Bislim Muçaj, laureohet me çmimin “Bekim Fehmiu”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në një ceremoni solemne ka bërë ndarjen e Çmimit për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” dhe çmimit vjetor në fushën e kinematografisë. Aktori Bislim Muçaj është laureuar me çmimin “Bekim Fehmiu”, ndërsa çmimin vjetor në emër të laureatit, producentit Eshref Durmishi e ka pranuar aktori Besnik Krapi.

Juria, në përbërje të aktores Igballe Qena, aktorit Xhevat Qorraj, regjisorit Isa Qosja, kameramanit Menduh Nushi dhe dramaturgut Jahi Jahiu, kanë vlerësuar se prezantimi i Kosovës në arenën e kinematografisë botërore ka qenë historik dhe i suksesshëm. Kontributin për këto suksese e kanë dhënë edhe prezenca në projektet e shumta dhe ekranet magjike të aktorit Bislim Muçaj, duke ia kushtuar një jetë të tërë skenës, por dhe e kontributit të producentit të filmit “Shok”, Eshref Durmishit.

Çmimet u shoqëruan me certifikata të nënshkruara nga ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me statuetën e artë, përkatësisht të argjendtë dhe me një shpërblim në vlerë 5 mijë euro për çmimin “Bekim Fehmiu” dhe shpërblimin financiar prej 2,500 eurove për çmimin vjetor.

Aktori Bislim Muçaj u shpreh se ndjehet i emocionuar dhe krenar që mori çmimin, i cili mban emrin e aktorit të madh të kinematografisë botërore, Bekim Fehmiu.

“E falenderoj ministrin e kulturës, Kujtim Shala për respektin dhe vlerësimin që po ju bënë artistëve. Jam shumë krenar dhe shumë i emocionuar që ky çmim mbanë emrin e bartësit të kinematografisë botërore Bekim Fehmiut” tha aktori Muçaj.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …