Blerim Zuçaku u lind më 20 maj 1968 në Vushtrri. Prindërit e tij, Hamiti e Afija i patën shtatë fëmijë: Shefkien, Halimen, Hidajeten, Hanën, Elhamen, Blerimin dhe Dritën.
Shkollën fillore dhe të mesmen, Blerimi i kreu në vendlindje. Babai i tij, Hamiti, kishte marrë pjesë në brigadën çlirimtare të Shaban Palluzhës, në kohën e luftës së Dytë Botërore, prandaj ishte dënuar në mungesë me pushkatim. Për këtë arsye u detyrua të braktisë vendlindjen, të arratiset dhe të strehohet në regjione të ndryshme të Kosovës, derisa pas tri vitesh, dorëzohet, por falë disa rrethanave të tjera, i shpëton pushkatimit.
Gjatë shërbimit ushtarak në armatën jugosllave Umag të Kroacisë, organet ushtarake, te Blerimi kishin vërejtur qëllimet dhe karakterin e tij, si edhe të shumë ushtarëve të tjerë shqiptarë. Për këtë arsye, ai ishte maltretuar dhe ishte dënuar me tre muaj burg ushtarak, prandaj kah gjysma e shërbimit vendos ta braktisë atë më 1989. Pas braktisjes së shërbimit ushtarak, duke qenë nën kërkim të organeve jugosllave, Blerimi u detyrua të largohet nga Kosova, ku shkoi në Tiranë, ndërsa pjesërisht qëndroi edhe në Labinot. Tri vjet më vonë shkoi në Zvicër. Në vitin 1998 vendosi të kthehet në atdhe, për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së në fshatin Gojfile (ish-Prellovc).
Kontaktet e para me UÇK-në Blerimi i vuri në Gojfile (ish-Prellovc) të komunës së Skënderajt, te luftëtari Jakup Nura. Në maj të vitit 1998, mobilizohet në radhët e UÇK-së, fillimisht në pikën ushtarake të Gojfiles, e pastaj në atë të fshatit Liqej, ku kreu detyrën e vëzhguesit në togën e dytë të, batalioni II të Brigade 142 të Zonës Operative e Shalës.
Mori pjesë në betejat e Bardhit të Madh (ish-Bellaqevc), Hade, Qyqavicë e në vendluftime të tjera.
Më 22 maj 1999 Blerimit i arriti çasti i përjetësimit. Një natë më parë kishte shkuar me detyrë ushtarake për çështje logjistike, nga fshati Liqej në Vushtrri, afër varrezave të qytetit, ku ishte e strehuar familja e tij. Në mëngjesin e 22 majit, Blerimi bie në pritën e armikut te Bankinat e Sitnicës. Në atë pritë ai plagoset rëndë dhe disa orë më vonë mbyll sytë. Më 23 maj 1999, vëllau i tij, Gëzimi, e tërheq dhe e varros në varrezat e qytetit të Vushtrrisë. Më 1 shtator 1999, trupi i dëshmorit u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë të Vushtrrisë.
Blerimi la pas vetes bashkëshorten, Zaden dhe fëmijët, Egzonin e Blerindën, e cila u lind pas rënies së të atit. Atij i është ngritur lapidari në vendin e rënies. Kujtimi për të është trupëzuar edhe në lapidarin e përbashkët të dëshmorëve të kësaj treve, afër Urës së Gurit në Vushtrri.
Familja e Blerimit ka marrë Mirënjohje nga Kuvendi Komunal i Vushtrrisë e nga institucione të tjera ushtarake e politike. Emrin e këtij dëshmori e mban një rrugë e qytezës së Vushtrrisë. (Z. Gj.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …