Nuk është e re në skenën tonë paraqitja e sotme flakë për flakë e dhëmbë për dhëmbë e Kryetarit Thaqi dhe Kryeministrit Kurti. Kësi pingpongu politik janë rrënjët e një tradite të mbrapsht që është krijuar këto dy dekada te ne. Kështu, fundja janë sjellur të gjithë e kudo në politikën tonë sa herë ua ka kërkuar puna të tregojnë se janë këtu e dikushi. Dy atllar janë trajtuar nga populli ynë edhe për mullarin edhe për kularin. Nuk lidhen se nuk lidhen!
Paqja me heshtje që ka imponuar pritja e vendimit të gjykatës kushtetuese për dekretin e Kryetarit Thaqi, sikur nuk i ka lënë vend përplasjeve politike dhe as atyre institucionale. Ç’e do! Ne nuk jemi normaliteti që prodhojnë proceset, ndaj më shumë jemi deformimet që i fetishizojnë problemet. Çfardo prononcimi apo përplasjeje politike e natyrës që erdhi sot nga Kryetari Thaqi dhe Kryeministri Kurti kundërmon në llum e vetëm llum. Kjo tashmë neveritë secilin, qoftë edhe zhurmën pa fre, prodhuar këto kohë në shumësi nga turma për Vetvendosjen. Edhe ajo sikur ka ra në letargji pritjeje. Aty këtu dëgjohen kuitje trutharësh kinse besnik dhe të tjerëve, por dorën në zemër shumë më pak. Jo pse ajo klasë nuk ishte dikur po kaq e zhurmshme me injorancën e vet trushpërlarë, por se koha i ka bërë ta kuptojnë kotësinë e besimit për të prodhuar lehjen e gabuar.
Zbrastësia e veprimit institucional dhe jetës politike, e cila po karakterizon javët që po lëmë pas, i ka dhënë kuptim vetëm pritjes së vendimit të gjykatës kushtetuese. Asgjë tjetër nuk duket në horizont të jetë në fokus të qytetarëve. Këtë sikur duket nuk po e kuptojnë bartësit e institucioneve tona. Ata nuk po kutojnë mjerisht se tashmë gjithça është zbehur, sa as vizitat e përkujtimiet më nuk e kanë tingëllimën pompoze të para këtij viti. Mund të mendohet se kjo vie për shkak të pandemisë dhe gjendjes emergjente. Por jo! E vërteta është përtej kësaj!
Ne po ndryshojmë si shoqëri. Ka të ngjarë, që me braktisjen mashtruese të parimeve të themeleve organizative që bëri Vetvendosja, gjithçka të ndryshoj në mendësinë tonë të sjelljes politike në mardhënjet tona shoqërore. Sikur t’ia dilte ky vetëdijësim, them se kjo do bëheshte fitorja më e madhe që mund të na e dhuronte Vetvendosja si mashtrimi i fundit rreshtues!
Daljet e kryetarit në konferenca për të komunikuar me publikun zakonisht duhet të jenë adresime periudhash kohore, kujtim ngjarjesh që kanë vulosur fatet e vendit apo parlajmërime për çështje me peshë të veçantë në zhvillime për vendin. Asnjëra nga këto nuk doli të ishte në fjalën e tij sot. Ai, në adresimin e tij (ani pse disa nga konstatimet qëndrojnë), më shumë bëri oponencën e kryeministrit se sa që shprehu kryetarin e shtetit.
Sikur është në praktikën tonë, tashmë nuk vonoi Kryeministri (edhe ky me konstatime të sakta për shpërfaqjen e kundërshtarit politik nga Kryetari Thaqi), i cili e ka bërë zakon ta merr për dore nga një ministër dhe ta përdorë fushën e ministrit si trambolinë për ta shprehur veten e tij. Ministrave në raste të tilla u mbetet të shifrojnë të dhëna, të cilat më shumë nxjerren nga xhepat se sa nga mendjet. Është e çuditshme sa harmoni shprehin këto realcione xhep-gojë në vend që të ishte mendje e shprehur përmes gojës! Dhe kryeministri (flakë për flakë e dhëmbë për dhëmbë), sikur është në zakonin e tij bëri fjalë bashkë, derisa në fund e sfidoj kryetarin edhe me përballje elektorale. Goxha, goxha edhe kryeministri ynë!
Kaq prodhon kjo mendësi. Ky mulli këtë blojë ka!
Vërtetë këto kohë është shkelur kushtetuta dhe ka shterpësi funksionaliteti institucional, por opinioni ka qenë mirëkuptues dhe nuk i është hudhur në qafë kësaj shembjeje. Kjo shterpësi shkon deri atje, sa për të performuar një mashtrim optik kryeministri mundohet ta bëjë lajm takimin me ambasadorin e Shqipërisë për çka nuk ka fare nevojë, sepse mardhënjet e Kosovës me Shqipërinë janë brenda shtëpisë. Për ta stërmbushur skenën me akte krejt banale edhe ministri i jashtëm realizoi një vizitë në ministrinë e mbrojtjes. Pompoziteti i lajmit u kujdes të përmendte shumë emra që takoi ministri i jashtëm: kolegun ministër të mbrojtjes, zëvendësin e tij, komandantë e kë jo tjetër. Kaq të ethshme e ka bërë zbrastësia sot vetminë e pushtetit. Sikur është në natyrën e gjërave që braktisësi i parimeve të privohet nga zhvillimet, natyrshëm tashmë kjo po ndodhë para syve tanë me Vetvendosjen, andaj nuk është e çuditshme pse kemi dy taborre të padeklaruara, Albinizëm-Vetvendosje.
Albinizmi duket më me fat se sa Vetvendosja në përballjen e brendshme. Kjo i ngjason fabulës së Breshkanit kur e zuri lepurushën në një skutë të fshehur nga gjahtari që po priste me qiften e mbushur dhe fillloj e po ia bënte… Edhe Vetvendosjen e ka zënë breshkani albinizëm dhe do ia bëjë, por ama derisa në kodër të jetë gjahtari Thaqi.
Ky dimër i acartë institucional që ka zgjedhur kryeministri ynë, përkundër fatit që i ka sjellur po shtyhet padenjësisht nga kryetari Thaqi. Mardhënjet e tyre personale edhe mund ta durojnë e ushqejnë këtë pingpong përplasjesh, por kjo nuk duhej të ndodhte me ato institucionale. Ata është dashur ta kishin ruajtur komunikimin për ta munduësuar funksionalizimin normal të institucioneve që ata drejtojnë. Ata pra, mund t’i ndërtojnë sido që të duan mardhënjet e tyre private, derisa ato institucionale na i kishin borxh neve dhe duhej t’i ruanin brenda funksionalitetit!
Sikur që ishte për të qarë kur dëgjuam sot materjen e konferencës së kryetarit, ishte për të qarë edhe kur dëgjuam kryeministrin e vendit të fliste me pranueshmëri për daljen në shesh të rreth 500 vetave derisa shpallte vazhdimin e masave emergjente për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, etj. Kjo ndotje politike e cila tashmë është edhe institucionale po rëndon vetëm mbi të pambrojturit, mbi popullin e thjeshtë dhe vendin.
Sot të qenit anëtarë i partisë në pushtet të mbron prej masave që ka shpallur qeveria, qoftë për lëvizjen, karantinën apo ndonjë gjë krejt specifike. Edhe në të shkuarën 20 vjeçare, në shumësi përkatësia partiake dhe ajo e klasës është përkthyer në favore e mundësi. Por, kaq selektive sa e ka bërë sot Vetvendosja skenën tonë, nuk ka qenë ndonjëherë prej aparthejdit që pat aplikuar Serbia me ndarjen e komuniteve ku privilegjonte serbët.
Megjithë këtë selektivitet banal, nëpër kokë na përshkohet një pyetje jo pak kapitale ku shprehet edhe vetja jonë mospranuese: pse u dashka vallë ky diskurs, çfarë po e bënë kryetarin e shtetit të përfshihet në debate me bazë ngjyre politike dhe grindjeje?!!! Apo ndoshta po i kruhet…?
Diskursi i tillë i kryetarit Thaqi lë shumë pasoja në politikën e vendit, për çka ai nuk po tregohet as i përgjegjshëm as i kujdesshëm. Ai po e ushqen grindjen, po e eklipson egocentrizmin tekanjoz të kryeministrit, për çka z.Kurti nuk po pushon së imituari gladiatorin shpëtimtar në dyluftim me Neronin Thaqi që ia ka pjellur paranoja!
Kjo mardhënje e tyre e shprehur me zjarr grindavec mbi shpatullat e një urrejtjeje patologjike, të cilën tashmë ata nuk kanë ngurruar edhe ta shprehin në realitetin tonë politik, po e shtynë në deformim jetën institucionale. Mjafton të kujtojmë qoftë edhe vetëm një pasojë: sot, kur do duhej ta kishim një parlament funksional (e që nuk e kemi për shkak të asaj që gatoi partia në pushtet), i cili do ta miratonte një pako kredie për ta përballuar gjendjen ekonomike të cilën e ka dëmtuar pandemia, pikërisht ky pingpongu grindavec politik është bërë relikja e shëmtisë sonë. Dhe për më keq, kjo valëvitet si e vetmja dëshmi egzistence në skenë!
Kalkulimet nihiliste që kanë përfshirë mardhënjet pozitë-opozitë e kanë infektuar aq rëndë drejtimin e parlamentit sa sot ai mund të trajtohet edhe si dështimi ynë. Mund të ketë të tillë injorant sa të mendojnë se kur të vinë ata në pushtet do e bëjnë shpëtimin e madh duke e votuar kredinë apo masat tjera shtesë. Të tillëve do ua kujtoja se ne qytetarëve po na digjet shtëpia jonë ekonomike dhe nuk na çon fare peshë se cili nga ta është uji i turbullt apo i pastër që do na e shuaj zjarrin që ka rënë nga pandemia. Ata thjeshtë do duhej të bashkoheshin për ta proceduar vendimarrjen dhe jo të kalkulonin performancën e njëri tjetrit mbi fatkeqësinë tonë: cilët kemi përfaqësues!.
Kjo shëmti politike sikur edhe pingpongu real kërkon të paktën dy aktorë dhe skena jonë i ka pasur gjithmonë me bollëk!
Pyetja që merr përgjigje nga pingpongu politik Thaqi-Kurti nuk do shumë mend të kalkulohet!
A po e faktorizon kryetari Thaqi Partinë Demoratike të Kosovës duke e mbajtur të gjallë në eterin politik përplasjen me kryeministrin Kurti?