Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: Çfarë po ndodh me zgjedhjet?

6 Tetori jehoi nga të gjithë me thirrjen për ndryshim! Si datë dhe sllogane zgjedhore na bënë të kujtonim sivëllaun e tij të 1968-tës kur shqiptarët nën pushtimin jugosllav fituan të drejtën e përdorimit të Flamurit kombëtar. Ku e ku u festua nën dufin e asaj kënge dhe në fund ngeli refreni: “Erdhi dita”!

Mbrëmja dukej premtuese për ditët në vazhdim, ngase si i parë në pranimin e rezultatit doli Kadri Veseli drejtuesi i PDK-së, dhe kur PDK pranon rezultatin e zgjedhjeve gjithçka bie në qetësi!

PDK ishte pesha morale dhe institucionale e këtyre dy dekadave. Ky pranim dha mesazhin e rrotacionit të madh dhe të një standardi për tu ndjekur. Nuk vonoi të nesërmen dhe Ramush Haradinaj në emër të AAK-së bëri po të njëjtën gjë dhe po ashtu deklaroi pozicionimin e tij opozitar. LDK e mundura fitimtare sikur mund ta quanim ngase ktheu konsiderueshëm votën elektorale, në fatin e saj të të dytit e gëlltiti kollaj pozicioniin që i dha elektorati, por shfaqi turbulenca të brendshme të cilat në parazgjedhje determinuan Vjosën kandidate. Megjithë përpëlitjet e dyshes Lutfi-Agim megjithatë ajo po shkon drejt një koalicioni të harmonizuar me LVV-në. Numrat sikur nuk e kënaqën vetëm Vetëvendosjen, ajo shpejtoi të bënte zakonin e saj; deklaroi mospranimin për Listën serbe dhe lideri i saj filloi takime formale me përfaqësues të serbëve të cilët nuk morën mbështetjen e komunitetit të tyre për t’i përfaqësuar! Kjo persiatje Albiniste hapi shtegun e mirëkuptimit ndërkombëtar për të provuar një skemë tjetër qeverisëse, e cila mund të kalkuloi shtyrjen e NISMËS përtej pragut. Kjo skemë e cila po e mban peng procesin nga rinumërimi në rinumërim, me një përzgjedhje alla mos zot më keq edhe pse i është vënë emri “brengë për Nismën”, besoj thellë se ka motiv tjetër.

Vota e deformuar duhet të ketë adresë keqbërësish. Ajo duhet të ndiqet si proces deri ku ishte mirë dhe ku filloi e keqja, por a mund dhe a duhet të mbetet peng i gjithë procesi nëpër copëza të prera me gërshërë presidenti (sikur përflitet), apo nëse ka patur deformime nga komisionerët (sikur po shihet përgjatë rinumërimit), të futemi në një rinumërim të përgjithshëm. Rileximi i votës si tërësi nuk e dëmton procesin, përkundrazi rinumërimi nxjerr në pah gjithë fytyrën reale të sistemit nga votuesi deri te KQZ-ja. Dënimi i secilit që guxoi të vërë dorë për të shtrembëruar procesin duhet të jetë shembullor. Këtu mundemi dhe duhet të ndahemi nga kjo e keqe dhe këtu e kemi gjithë argumentin. Mjafton të shohim se çfarë ka ndodhur me votat e NISMËS dhe jo vetëm me të sajat! Ankesat e shumta për votën e tjetërsuar brenda votës partiake është një deformim tjetër akoma më i rëndë, i cili duket se kap përmasa drastike! Pra rinumërimi sot del detyrë jo vetëm për të njohur rezultatin por edhe për të futur në punë prokurorinë! Ky duhet të jetë fundi i kësaj maskarade!

Zgjedhjet kanë prodhuar rrotacionin pozitë-opozitë dhe këtë verdikt më nuk mund ta ndryshoj askush. Pse duhet këtë rrotacion ta veshim me mjegullën e kaq deformimeve të cilat po mbahen në sytë e opinionit kuti pas kutie?

Kuvendi i ri ka të gjitha premisat e një fillese ndryshe. Prurjet e tri partive të mëdha LVV, LDK, PDK, në totalin e tyre janë prurje që premtojnë edhe pse mazhoritari i pastër do na nxirrte një parlament me besueshmëri elektorale më të madhe.

Moszbardhja e shkakut real të rinumërimit kështu sikur po ndodhë nëpër skuta zonash dhe prekja e qëllimshme rajonale përçon mesazhe deformuese te opinioni i gjerë. Kjo po bëhet fitorja e dytë pas shtyrjes së NISMËS tej pragut elektoral. Si shtysë e dytë lehtë do merrej si një goditje për të përfituar aktorë të caktuar politik mbi ata që përfaqësojnë sado kudo besueshmëri të caktuar vote në ato rajone. Kjo do vinte në shprehje po të kishim qoftë edhe mundësi hipotetike për të shkuar në zgjedhje të reja. Nga kjo lind pyetja: A po mundohet ndokush ta godas për vdekje procesin dhe kush është ajo dorë?!

 Koluareve thuhet se Presidenti Thaçi paska interes ta shtyjë NISMËN tej pragut elektoral me çka ua merrka disa deputetë LVV-së dhe LDK-së. Me këtë zhvillim procesi i rrëzimit të presidentit në të ardhmen do të bëhej krejt më i vështirë.

Kalkulime të tilla koluareve ka gjithandej prej përdorimit të NISMËS e deri te vërja në pyetje të procesit. Këto kalkulime mund edhe ta kenë përfshirë motivin real të këtij rinumërimi, por a nuk është krim i mjaftueshëm për të reflektuar qoftë edhe vetëm e vërteta e dalur pjesërisht deri sot e deformimit në dëm të po NISMËS SOCIALDEMOKRATE?!

Atje ku ndahen e vërteta dhe manipulimi nuk mund të vihen copëza të përzgjedhura, andaj na duhet një rinumërim i përgjithshëm. Dhe kur themi i përgjithshëm duhet ta kuptojmë këtë jo vetëm si numra e shpërndarje vote, por edhe përmasa se si është lexuar e sa është manipulur kjo votë.

Ky rilexim i tërësishëm i asaj që ka ndodhur do të na ndihmoi t’i presim duart që nuk po ndalen së shetituri nga kutia në kuti duke mjellur interesa meskine. Thirrjes së NISMËS, të cilën e artikuloi sekretari i saj ish deputeti Bilal Sherifil, duhet t’i bashkohen edhe partitë tjera ndryshe ky proces do tërhiqet zvarrë nga kutia në kuti. Meqë kemi rrotacion pushteti dhe ky momentum po llogaritët nga të gjithë një ndryshim që ia ka vlejtur, ne duhet të kemi qartësi mbi të gjithë procesin.

Albini tashmë është kryeministri i konfirmuar elektoral dhe ia doli dikush ta manipuloi apo të bëjë të quhet nulë procesi ai do rivie në përmasë edhe më të madhe por edhe më autoritare në karigen kryeministrore, të cilen tashmë vetëm ai mund t’ia mohoi vetes me pushtetimin e keq..

Bazuar në këtë të vërtetë që nxorën kutitë si verdikt elektoral dhe në nevojën e bërjes së institucioneve të reja me të drejtë na lind pyetja: Çfarë po ndodhë me zgjedhjet?

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …