1.“Quo vadis Domine?”
Javët po i kalojmë punë ditësh. Zhurma po bëhet jehonë dhe ne po mbetemi korijeve të saj. Erdhën e shkuan shumë europianë: misionarë e zyrtarë, të deleguar e të emëruar, të ardhur e të shkuar, për çka të gjithë përfunduam skutave, kush në kërkim të fatit të shpalljes a jo të akuzave nga Specialja, e kush në të qarit e fatit jetim të vendit për ta gjetur së fundi ngushëllimin në bojën e një letre lënë relikë nga koha Mogerini dikur dhe kundërshtinë e znj.Von Carmon ndaj Lajçakut së fundmi. Sa e thjeshtë?! Luhet me ne pa ne, sepse kemi klasë politike të haparetur e të harruar mjerimit me varkën e zhvatjes. Vetëm injoranca di të jetë kaq hyjnore në të mashtruarën e vetes.
Se Europa po shfaqet e brishtë, shohim nga sa vijnë e shkojnë vendime bashkë me të emëruarit e saj! Edhe sikur të na e njohin shtetësinë pesëshja mosnjohëse, ajo në praktikën e deritashme do varet nga pasuesit përfaqësues të saj, të cilët po sillen në praktikën e tyre historike të asaj plakës që nuk di t’i rri b… në një vend. Seriozitet se jo mahi!… ia lanë në dorë Ahtisarit dhe ca nga ta i hëngrën fjalët. Ia lanë në dorë kujt jo tjetër dhe dita ditës erdhi edhe Lajçaku. Ai deshi të shkoi përtej marrëveshjes aq larg, sa jo vetëm që i rrezikoi bisedimet e Kosovës me Serbinë, por edhe kujtoi se mund ta impononte qëndrimin sllovak të mosnjohjes së Kosovës me gojën e Brukselit.
Se Lajçaku do të shkonte larg, Kosova e kishte kuptuar që në krye të herës. Po… kjo nuk mjaftoi e as do të mjaftonte sikur mos të ndodhte Beogradi, ku ai në konferencën për media provoi t’ua ngrohte zemrat serbëve duke ua kumtuar kumtin mbi Kosovën dhe atë në gjuhën e tij të rrjedhshme serbe. Kumti nuk kishte si të shpallej më fatal në gjithë dimenzionin e një të shpallure, në formë e përmbajtje! Shqiptarët (sipas tij) duhet ta bëjnë AKS-në (zajednicën) ashtu sikur e kishin nënshkruar përtej mendimit të kushtetuesës sonë – deklaroi ai me tonin urdhërues prej një bizari, thuase mbamendja njerzore kishte shkalluar në atë masë sa gjenocidi serb të harrohej edhe nga ne, vet viktimat e tij. Ai la të kuptohej se AKS-ja do bëheshte me kopetenca egzekutive për çka ironizoi me nivel injoranti se kushtetuta nuk është Bibël! Kushtetutën e Kosovës ai nuk po e bënë hesap dhe shqiptarët nuk po i çmon të denjë për partner. Kështu edhe na la në parëndësi trajtese, meqë kumtin mbi ne zgjodhi t’ua kumtonte të gjithë serbëve nga Beogradi, ku edhe dha të vetmen konferencën për media, me çka dëshmoi edhe njëherë se për të Kosova është pjesë e Serbisë.
Ky trajtim prej partneri e respekti që ia serviri në emër të Brukselit Lajçaku, duke keqpërdorur pozicionin e tij prej përfaqësuesi edhe të 22 vendeve të BE-së që kanë njohur Kosovën, e ngazëlleu Vuçiqin dhe jo pak opinionin e tetakulave të Millosheviqit. Bashkë me fjalët e dëshirave të serbëve që ai zgjodhi t’u fliste në gjuhën e tyre, triumfatorëve serb nuk u shpëtoi poshtërimi i Kosovës qoftë për AKS-në, qoftë për mosdaljen në konferenca me ata që takoi në Prishtinë.. Pra, ai me sjelljen e tij tha – se Kosova nuk është shtet tamam sikur edhe nuk e njeh shteti i tij Sllovakia. Kjo sjellje prej halldupi e Lajçakut nuk mbeti pa u vënë re në Prishtinën politike e opinioniste edhe pse u bë se nuk u vërejt nga kupola e stërkequr politike këtu dhe në Bruksel. Edhe pse zhurma e bëri të veten dhe në fund e shtyri kryministrin Hoti të shfaqte plogështinë e tij përmes një deklarimi hibrid, i cili as u dëgjua mirë sikur doli pa shije dhe me zë të mekur, prap se prap Kosova përfunodi e trajtuar si territor që duhet të ulë veshët dhe të mos pretendoi më shumë identitet se një “pre” fatkeqe për ta bërë fajtorin në pritjen e shkrimit të fatit nga Lajçakët çakallë!
Linja sqaruese nga Brukseli për këtë gafë të Lajçakut më shumë sqaroj me mjegullën që përdori se sa me mospranimin dhe mos respektin që shfaqi për Kosovën. Tanët as gëk a mëk!
Kosova po zien për afatet e Gjykatës speciale të Hagës po aq sa edhe për ngërçin që po i serviret dialogut me Serbinë. Të jetë ky një mision rus i marrur nga z.Lajçak, apo një shërbim për vëllezërit e tij sllav, vështirë të dihet! Por se ai po merr formë si një “brukselizëm” nuk do shumë mend për tu kuptuar. Sado që të mundohet z.Lajçak për ta ndihmuar Serbinë, ai nuk do t’ia del nëse përfaqësuesit tonë nuk do të koketojnë me të e mta kundër Kosovës!
Serbia merr vesh vetëm kur i thuhet troç, qartë e pa ekuivok. Në mungesë të klasës sonë të përgjegjshme politike, për këtë u kujdes gjermanja Von Cramon, përmes mospajtimit të saj me Lajçakun për nevojën e ndrrimit të kushtetutës së Kosovës. Kjo pikë mbi “i” e zonjës Von Cramon i bënë gjërat e qarta edhe për rrugën që duhet të ndjek qeveria jonë.
Populli ynë, vërtetë mund të duket se ka një durim prej mushke, por ai ka dëshmuar se di të mos përtej-duroi. Kryeministri Hoti e hotët majtas e djathtas, uroj të kenë mësuar: sa mban ujë pilafi! Ndryshe ne do përballemi edhe kësaj here me faktin e kryer, sikur na e kanë servirur jo pak këtyre viteve të pasluftës e para saj gjithmonë.
Futja e Kosovës në Minishengen, është fusha ku arti i politikës do vihet në sprovë. Kosova nuk mund të hyj në një ndërmarrje të tillë rajonale thjeshtë si një territor i padefinuar, si shprehje gjeografike apo fusnotë përkohësie! Ne kemi nevojë para cilit do hap të kemi qartësinë e të të trajtuarit anëtarë.
Minishengeni bazuar në nevojat e rajonit për vet veshin e shurdhët të BE-së është lëvizje e zgjuar. Por, jo edhe për Kosovën, derisa ajo të mos ketë identitet shtetëror të përmbyllur e të njohur nga secili partner në hapësirën e tij. Ai, nuk duhet të jetë blerja e kohës për rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare, por vetë përmbyllja e një odiseada njohjeje nga Serbia e Bosnja si fillim dhe në vazhdim nga pesëshja europiane. Kosova me pozitën e saj, po aq sa edhe me qenësinë e saj pjesë e popullit shqiptar që popullon viset e veta (përjashto Bosnjën) në gjithë shtetet e rajonit, në vetëvete është edhe vet saga e kësaj nisme.
Që Minishengeni të bëhet vërtetë “e mirë rajonale”, sikur edhe duhet të jetë, e të mos përfundoi në një grumbull dëshirash të lëna rrugës, ka një kusht bazik: njohjen e Kosovës nga Serbia dhe Bosnja.
Pa këto njohje, Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e nismës! Kryeministri Hoti edhe mund ta shtyjë këtë axhendë, por ai duhet ta dijë se futja e Kosovës në Minishengen si territor jo vetëm se e dënon vendin me mosbërje, por edhe i shton apetitet e Serbisë për ta kthyer atë nën sqetullën e saj shtetërore. Një konflikt i tillë nën akullin e Minishengenit do përfundonte në normalitet aspirate serbe për bashkësinë ndërkombëtare dhe ne do përfundonim atje ku ishim, nën kthetrat e gjenocidit të ri serb mbi ne. Vetëm duke qenë shtet i bërë dhe me ulëse në Kombet e bashkuara apo duke iu bashkuar Shqipërisë, ne mund të rrisim kapacitetet tona mbrojtëse për të garantuar lirinë tone dhe të zhvillimit aq të domosdoshëm për vendin që kaq shumë po braktiset!
1.“Quo vadis Domine?” Ku po shkon o zot (nënkupto: për ku kështu Kosova jonë)?
2.“Venio iterum crucifidi.” Po shkoj të më vëjnë edhe njëherë në kryq (nënkupto: po shkoj të më konzervojnë për zhbërjen e mundësisë së parë).