët e këtij fshati, por edhe tek të gjithë shqiptarët e kësaj ane, brenda dhe jashtë vendit. Kjo, jo për atë se ata janë kundër kishës sllavo-ortodokse, ndonëse e dinë rolin e saj që prej dekadash, sidomos në luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, por për arsye se ndërtimi i këtij objekti fetar sllavo-ortodoks në themelet e një kishe katolike shqiptare dhe në një fshat etnikisht të pastër shqiptar është provokim i rëndë. Pas shpalljes së mëvetësisë së Malit të Zi (21 maj 2006) është pritur se do të avancoheshin të drejtat kombëtare dhe politike të shqiptarëve në këtë shtet. Kjo, aq më parë ngase shqiptarët janë deklaruar pro kësaj mëvetësie dhe vazhdimisht kanë pasur rol konstruktiv në këtë shtet. Për fat të keq, një avancim i tillë nuk ka ndodhur. Përkundrazi. Me legjislacionin nacional, pozita e shqiptarëve është duke u degraduar gjithnjë e më shumë.


 


Në vend se shqiptarëve t’u kthehen pronat, të cilat ishin detyruar t’i braktisin për të shpëtuar kokën nga regjimi i MSKS-së, e në të cilat, pastaj, ishin sjellë e vendosur kolonë nga zona shkretinore të Malit të Zi, në vend se t’u kthehen edhe pronat e nacionalizuara në kohën e ish-regjimit komunist, me Ligjin për privatizimin, disa prej këtyre pronave janë nxjerrë në ankand dhe janë shitur nga organi qendror, Këshilli për Privatizim, me seli në Podgoricë. Kështu ka ndodhur edhe me pronat e shqiptarëve të Plavës dhe  Gucisë. Atyre nuk u janë kthyer pronat e çmueshme pyjore, është shitur objekti hotelier te Krojet e Ali Pashë Gucisë, ku gjendet njëri ndër burimet me të pasura ujore, afro 6-7 m3 në sekondë, që nuk shteron kurrë, as dimrit e as verës. Shpallja e Alpeve Shqiptare (toponimin Bjeshkët e Nemuna e ka përdorur gjeografi serb J. Cvijiq), që përfshin kryesisht pronat e  paluajtshme të shqiptarëve, pjesërisht edhe të boshnjakëve, duke e vënë atë nën kontrollin e pushtetit qendror, duket se nuk ka për qëllim ruajtjen e begative, ndër më të bukurat turistike, jo vetëm në vendin tonë, por më tepër krijimin e një lloj brezi ndarjeje të vazhdimësisë territoriale të shqiptarëve. Shumica e pronave të përfshira me këtë park shtrihen përgjatë kufirit  shtetërorë të Shqipërisë, në gjatësi prej afro 52 km.


 


 


Ndonëse shqiptarët e kësaj ane e kanë bojkotuar referendumin për formimin e Komunës së Gucisë, ka gjasa se ajo do të themelohet. Faktet tregojnë se themelimi i kësaj komune ka prapavijë politike. Dyshohet se ajo themelohet për të minimizuar rolin e shqiptarëve në Komunën ekzistuese të Plavës dhe për të faktorizuar rolin e malazezve në vendimmarrje, gjë që mund të reflektohet edhe në lidhjen dhe ndërtimin e infrastrukturës rrugore që lidh këtë komunë me Pejën dhe Deçanin. Ndryshe s‘ka si të kuptohet fakti se prej vitesh, Tuzit nuk i jepet statusi i komunës, por funksionon në kuadër të Komunës së Podgoricës, ndonëse resurset njerëzore dhe ekonomike i ka shumë më të favorshme se ato të Plavës. Për më tepër, as hapësira gjeografike e Komunës së Plavës, në sipërfaqe prej gjithsej 436 km 2 (44% e saj është e mbuluar me pyje të larta ekonomike), duke përfshirë edhe Gucinë, e as buxheti i saj vjetor (1. 832.871.24 € bruto, në vitin 2011), e as numri i të punësuarve, as  resurset ekonomike (nuk janë në funksion asnjëri prej objekteve të dikurshme ekonomike-industriale), nuk e arsyetojnë një veprim të tillë.


 


 


Tani ndodh edhe një provokim i rëndë. Hapja e themeleve për ndërtimin e kishës sllave ortodokse, apo të ndonjë objekti tjetër kulti sllavo-ortodoks, në fshatin Martinaj, më 25 maj 2013. Ky akt ka shkaktuar indinjatë të thellë jo vetëm te banorët e këtij fshati, por edhe tek të gjithë shqiptarët e kësaj ane, brenda dhe jashtë vendit, dhe më gjerë. Kjo, jo për atë se ata janë kundër Kishës sllave ortodokse, ndonëse e dinë rolin e saj që prej dekadash,  sidomos në luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, por për arsye se ndërtimi i këtij objekti fetar sllavo- ortodoks në themelet e një kishe katolike shqiptare dhe në një fshat etnikisht të pastër shqiptar është provokim i rëndë. Ç’është e vërteta, në këtë fshat janë vetëm dy familje malazeze, Vuçeliq dhe Radenoviq, që jetojnë në tokën e vëllazërisë Prelvukaj, pronarët e së cilës vazhdojnë të jetojnë  në Shqipëri, ngase nuk u është kthyer prona e vet. Madje, edhe themelet e këtij objekti janë hapur në pronën e kësaj vëllazërie. Ky akt ua rikujton anasve shqiptarë të kaluarën e hidhur, terrorin me përmasa gjenocidi dhe represionin që ka vazhduar më se një shekull. Ua kujton vitin 1912, kur kjo krahinë pushtohet nga forcat malazeze e serbe, të cilat, përveç planeve për zhbërjen e shqiptarëve nga trojet e veta etnike e historike, në shenjë hakmarrjeje për disfatën që kishte pësuar ushtria malazeze nga forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhjetor 1879 – janar 1880, njërës ndër betejat më të njohura për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, pushtuesve u ishin lënë duart e lira të bënin çfarë të donin për të shfryrë gjithë mllefin e grumbulluar me dekada për atë disfatë, pa kursyer askënd. Jo vetëm sipas rrëfimeve të të moshuarve, por edhe në publikime, theksohet se “asnjë  ushtar malazias nuk konsiderohej ushtar nëse nuk e kishte përgjakur bajonetën dhe grykën e pushkës në familjet plavjane e gucjane turke, siç i quanin ata, pa kursyer fëmijët, gratë shtatzëna e, për të sëmurët dhe pleqtë as të mos flasim. Të gjithë me radhë thereshin me bajoneta. Kur të kihet parasysh se për të pasur vend në radhët e veta, secili ushtar është dashur ta kishte therur, së paku një, mund të merret me mend se sa ka qenë numri i viktimave”. (I. Musiq, “ Zaljedila tuga”, Plavë, 2006). Të rriturit që ishin zënë, veçmas ata të familjeve që kishin marrë pjesë në luftëra për mbrojtjen  e trojeve shqiptare, ishin ekzekutuar në masë, me arsyetimin se nuk kishin pranuar ta ndërronin fenë dhe të kalonin në fenë sllave ortodokse. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 1913, në Qafë të Previsë,  që gjendet afër Andrijevicës së sotme, janë ekzekutuar rreth shtatëqind shqiptarë e boshnjakë. Për t’ua pamundësuar jetesën, pushtuesit ua kishin vënë zjarrin shtëpive të vendbanimeve të tëra shqiptare. Krimet e tilla ishin bërë edhe në mars të vitit 1919, pas tërheqjes së forcave austriake. Shumica e popullsisë ishte detyruar t’i lëshonte vatrat e veta stërgjyshore duke gjetur strehim në krahun tjetër të atdheut, në Shqipëri shtetërore. Në trojet e braktisura pushuesit kishin sjellë e vendosur kolonë nga zona shkretinore të Malit të Zi.


 


Dhuna dhe terrori shtetëror ndaj popullsisë shqiptare të kësaj ane do të vazhdojnë edhe pas LDB-së. Menjëherë pas ripushtimit të Plavës e Gucisë nga forcat partizane e çetnike malazeze e serbe, në fund të vitit 1944, sikundër edhe gjetiu në Kosovë, do të vazhdojë zbatimi i politikës antishqiptare, në format më të ndryshme, e cila kishte për qëllim shpërnguljen dhe asimilimin e popullsisë shqiptare. Si pasojë e një politike të tillë, sistematike e në vazhdimësi, sot në Palvë e Guci jeton më pak se një e treta e popullsisë shqiptare të kësaj ane. Në fshatin Nokshiq, që prej disa dekadave, nuk jeton më asnjë shqiptar. Në fshatin Arzhanicë, me banim të përhershëm, janë vetëm dy familje, pasardhëse të vëllezërve Ujkaj, që janë në fazën e fundit të asimilimit. Rasti i dy kryefamiljarëve, Elez dhe Bajram Ujkaj, është sa tragjik, aq edhe shqetësues. Që të dy e kanë paguar me jetë këmbënguljen për të jetuar në trojet e veta stërgjyshore. Në korrik të vitit 1991, Elezin e plagos fqinji malazias, kinse për mezhdë. Pa mundur të ngrihej më nga shtrati, pra i paralizuar, Elezi ndërron jetë në vitin 1996. Rasti i vëllait të tij, Bajramit, është edhe më i rëndë. Pas një kurthi, ai me të birin, Xhemën 14-vjeçar, në rrugë e sipër për në bjeshkën e vet, më 26 korrik 1999, zhduken pa gjurmë, në afërsi të Çakorrit, ku kanë qenë të stacionuara policia dhe ushtria malazeze. Organet përgjegjëse e dinë përbërjen e trupave të stacionuara atëkohë në Çakorr. Në fshatin Pepaj kanë mbetur vetëm tri familje shqiptare, fëmijët e të cilave e vijojnë mësimin në  gjuhën malazeze. Në fshatin Doli ka kohë që edhe kisha është e mbyllur. S’ka kush të shkojë në të.


 


Tani, në kohën e sotme, pas të gjitha ndryshimeve të mëdha shoqërore e politike, në vend se në këtë fshat, apo gjetiu të ngrihej një monument përkujtimor për viktimat e shumta shqiptare e boshnjake të regjimeve shtetërore të MSKS dhe të ish-Jugosllavisë, gjë që do të përputhej me 100-vjetorin e masakrës në Previ (1913), propozim ky i mërgimtarit nga SHBA-ja, H. Ulaj, ndodh e kundërta: hapen themelet e një objekti me prapavijë të errët politike. Fakti se hapja e themeleve është bërë në praninë e forcave policore, të cilat, me atë rast kanë intervenuar dhe kanë arrestuar 22  shqiptarë, dëshmon për atë se struktura të caktuara shtetërore të Podgoricës nuk kanë hequr dorë nga vazhdimi i provokimeve dhe represionit ndaj shqiptarëve në Mal të Zi.


 


Megjithëkëtë, vlen të theksohet se me gjithë veprimet e tilla, popullsia shqiptare e Plavës dhe Gucisë, e mbetur të jetojë aty, është e bindur se kohës së ndërrimit të mëtejmë të strukturës etnike të popullsisë, ndërrimit të identitetit kombëtar e kulturor shqiptar të kësaj treve, i ka kaluar koha. Ndërtimi i shtëpive të reja, i rrugëve me vetëfinancim, siç është rasti i këtyre ditëve i ndërtimit të rrugës për në Hot të Plavës, ndihma materiale nga jashtë, janë dëshmi se bijtë e bijat e kësaj ane nuk ua kanë kthyer shpinën përgjithmonë trojeve të gjysh-stërgjyshërve të vet. Ndërtimi i rrugës që lidh Plavën e Gucinë me Shkodrën dhe Ulqinin, që pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, do t’ia kthejë rëndësinë ekonomike e kulturore edhe kësaj treve. Po qe se do të ndërtohej edhe rruga Deçan – Plavë, për të cilën është folur aq herë, perspektiva e Plavës dhe e Gucisë është e papengueshme.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …