Të shprehurit e Rusisë kundër reciprocitetit të vënë nga Qeveria e Kosovës për Serbinë, edhe pse në masa të paravëna një kohë para Tarifës 100%, na tregon për energjitë e reja që ajo ka orientuar për të ndikuar jo vetëm marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por edhe pozicionim-vërejtjen kërcënuse për Serbinë. Me këtë vërejtje kërcënuese, edhe pse ajo pretendon t’i rezervoj Serbisë një mirëkuptim më të madh nga Europa dhe SHBA-të, megjithatë asaj nuk është se nuk i është vënë një vëth në vesh. Rreziku rus dhe brishtësia serbe para ariut rus janë ndihmesat reale pra që ajo sot po ia jep Serbisë për t’u mirëkuptuar dhe për t’u përgëdhelur nga Europa.
Dhëmbët e ariut të bardhë sibirian diku po ngulen?
Goditja që Rusia i dha autoritetit vendimarrës për reciprocitetin parë me syrin militantesk të trutharëve që sot po e përbëjnë turmën (jo vetëm prapa LVV-së(, po përkthehet si një rrejdhojë normale e armiqësisë ruse, se Lideri i tyre paska goditur aq fort sa paska tronditur edhe Rusinë e Largët.
E ndihmoi a e goditi Rusia kryeministrin tonë për përballjen e re elektorale që shihet në sfond? Si duhet ta lexojmë këtë?
Kjo adrenalinë e zell patriotik për ta injektuar lumturinë e pamasë: se ja, u shfaq dëshmia me vulë e patriotizmës që mvesh pashmangshëm të parin por edhe subjektin në kët rast, nuk është më shumë se vetëm njëra anë e medaljes të cilën Rusia provoi ta injektoi për aq sa do jetë pranuar.
Ana tjetër e medaljes e cila poashtu është prekur (nga kjo deklaratë ruse), për t’u zgjuar nga gjumi nga kjo për sa i takon këtij dimenzioni interferues, ka lëshuar masën hipokrite të gojëkëqinjëve, dhe ata nuk lënë skutë pa futur kokën ta shesin deklaratën Ruse si një ndihmesë për të na krijuar mashtrimin optik se kinse kryeministri ynë qenka patriot 24 karatësh.
Lufta jonë e brendshme, e shërbyer edhe me këtë argument të hesapeve gjeopolitike të Rusisë së largët në territor dhe të afërt në mospërputhje, përtej gjurmëve që mund të lë në shijen e përëndimit për ne, e pengon politikbërjen tonë përballëse të brendshme të shfaqet në normalitet argumentash e programesh dhe e mban në llumin e batakut, ku sharja etiketuese mbetet mjeti i bollshëm për fitoren!
Kjo sinergji e të kundërtave është në fakt mëtimi rus!
A do mund t’ia dalin Rusia dhe Serbia ta mbajnë të mbjellur këtë hile, tashmë kur ia kanë dalur ta shtyjnë skenën tonë në armiqësim të skajshëm duke përdorur shumë të vërteta tona (të cilat e kanë rënduar së tepërmi deri në zhgënjim jetën tonë), nga zhvatja e deri te kapja e shtetit, për ta mbështjellur me kuotë urrejtjeje dhe më pas për të na e lënë në tregun tonë të etur dhimbjen historike: territore?
Teoritë e konspiracionit jo rrallë kanë çuditur edhe fantazitë artistike. Edhe ne sikur gjithë popujt tjerë jo rrallë thërrasim në ndihmë mjete të lëna diku në harresë qofshin edhe krejt të pabesueshme. Këtë po bën Rusia. Ajo po mbjell këto mjete që ne të shërbehemi me to në një moment kur zhvillimet të kenë nevojë për hipotezime konspiracioniste. Të tilla rrethana, ku mesazhet me bazë hipotezimi konspiracionist me përdorjen e tyre përkthehen në fuqi politike janë fushatat elektorale! Në të tilla raste pandehmat bëhen armët më fitimprurëse. Ky zanat nuk do shumë mend. Më shumë kërkon trushpërlarë. Dhe të tillë ne kemi me bollëk, nga hallegjinjë deri te intelektualët salltanetgji, u thënqin intelektual! Jo shumë larg në kohë, jemi shkëputur nga pushtimi, dhe si shoqëri ua njohim të tillëve si heshtjen e jetës së qullët edhe sa thellë dinë ca nga ta t’i përlyejnë gishtat!
Pikërisht, ky zbërthimi i anës tjetër të medaljes që dekalrata ruse na lë në duar, është edhe goditja të cilën ajo në fakt është nisur ta realizoj. Nxitja e turmave trushpërlara në egzaltim për patriotizmën e liderit që paska djegur bishtin edhe të kryearmikut Rusisë dhe në anën tjetër lënja në duar të mekanizmit zbërthyes për ta denigruar si mëtim rus (armiqësor) injektimin për vërtetimin se aureola patriotike e liderit, në këtë rast kryeministrit Kurti, është reale. Kjo simbolikë akuzuese se patriotizma e kryeminitrit si e shtirur, qenka fryrë me mjeshti që interesi serbo-rus ta përdorka atë si aset vendimarrës brenda nesh në një ditë të mbarë për ta. Pra një hile e kurdisur!
Nuk thuhet pra kot se fantazia konspirative thyen çdo dimenzion!
Kjo goditje tri shkallëshe 1) servimi i argumentave opinonbërës dhe orientues, 2) interferimi në bërjen e zhurmës për të vetaktivizuar trushpërlarët dhe 3) dhe sforcimi i të drejtës së llojit me goditjen armiqësore si argumet jo shterpësie të agazhimit për të vëmendësuar “gogolin shitës të atdheut” presidentin apo kryeministrin që po e veshëkan me patriotizëm për ta përdorur në një kohë të përshtatshme për tradhtinë e bieltës tashmë të prerë (ku marrin të drejtën blanko si zhurma edhe veprimi institucional bashkë me të drejtën për të kapur institucionin në pengim të kësaj rrezikshmërie), nuk është vetëm në përmbajtësoren e saj, por edhe në kohështrijen e proceseve.
E sotmja është mbase goditja më e vogël që ne do ta ndjejmë, sepse zhurma dhe turma tashmë janë përbërës real të përditshmërisë. Mjafton të shohim orkestrimin për ta bombarduar secilin emision televiziv, intervistë a debat ku bëhen sondazhe. Mjafton të shohim lajthitjen e një pjese intelektuale si rreshtim të vullnetshëm në sjellje trushpërlarëse prej sjelljeje, ku për kredon egocentrike të tyre (të cilës provojnë ti rezervojnë aureolë edhe mbi idnetitare) e bëjnë trushpërlarjen çerdhe të sigurtë për hilen ruse dhe jo vetëm të saj. Por, në këtë rast ne po shohim këtë dimenzion të zhvillimeve.
Rrjetet sociale më shumë se mediat e shkruara apo vizive janë bërë sofra e kësaj darke të dreqit e të birit. Këta u thënçin intelektual nuk marrin guximin të trajtojnë zhvillimet apo dukuritë, të këqiat apo të mirat nëpër kolumne shterruese sikur bie fjala ia ha pazari shkopin akademik Rexhep Qosjes e ndonjë të pakti tjetri shëmbëllim, por të tillët mjaftohen me një të ngjyrë fjale në llumin goditës të shpërfaqjes së turmës dhe me atë bëjnë shumë dëme.
Meqenëse zhurma dhe turma tashmë janë realitete të prekshme do duhej të na mjaftonte ajo që na ka mësuar historia.
Rusia sot nuk e do rajonin tonë më shumë se sa analogji mirëkuptimi nëdrkombëtar për rajonet e aneksuara si Krimenë, Abkhazinë e Osetinë apo dhe ndonjë objektiv që po pret radhën në Bjellorusi apo Moldavi. Në këtë fazë Rusia është përpjekur të mbjellë efektin ndikim-zgjedhje, të cilin e ka përdorur kudo nëpër botë. Kjo deklaratë e ministrisë së jashtme ruse për reciprocitetin që shpalli qeveria Kurti është vetën shtesa e mjegullës “marrëveshje 22 pikëshe Hashim-Vuçiq”, e cila u përdor për të argumentuar mardhënjet tona të tensionuara dhe shtrembëroi arsyen e veprimeve të cilat të ndikuara edhe nga ky interferim çuan në rënje të qeverisë.
Përdorja e së djeshmës për të ndikuar të sotmen dhe ndërtimi i trambolinës me këto dy kohë që e nesërmja të vetëpërdoret në mënyrën e matrikuluar është edhe arma putiniste me të cilën Putini ia ka dalur ku e ku ta manipuloj botën për t’ia përshtatur interesave ruse.
Një lajmi të rremë apo dyshimi të sado pabazuar nuk i zhduket asnjëherë hija e dyshimit. Sado që koha e demanton nuk ia del dot ta zhbëjë mykëtinën e tij prej siluete dyshimi që rri ashtu në pritjen e ankthshme për tu përdorur në hipotezat e të ardhmes për të mjegulluar apo për të goditur!
Kosova dhe gjithë faktori shqiptar në rajon do të ishte absurde të thonim se jemi imun nga kjo e goditur që putinizmi po i bënë globit në përgjithësi në përpjekjen për rikhtimin rus si lojtar i dytë por i dorës së parë në zanat. Zhurmat dhe trushpërlarët janë qerdhet ku virusi putinizëm mbijeton kohët për t’u vetrealizuar në kohë të përshtatshme.
Intelektualëve salltanetgji u mbetet të mos i ushqejnë këto turma të trasha me trushpërlarje!