Debati i pafund (nëpër studio televizive, rrjete sociale dhe në shoqëri), i cili është zhvilluar rreth të shprehurës së gjykatës kushtetuese për dekretin e presidentit për gjatë gjithë muajit maj, tashmë është vënë para faktit të kryer. Gjykata është shprehur. Debatet nga hipoteza deri edhe absurde tanimë kanë mbetur kundërshti a miratime. Fjalët e zhurmës së djeshme po bëhen thirrje të sotme. Kush thirrë në pranueshmëri kush thirrë në kundërshti.. Ka të tillë mëkatarë të vonuar që thirrin edhe në revolucion e përmbysje.
Mjerime servile kanë pushtuar studiot televizive. Ëndrra të shumta kinse opinionistësh pretendojnë rrugëtimin e suksesshëm drejt kupolave partiake, drejt e nën sqetullën e liderëve pariak. E sakta humbet përballë zhurmës dhe diskursit tendencë. Zhurma vazhdon për në stacionin e fundit!
Servilët medial të opinionbërjes u bënë kuptimi i humbur i kontributit partiak. Po të shohim majat dhe peshën organizative që kapën, qoftë edhe me shembullin shpërfaqje e fundit në politikëbërjen tonë Haki Abazin, i bie që meritokracia në partitë tona të ishte punë sizifi.
E gjithë zhurma e ka arsyen e vet të egzistencës, dorë mbi asetet e shoqërisë dhe vendit. Ndaj në të gjitha partitë tona sikur në jetën tonë publike ka vetëm kapje. Kushdo që erdhi te ne në pushtet (pa dallim), erdhi me një përvojë kapjeje. Ajo përvojë sikur është ushtruar susksesshëm së pari në kapje partie, ka ardhur në kapacitete funksionale për tu shtrirë NË kapje pushteti e shteti. Kjo është dëshmuar në gjithë ardhjet në pushtet, ku nuk erdhen partitë por kapjet e partive, klanet rreth liderëve të tyre.
Bazuar në një të shkuar të tillë nuk duhej të çuditeshim kur në listat e deputetëve do të rezultoi Driton Selmani dhe jo nga Eqrem Kryeziu e deri te Fatmir Sejdiu, kur rezultoi më i votuar Uran Ismailin se gjithë plejada partibërëse e PDK-ës, kur do gjenim Muharrem Nitajn e jo Ahmet Isufin apo ndër të fundit e për turp lënë në aq pak vota Muahmet Kelmendin, kur do gjenim znj. Balaj e jo Bilal Sherifin, Zafir Berishën apo Enver Hotin në listën fituese të Nismës, kur do gjenim Haki Abazin e jo Hydajet Hysenin edhe pse kryetar i këshillit kombëtar të Vetvendosjes, Gani Krasniqin ikonën relikë të saj me Ismail Kurteshin apo Ali Lajqin, Shemsi Sylën, Emrush Xhemailin, Dugollin apo Dr Bashkim Lajqin a ndonjë tjetër që vet figura e tyre performon vet LVV-në sot. Kështu, vargu do shkonte kudo edhe nëpër partitë tona më të vogla dhe të minoriteteve. Andaj zhurma vjen e para dhe e vetmja, andaj serviliteti është rruga e ngjitjes, andaj turma është synimi! Vëtëm kështu dora mbi asetet sigurohet për drejtimin, për klanin, për kapjen!
Ndaj para nesh shtrohet pyetja: a duhet të ndodhë momenti zero?
Kjo skenë kaq regjide e politikbërjes sonë nuk do mund të vënte në këtë hall e dergje nëse nuk do kishim vegjetim të vazhdueshëm të partive tona, degradim deri në fyerje inteligjence të opinionbërjes sonë mediale dhe oportunizëm kaq të pafytyrë intelektual. Mjafton paraqitja e Rron Gjinovcit për të kuptuar mjerimin ku jemi katandisur. Mjaftojnë Tomë Gashët e sotëm për të kuptuar pararendësit tru-shpërlarë.
Gjithçka kundërmon prej kohësh, ndaj nuk na zë as kundërmimi i sotëm. Është kapur edhe shtresimi i inteligjencës. Myku e saj mban deri edhe mbi pesë vende pune, pesë e mbi shumë paga, fëmijë të privilegjuar, të ardhme të garantuara!
Përkundër gjithë kësaj duhet të themi, në horizont duket se racionalja sot ka më shumë mundësi, ka më shumë hapësirë. Vetvendosja u shpreh për pranimin e vendimit të kushtetueses edhe pse e quajti vendim të padrejtë dhe jo kushtetues. Sikur edhe tingëllon Racionalja ana e mirë e medaljes, ajo duhet të na gëzonte kësaj radhe më shumë se herët tjera, sepse kemi të bëjmë me rreshtimin e gjithë klasës politike në krah të pranueshmërisë së rregullave. Por, këto rregullat e vëna çfarë do të shërbejnë kur partitë po synojnë momentin zero për rinisjen?
Nëse themi se kemi pasur kapje të institucioneve me pasojë kapjen e shtetit dhe jetës publike, atëherë edhe mund të themi se gjithçka determinohet nga kjo kapje. Kjo gjendje faktike rrezikon të legjitimohet duke u trajtuar si momenti zero i ecjes së tutjeshme. Skena po ndryshon si pikëprejre shkaku dhe jo si mësim pasoje.
Sado që të ecet tutje edhe pse brenda rregullave të normuara asetet e kapjes të legjitimuara me pikën zero si njëjtësim i skenës politike dhe të mbështetura e ruajtura nga rregullat e normuara do ta bëjnë shoqërinë të ecë në drejtim të gabueshëm edhe pse mjerisht ligjshëm, dhe ky është rreziku i mbijtesës së batakut ku do të jetoj e keqja.
Zhurma që po mbretëron shoqërinë tonë duket se ka vetëm këtë tendencë, ta legjitimoj momentin zero të riecjes brenda rregullave të normuara, meqë edhe vet LVV-ja dhe Albini në pas sfond shihet të kenë tjetër trajektore nga tendenca zhurmë, të cilën u shpejtuan mbrëmë ta orientonin duke u shprehur për pranueshmërinë. Edhe ata si mohanikët e fundit (lënë në vetmi) të një skene që tashmë po ndryshon u kujdesen që gjërat të mos marrin pakthimin, tërheqje të së djeshmes së skenës.
Marrja e më shumë se treqind vendimeve në kaq pak kohë të proklamuara nga Vetendosja: nga pushtimqeverisja ndaj partnerit LDK e deri te shkeljet kushtetuese të cilat krijuan perden e hekurt për veprime të njëanshme edhe pa nevojë adresimi parlamentar nuk janë gjë tjetër veçse vënje dorë në asetet e shoqërisë për ta legjitimuar gjendjen me momentin zero, meqë skena jonë politike po ndryshon.
Kaotizmi i skenës politike, i cili ka mbizotëruar në këto dy dekada, ka prodhuar më shumë tensione për formën se sa për përmbajtjen, më shumë për emrat se sa për funksionalitetin.
Fenomeni i bumit të Vetvendosjes nuk është e vetmja dëshmi e ndrrimit të kohëve.: mos rrënimi i PDK-së, rasti i riardhur i LDK-së dhe mos kapja e kuotave nga AAK-ja bashkë me braktisjen e NISMA-s e AKR-së janë dëshmitë emancipuese e skenës.
Qeveria në ardhje nuk mund të jetë më shumë se sa një urë mes së djeshmës dhe asaj që po vjen. Ajo do të jetë dëshmia e fundit e kohëve që kaluam. Edhe pse ajo mund të identifikiohet apo stoliset me ngjarje shumë të mëdha sikur mund të jenë dialogu me Serbinë dhe proceset integruese duke filluar që me vizat, prap se prap ajo përveç evidencës shifrore nuk do ta bartë medalionin e suksesit. Këtë shëndritje skeptëri ia mohon pesha specifike që kanë për historinë dhe zhvillimet subjektet e mbetura jashtë saj. PDK si sinonim çlrimtar dhe LVV si inercion ndryshimi.
AAK dhe NISMA nuk ia kanë dalur asnjëherë ta baraz konkurojnë PDK si sinonim çlirimi edhe pse janë i njëjti brumë. Historia e ardhjes në skenë e ka privilegjuar PDK-në kundrejt tyre.
Eliminimi i vijave të kuqe si produkt pasoje me pikëprerje shkaku përveç se do të sjell një konkurencë të moderuar, ajo do provoj mbylljen e syve të së shkuarës. Ky pakt qoftë edhe vetëm i heshtur për momentin zero mund të bëhet pranueshmëri qytetare vetëm në saje të një bumi ekonomik ku shqoëria do prekte ndryshimin në shumë nuancë. Por, ne dimë se kjo nuk është e mundur për sa kohë nuk ndërron edhe mendësia. Forma pra nuk mjafton.
Meqë ndryshimet në skenën tonë politike duket se po vinë vetëm të formës dhe jo edhe të përmbajtjes, ato nuk mjaftojnë. Andaj lufta për ndryshim është kapur, privatizuar e monopolizuar si brenda vet partive po ashtu edhe në skenën në tërësi. Kjo nevojë e kapjes për ta mbajtur gjendjen i bënë partitë t’i sheshojnë muret që i ndajnë dhe të gjejnë më shumë mundësi për njëri tjetrin. Ky mirëkuptim jo vetëm që i përafron por edhe i njëjtëson ato. Vijat e kuqe po bien për këtë afri nevoje dhe jo për pasojë vetëdijësimi. Andaj, ndryshimit i është vënë në shpinë trushpërlarja për ta ç’orientuar në reagim të kontrollueshëm!
Bazuar në këtë kapacitet kontrolli e nevoje mirëkuptimi ndërpartiak për ta ruajtur kapjen, e cila po na shpie drejt momentit zero, duhet ta besojmë thirrjen e kryeministrit Kurti: Nuk duhet të frikohemi nga protestat e Vetvendosjes!
A duhet të frikohemi nga njëjtësimi i aktorëve në skenë?