Bledar Prifti: Kryqëzata kundër Edi Ramës

 

Të qëndrojë apo të ikë! Kjo është çështja mbi të cilën po përflitet kudo në politikë, media dhe popull, e kjo ka lidhje me qëndrimin apo jo të Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste . Ndërsa Socialistët presin ta zgjidhin këtë dilemë me anë të votës në një të ardhme të afërt, pjesa dërrmuese e klasës politike dhe bashkëpunëtorëve të saj dhe media, e kanë vendosur tashmë që Rama duhet të ikë jo vetëm nga drejtimi i PS-së, por edhe nga politika. Për këtë qëllim, këto grupime janë përfshirë në një fushatë aq të egër, sa i përafrohet një kryqëzate politike. Por ky shkrim nuk ka për qëllim të analizojë këtë kryqëzatë politike në vetvete. Ky shkrim ka për qëllim të analizojë produktin e “kryqëzatës antiRama” dhe se si kompozicioni i grupimit të “politikës së hienave” dhe intensiteti e natyra e sulmeve kundër kreut të PS-së, ndihmoi në krijimin e profilit të një lideri të shumëkërkuar brenda PS-së.
Me pak fjalë, kryqëzata antiRama ka vetëm një produkt thelbësor: Edi Ramën, si të vetmin fitues dhe si udhëheqës (Lider) tashmë të konsoliduar në krye të PS-së. Për të analizuar këtë fenomen, ne duhet të theksojmë arsyet kryesore se përse kjo kryqëzatë i vuri si qëllim vetes largimin e Ramës jo vetëm nga kreu i PS-së, por edhe nga politika, dhe përse kjo kryqëzatë, në mënyrë të pavetëdijshme, konsolidoi profilin prej politikani lider të Edi Ramës në krye të PS-së.
Së pari, një largim i mundshëm i Ramës nga kreu i PS-së, do të shkaktonte konfuzion, si brenda PS-së ashtu edhe përbrenda grupit parlamentar të saj. Në një situatë kur mazhoranca qeverisëse është e diskutueshme dhe stabiliteti i saj i pasigurt, konfuzioni brenda grupit parlamentar të PS-së do t’i jepte Berishës mundësi që, përmes pazareve, të blinte deputetë opozitarë. Ky është një fenomen që mund ta quajmë “fenomeni Berisha” i politikës shqiptare. Përmes kësaj strategjie, Berisha kërkon me çdo mjet krijimin e atij që shumë analistë e përkufizojnë si “grupi i gatshëm i Berishës”. Përmes këtij “grupi të gatshëm”, Berisha mund t’i bënte shantazhe LSI-së dhe pjesëtarëve të tjerë të koalicionit të ri qeverisës. Kjo gjë do t’i jepte Berishës pushtet për të dominuar në pazaret politike, për të përmbushur interesat e tij dhe për të siguruar një qeveri “Berisha” sa më afatgjatë. Padyshim, humbësit më të mëdhenj në një situate të tillë politike do të ishin PS-ja, LSI-ja dhe elektorati i majtë, kurse fituesi i padiskutueshëm do të ishte Berisha dhe e djathta.
Arsyeja tjetër përse kërkohet largimi i Ramës, ka të bëjë me një strategji të hollësishme për të shkatërruar moralisht dhe politikisht PS-në dhe të majtën shqiptare në përgjithësi. Një largim i Ramës do të krijonte një PS të vitit 2005, e cila do të endej sa andej-këndej në kërkim të një lideri që do t’i sillte asaj besimin dhe fuqinë e duhur për të arritur suksese në përballjet e tjera elektorale. Gjithashtu, largimi i Ramës do të sillte përplasje të fuqishme brenda PS-së, që mund të degjeneronin deri në krijim grupimesh apo ndarje të tyre. Kjo situatë, gjithashtu, mund të fuste të majtën në një apati politike. Së treti, largimi i Ramës do të konsolidonte pozicionin e elitës së vjetër të pushtetit dhe do t’i jepte mundësi kësaj të fundit të promovonte dhe mbronte interesat e saj politike dhe ekonomike.
Hyrja e fuqishme e Ramës në politike dhe mbështetja popullore që krijoi profilin e tij politik, kërcënoi dukshëm interesat politike dhe ekonomike të elitës së vjetër të pushtetit. Ky kërcënim u bë edhe më evident në përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë të Kuvendit dhe me demografinë që do të karakterizojë Kuvendin e ri. Mbrojtja më e mirë e status quo-së nga ana e elitës së vjetër, do të ishte eliminimi i Ramës, gjë që do të ishte fillimi i një kryqëzate mbi elitën e re dhe të brishtë, produkt i “fenomenit Rama” në të dy krahët e politikës shqiptare.
Por, për ironi të fatit, kryqëzata antiRama, më shumë se një strategji për të larguar Ramën, ka shërbyer si një instrument për të promovuar dhe konsoliduar profilin e Ramës si një ushëheqës (Lider) absolut dhe i shumëkërkuar nga socialistët dhe e majta. Kryqëzata antiRama krijoi profilin e z. Rama si profilin e politikanit të vetëm që ngjall më shumë shpresë dhe sjell më shumë energji brenda PS-së dhe së majtës. Pavarësisht zërave ndryshe apo kundër brenda PS-së, Edi Rama shihet nga pjesa dërrmuese e socialistëve si udhëheqësi tradicional dhe inspirues që PS-ja ka qenë duke kërkuar, pas disfatës së 2005-ës dhe pas largimit të liderit të saj historik, z. Fatos Nano.
Përplasjet e Ramës me elitën e vjetër të pushtetit në të dy krahët e politikës dhe mandatimi i tij nga socialistët në mënyrë plebishitare, i dha mundësi Ramës që të formohej jo vetëm si aktor, por edhe si faktor në arenën politike. Një përplasje politike me elitën e vjetër të pushtetit të dy krahëve të politikës dhe rezultati shumë i ngushtë në zgjedhjet e 28 qershorit, krijoi një ndjenjë admirimi për figurën politike të Ramës nga baza socialiste. Gjithashtu, përveç impaktit të kryqëzatës antiRama, duhet përmendur edhe fakti se qëndrimi i liderit historik të PS-së, z. Nano, fizikisht larg PS-së dhe përplasjet e tij me Ramën, ndikuan në promovimin dhe konsolidimin e profilit politik të Ramës në krye të PS-së.
Si politikan, Rama zotëron të gjitha aftësitë për një retorikë politike aristoteliane. Ai zotëron pathosin, egosin, dhe logosin. Pathosin në atë që të transmetojë në popull një mesazh të qartë; Ethosin në atë që të tregojë një karakter të fortë prej politikani popullor; dhe Logosin në atë për të transmetuar në popull atë që është racionale dhe logjike. Duhet theksuar se mosardhja në pushtet e PS-së dhe së majtës nuk mund të kontradiktojë këto pretendime, pasi mosardhja e këtyre forcave politike në pushtet ishte e kondicionuar nga faktorë të tjerë politikë dhe ligjorë, që nuk janë objekt analize i këtij shkrimi.
Gjithashtu, deklarimi i Ramës se “nuk jam politikan”, do të konceptohej nga shumë studiues dhe psikologë si një thënie e dikujt që në të vërtetë është një politikan i mirëfilltë, veçanërisht në një kohë kur ky koncept sulmohet ose keqinterpretohet në ambientin politik. Nëse do të pretendohej se për shkak se Edi Rama tha që “unë nuk jam politikan”, ai nuk është politikan, atëherë i bie që kushdo që të thotë “jam politikan!”, të jetë politikan. Për të mbështetur argumentin tim, unë pyes: “A e pëlqen populli ynë politikën dhe klasën politike të këtyre 18 viteve demokraci?” JO dhe vetëm JO. Bile, ky popull e urren këtë politikë dhe këtë klasë politike të korruptuar, të degjeneruar, dhe, mbi të gjitha, të vjetruar. Duhet të kuptojmë se në kushtet ekonomike dhe politike të Shqipërisë sonë të dashur dhe në mes të korrupsionit e skamjes, të thuash “jam politikan” është TURP dhe ndjell neveri.
Si përfundim, kryqëzata antiRama, në kundërshtim me qëllimin e saj, promovoi dhe konsolidoi profilin politik të z. Edi Rama si lider tradicional dhe i patjetërsueshëm i PS-së. Gjithashtu, posedimi nga ana e z. Rama i elementeve të retorikës politike, natyra e tij ambicioze dhe kureshtare, qëndrimi larg PS-së i ish-liderit historik, z. Nano dhe përplasjet me këtë të fundit, ndihmuan në formimin e profilit të Ramës si lider i PS-së. Parë nga ky këndvështrim, kryqëzata antiRama shërbeu si katalizator dhe promovues i profilit politik të Edi Ramës.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …