leoni

Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: PDK-ja valutë kohë-blerëse e LDK-së

Janë kohë të liga për ndërrim gjeneratash në partitë politike. Gjithandej elitat kanë krijuar klane kapëse me të cilat përmes një kodi të pafytyrë janë bashkuar në “klubin e përbashkët” të zhvatjes së fondeve dhe gjithçkaje në këtë vend. Është e çuditshme kur dëgjon se filani apo fisteku telefonon këdo nga skena politike, dhe ai filani apo fisteku quhet të jetë djalë i ri, por i bekuar me mundësi dhe kapital të vënë. Të tillëve u shkëlqen nuri! Ata nuk e fshehin akcesin e tyre në gjithë këtë gijotinë të madhe, e cila po përtypë pashpirt gjithë jetën tonë shoqërore dhe po e bënë bajgë të ardhmen tonë. Këto kënde spinore janë lidhjet e këqia dhe tharku i kënetës ku na kanë vënë.

Ka shumë për të parë e për të kuptuar në këtë shoqërinë tonë. Ka shumë për të neveritur e për të urryer, ka shumë për të luftuar.

Ndaj t’i kthehemi asaj që na thërret ta vëmë në spikamë “rëniës së madhe, amorfitetit LDK”!

Naiviteti që udhëhoqi elektoratin e LDK-së për dekada të tëra e ka bërë të parëndësishëm për çka do që sillnin zhvillimet si nevojë të kohës. Ata mjaftoheshin me kompaktësinë e kreut të tyre për ta mbajtur qerren në rrugën kundër të  tjerëve. Pak kishte rëndësi për ta edhe atëherë kur axhenda partiake ishte kundër luftës, pa qoftë edhe në rastet kur vet anëtarët e saj ndodhte të ishin bartës të luftës. Çoroditje prej soji! Ky bëheshte lavd besnikërie dhe mjet mburrjeje! Të tilla sjellje çudisin këdo sa i bëjnë edhe ateistët të thërrasin “o zot ku je, të lutem jepu mend e faliu sy”!

Ata, që më shumë se sa veten pranuan rrugën e partisë, sot janë vënë në gjyqin vetanak të reflektimit. U ka rënë të mbyllin shumë plagë që ua ka shkaktuar kupola partiake, e cila thënë të drejtën nuk ka çarë kokën ndonjëherë.

Ajo, kupolla, gjithmonë ka shtyrë në kinse derivim organesh të zgjedhura, por edhe është kujdesur që ato të jenë fiktive. Një përgjasim organizativ! ky përgjasim ishte vetëm nga lartë poshtë, derisa nga poshtë lart ai kishte një kulturë e diciplinë prej ortodoksi.

Janë të paktë eksponentë të LDK-së kudo rretheve apo në qendër që kanë ndjerë respektin e kupolës për atë që kanë përfaqësuar nëpër degët dhe aktivat e saj. Koha rugoviane sikur edhe paskoha e saj ka përdorur të njëjtat metoda, të parën moskokëçarjen dhe tjerat sikur u ka ardhur puna për ta realizuar këtë kinse funksionalitet.

Nëse Nexhat Daci apo Fatmir Sejdiu, deri diku, mund të thirreshin në njëfarë kohezioni me frymën rugoviane Isa Mustafa jo vetëm që nuk mundej, por ai ishte me gjithçka në krah të Bujar Bukoshit dhe anti Rugovë. Edhe pse i tillë çfarë ai ishte, LDK e pranoi për drejtues nga ku u bë kapës i saj. Ai ia doli ta retushonte historinë personale me Rugovën, me çka e la Bukoshin në vorbullën e rrethit të tij vicioz. Për habinë e të gjithëve, me para apo pa para, Bukoshi përfundoi në njësinë e Ukë Rugovës! Sikur thuhet: e keqja nuk sheh kënetën ku gjindet por kafshatën që kapë! Gjithë çoroditjen e këtyre viteve, LDK duket se do filloj ta paguaj me këndjellje pas gërmadhës që po lënë veprimet e fundit, të cilave nuk mund tu gjindet ilaqi.

Shpërthimi i Vjosa Osmanit edhe me largim nga partia, tashmë për dallim nga tri vite më parë ia ka prishur paqen që fitoi para zgjedhjeve Isa Mustafa me vartësit e ti. Me aktin e emërimeve të drejtuesve të partisë (pas ndërprejrjes së procesit zgjedhor të brendshëm, i cili u përcoll me çarje deri edhe në mosdurim e grushta), ai fitoj paqen e përkohshme, dhe për të aso kohe pagoi një çmim, vënjen e Vjosës bartëse të listës, i cili sikur po shihet, jo vetëm se ia ka prishur ëndrrën prej letre, por edhe ia ka bërë partinëshkurre ku fshihen shumë lepuj dhe jo vetëm!

Ai, i mësuar në përvojën ish Jugosllave nuk goditi, bëri pikërisht gabimin e Fatmir Sejdiut dhe la kundërshtarin brenda shtëpisë duke i dhënë edhe input në fuqinë eksponenciale. Gjërat (duket ta ketë ditur ndaj kërkonte kohë) nuk rodhën vaj dhe kjo krushqi gjeti fundin.

Vjosën, padurimi për të shkëlqyer e ka ulur sot në prehërin politik të Albinit, por jo edhe në atë të LVV-së. Ajo po taktizon nga jashtë për të diverzionuar sa më thellë. Koha do ta tregoj sa shpatulla ka dhe çfarë vlerash është mbrujtur. Momenti i shkëputjes ka qenë shumë premtues. Kjo shkëputje mund të krahasohet me atë të NISMA-s nga PDK. Ajo mund të mos korrë suksesin e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit, por një gjë tashmë dihet, ajo e ka dërguar në deregje LDK-në po aq sa e pat dërguar NISMA PDK-në.

Dobësimi shëndetësor i Isa Mustafës dhe mosha e shtyrë në skaje të rrugës ka hapur apetitet për ta kapur drejtimin, që nga Lutfi Haziri i ligjshëm e deri te dora e fshehtë që goditi Haki Rugovën.

Eliminimin e kundërkanditatëve përmes goditjeve direkte, apo përmes mënjanimit të personave me peshë të pa anashkalueshme në vendimarrjet partiake, sikur është rasti me Vjosën dje, me Haki Rugovën sot dhe sikur po bëhet me Lutfi Hazirin koluareve ditën e natën, nuk do shumë mend për ta kuptuar. Ka filluar kapja post Isa Mustafë e kupolës drejtuese të LDK-së. Kjo tashmë shihet hapur dhe e vetmja gjë që mbetet enigmë për opinionin janë emrat konkret të kësaj ndërmarrjeje. Sot LDK drejton qeverinë dhe dikasteret e rëndësishme të saj, ndaj nuk merret e paqenë nëse themi se fshehja e kësaj dore goditëse ka veshje pushtetore.

Haki Rugova ishte aty me të bëmat e veta. Ai nuk gaboi sot dhe vetëm sot. Them se për Hakiun do jenë bërë plane që kur u pa se ai ishte me peshë në vendimarrjet në parti. LDK e dinte se një ditë do të vinte ora e përballjes, ndaj ajo u përgadit dhe e nxori nga radhët e saj burimin e atyre grushtave zgjedhorë apo thënë ndryshe frymën e re që po tentonin radhët e saj.

Nëse nisma degraduese koluareve ndaj Lutfi Hazirit po jep rezultate po aq sa ajo goditëse përjashtuese ndaj Vjosa Osmanit, është vështirë të thuhet se me po kaq lehtësi do të kaloi linçimi i Haki Rugovës, edhe pse dorën në zemër, ai ka kohë që po e bënë të keqin në qeverisjen lokale. Por, ai ishte këtu me gjithë të këqiat e veta dhe askujt nuk ia kishte prishur gjirizat deri sot.

Për ta sanuar këtë gjendje dhe për ta mbajtur të kapur kupolën, sikur gjithmonë i është dashur pas-kohë LDK-së që ta blente paqen e brendshme partiake. Edhe Isa Mustafës kësaj radhe dhe atyre që janë në këtë ndërmarrje po u duhet kohë.

Në rrethanë numrash dhe tendencë PDK-iste për të mos mbetur jashtë zhvillimeve dhe për ta amortizuar atë që po shfaqë Bekim Jashari në Skenderaj, PDK shkëlqen valutë e sotme kohëblerëse e rikapësve së LDK-së. A do ta kreditoi Kadri Veseli këtë ndërmarrje, apo ndoshta do të guxoi të merret me pasojën e Bekim Jashari-Sami Lushtaku?

Në këtë funksion duhet parë ofertën e vazhdueshme për përfshirje të PDK-së në qeveri. Oferta e deritashme, u pa se ishte e pamjaftueshme dhe përtej heshtjes ajo po tregon se Kadri Veseli akoma nuk di nëse në të vërtetë është vonuar për ta zjgidhur ngërqin Skënderaj. PDK ka më shumë oreks se sa vetëm presidentin dhe dy ministri dhe ka më shumë nevojë se kaq. Ajo nuk mund t’ia fyej vetes inteligjencën duke pranuar diçka nën fuqinë e numrave, dhe aq më shumë kur kemi të bëjmë me përvojën tonë ku në raste të tilla qoftë edhe një deputet i vetëm ka prodhuar deri në katër ministri.

Askush nuk pret që PDK të shfaqet me tepër oreks dhe e çmendur, por edhe koha e artë që ajo po kalon me konsolidimin e radhëve nga të qenit opozitë ia dikton një kafshatë të denjë pushtetore, ndryshe mund të marë në thu në Skënderaj. Futja dosido në qeveri atë do ta bënte frikacake përballë LVV-së në sytë e publikut, dhe aq më shumë kur dimë se mund të ndodhë që kësaj radhe Drenica të rreshtohet krah Bekim Jasharit!

Ruajtja e bastionit të PDK-së, sot është në duart e Bekim Jasharit dhe për këtë Kari Veseli duhet ta gjej një zgjedhje. Zgjedhja do kohë dhe mundësi. Këto të dyja po ia afron LDK-ja Kadriut e gjendur në nevojën e kohëblerjes për veten e saj. PDK sot ka vetëm një hall Skënderajin dhe Bekim Jasharin, derisa LDK i ka humbur gjithë hujt e gardhit dhe nuk e ka të qartë kush po mbetet e kush po ikën nga partia.

Është në dorën e PDK-së dhe faktorëve tjerë politik sa do të rrjedh elektorati i LDK-së, i cili tashmë veç se i ka shtërguar rrypat e braktisjes. Se dikush po punon po aq fort sa edhe rikapja e kupollës së saj shihet edhe nga ato që po ia nxjerrin me të drejtë në pinion: zhurma Ujmani, rasti skandaloz i Historianëve Bajraktari- Rexhepi-Demaj por që theksi u vu te historiani deputet i LDK-së Demaj, rasti Haki Rugova dhe së fundi morali i baltosur Isa Mustafa i denoncuar nga studentët.

Asgjë nuk është e rastësishme dhe të dy anët po godasin hë për hë me duart e fshehura. Në mes qëndron elektorati i përdorur i LDK-së, të cilit i ka ardhur në majë të hundës.

PDK sikur edhe i gjithë spektri politik në vend duhet të kujdeset të mos e shtyjë në ribarrikadim elektoratin tashmë të lëvizur të LDK-së. Shpesh herë te ne ka ndodhur që elektoratet përkundër dëshirës së tyre janë shtyrë të veprojnë në praktikën, “për inat të sime vjehrre shkoj e fle me mulligjiun”.

Koha mbulon me harresë gjithça në shërbim të ndezjes së motorrëve të saj, të aktuales. Këtë mundësi po e kërkon LDK-ja për të dalur nga kjo gjendje ku është katandisur. Zhgënjimi i radhëve, që nuk është rastësorë, nuk do ta mbajë në pasharresë këtë nivel mospraneshmërie sado e rëndë të jetë sot gjendja.

Para se të kolapsojmë apetitesh të shfrenuara kandidatësh për presidentë të yshtur, koha është për zgjedhje!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …