Në emisionin javor të TV-Diellit, “Bisedë në studio”, ish i burgosuri politik, veprimtari, shkrimtari e poeti, luftëtari i lirisë, nënkryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Bedri Halimi, ka shpalosur kujtime të shumta nga jeta në trevën e Opojës, pastaj nga familja, fëmijëria, shkollimi, burgu qysh në moshë të re dhe tërë një odisejadë, nëpër të cilën ka rrugëtuar duke qenë gjithnjë i përndjekur nga regjimi serb, qysh nga vitit 1982 e deri në vitin 1999.
Bedri Halimi është edhe studiues i zellshëm i trevës së Opojës, të cilën e njeh në të gjitha segmentet, prej së kaluarës së largët të historisë, etnologjisë, burimeve gojore, folklorit, pastaj të folmes, si dhe rrjedhave politike e shoqërore deri në ditë e sotme.
Në emisionin “Bisedë në studion e TV-Diellit”, z. Bedri Halimi fillimisht ka prezantuar të dhëna nga fëmijëria, presioni sistematik që kishte ushtruar regjimi serb kundër gjyshit, babait të tij e të tjerëve pas Luftës së Dytë Botërore si “vjelja e tepricave”, tatimet, “Aksioni në Grumbullimin e Armëve”, ku kishin pësuar fizikisht edhe familjarët e tij, pastaj dëbimi për në Turqi e kthimi në vendlindje dhe një jetë e tërë nën dhunë sistematike, nga regjimi okupator.
“Isha nxënës i vitit të tretë në Gjimnazin e Prizrenit, kur forcat e policisë kishin rrethuar objektin e shkollës dhe më kishin arrestuar mua e dy shokë të tjerë. Edhe pse ishim të mitur, inspektorët e UDB-së nuk na kishin kursyer, përkundrazi na kishin rrahur mizorisht dhe na kishin keqtrajtuar në mënyrë sistematike, duke pretenduar që të pranonim edhe veprat që nuk i kishim kryer, me qëllim që ta zgjeronin numrin e të arrestuarve. Pastaj pas dy javësh, më dërguan në burgun e Pejës, meqë në Priren nuk kishte vend, por pas një kohe më kthyen prapë në Prizren. Më vonë, pasi më dënuan me burg, mua dhe grupin e shokëve të mi më dërguan në Burgun e Zagrebit e prej atje në burgun famëkeq të Goli Otokut, ku kishte edhe shumë shqiptarë të tjerë, që ishin dënuar pa i mbushur 18 vjet.
Ajo që më së shumti më kishte munduar asokohe ishte dhuna që regjimi ushtronte mbi familjen e të afërmit e mi. Atyre, për të ardhur në vizitë në Goli Otok iu duheshin gjashtë ditë rrugë vajtje-ardhje, me tren autobus e pastaj me anije….
“Marsi e prilli i vitit 1981, ka bërë kthesën e madhe në mesin e shqiptarëve, të cilët me protestat e kërkesat e tyre kishin manifestuar qëndrimin, që shënonte vijën ndarëse mes shqiptarëve që kërkonin Republikë e më vonë bashkim kombëtar dhe atyre që iu kishin nënshtruar procesit të jugosllavizimit dhe bashkëjetesës së shqiptarëve me serbët e popujt sllavë.
…
Pas daljes nga burgu, Bedri Halimi, për një kohë nuk kishte arritur të regjistrohej në asnjë shkollë, me qëllim që ta kryente shkollën e mesme, pasi si ish i burgosur politik, ishte nën vëzhgim dhe sapo e kuptonin se kishte qenë në burg, drejtoritë e shkollave hezitonin ta pranonin. Në moshën kur duhej të ishte në fund të studimeve ai ende kryente vitet e mbetura të shkollës së mesme, të cilën më në fund e kishte mbaruar dhe më pasi iu kishte kushtuar studimeve në Fakultetin e Bujqësisë, të cilin edhe e kishte kryer me sukses.
Duke qenë në përcjellje të “hijeve të errësirës”, regjimi kishte konstatuar se ai jo vetëm që nuk i kishte ndërruar bindjet, por nuk e kishte ndërprerë as aktivitetin e filluar para burgut, andaj edhe mbahej nën vëzhgim të përhershëm. Ka bashkëpunuar sidomos me veprimtarët: dr. Xhevat Hasanin, Sherafedin Berishën, Feti Hasanin e veprimtarë të tjerë të njohur.
Në vitet ’90-të të shekullit XX, ashtu edhe sikur shumë ish të burgosur iu kishte bashkuar LDK-së edhe pse mbante lidhje me LPRK-në më vonë LPK-në dhe me luftën e UÇK-së. Ishte në mesin e veprimtarëve të besueshëm, meqë kishte një rreth miqsh e shokësh, me të cilët kishte bashkëvepruar pa ndërprerë. Bedriu, ashtu sikur shumë veprimtarë e atdhetarët të kohës, anëtarësimin legal nëpër parti e bënin edhe me qëllim që të krijonin huti te njerëzit e regjimit, por edhe të jepnin kontribut të dyfishtë, në Lëvizjen paqësore, më vonë edhe në luftën e armatosur.
Në vitet 90, Bedri Halimi kishte filluar të merrej më intensivisht me shkrime dhe kishte botuar edhe përmbledhje poetike.
Një odisejadë e veçantë e jetës së tij është edhe veprimtaria në kundër të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këto aktivitet dhe jetën e tij në përgjithësi, Bedri Halimi ka botuar edhe romanin e personazhit, “Ecje nëpër furtunë”, në vitin 2017. Autori, në vetën e tretë njëjës, përmes rrëfimeve të shumta ka radhitur ngjarje, kujtime, episode, biseda me veprimtarë, duke i integruar të gjitha këto në tërësinë e romanit, i cili trajton një temë me rëndësi të së kaluarës që është mjaft e përafërt me përjetimet e dhunën që kishte ushtruar regjimi jugosllav e serb, kundër të burgosurve politikë në përgjithësi e veçmas kundër të burgosurve të vitit 1981.
Ai në fund të bisedës, në studion e TV-diellit, ka folur edhe për pozitën e pavolitshme të ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, të cilët kombit dhe atdheut i kanë dhënë më shumë se kushdo. I kanë dhënë rininë e tretur nën dhunë e persekutime, nëpër burgjet e ish-RSFJ-së e më vonë të Serbisë, pastaj jetën gjithnjë nën hetime, izolimin, përndjekjen, burgosjen e sërishme, pastaj pjesëmarrjen me armë në dorë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku shumë prej tyre kanë qenë edhe kuadrot më të larta të SHP të UÇK-s, dhe nëpër zonat operative të luftës. Shumë prej tyre kanë rënë dëshmorë për çlirimin e vendit. Ata kanë dhënë dhe japin kontribut edhe në shtet-ndërtimin e Kosovës, ndërsa kanë qenë pjesë integrale e Lëvizjes së Rezistencës gjatë tërë kohës së robërisë….
( Bisedën, në studion e TV-Diellit me veprimtarin, shkrimtarin e zyrtarin e Qeverisë së Kosovës, Bedri Halimi e zhvilloi, Ahmet Qeriqi)
…
Bedri Halimi lind më 5.3.1963, në fshatin Kuk të trevës së Opojës (komuna e Sharrit). Ish i burgosur politik. Ka kryer fakultetin e bujqësisë, kurse ka botuar punime të shumta kulturore, letrare e shkencore në revista të ndryshme të hapësirës shqiptare.
Deri tash ka botuar disa libra vepra:
- Ditar Dardanie, poezi, KL “Luigj Gurakuqi”, Sharr, 1992
- Plagë shpirti, poezi, KL “Luigj Gurakuqi”, Sharr, 1995
- Cubat fshehin Hënën, poezi, Gazeta “Rilindja”, Prishtinë, 1999
- Rugova – ngritja dhe rënia, publicistikë, Forumi i Krijuesve të Artit, Prishtinë, 2000
- Kafshët e botës sime,poezi për fëmijë, “Rilindja”, Prishtinë, 2001
- Qëndresa kombëtare në Opojë dhe dëshmorët e saj, KL“Luigj Gurakuqi”, Sharr, 2002
- “Haxhi Ymer Prizreni” (përgatiti për botim), revista “Sharri”, 2006
- Pemët, perimet dhe drithërat në mjekësinë popullore, studim, Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2009
- Karnavalet e djajve, poezi, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2013
- Dëshmorët e Opojës, 2014, monografi, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2014
- Opoja – aspekti historik (përgatiti për botim), monografi, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, 2016
- Haxhi Ymer Prizreni – figurë e shquar e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2017
- Panoramë opojane, poezi për fëmijë, “Fidani”, Prizren, 2017
- Opoja – aspekti folklorik, monografi (përgatiti për botim), shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2017
- Ecje nëpër furtunë, roman, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2017
Që nga viti 1991 drejton dhe boton revistën për kulturë, art e shkencë “Sharri”, Sharr.