Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: PODUJEVA E BËNË NUL PUSHTETIN QENDROR   

Kosova po hyn me hap galopant në rrëmujë politike: për ta gjetur rrugën, për të dalur nga amullia e tashme, apo ndoshta për t’u futur në një spirale zgjedhjesh, që padyshim se një ditë do të çonin në standardin e pranueshmërisë së mandateve të dala nga vota zgjedhore si domosdoshmëri ekzistence më shumë se sa standard demokracie.

Populli thotë “zullumi këputet prej së trashi”. Ky zullum i trashur, duket se ka shkuar aq larg në të majmurit e tij, sa pikërisht kjo mund të jetë ora e fitores, duke përthyer të gjitha në udhëkryqin e të gjithave, ashtu sikur e shtyri të përulet para humbjes zonjën plakë të Llapit, LDK-në.

Kosova tash e sa kohë ka mbi kokë Dialogun e formatit “për masën e Serbisë”, denigrimin ndërkombëtare me dhomat e gjykatës speciale të ngritura në Hagë, burgosjen e bartësve të identifikimit të luftës për liri, ndërrimin e gjeneratës politike, apo thënë troç largimin nga politika të eksponentëve, që nga autoriteti i luftës kapën shtetin dhe asetet e tij përmes menaxhimit të drejtësisë nga penjtë e dorës së fshehtë ndërkombëtare dhe gangrenën zhvatje të aseteve të vendit përmes privatizimit dhe rrjedhjen e buxhetit në kanale kriminale të përfitimit përmes tenderomanisë.

Deveja – thonë, është rrëzuar nga një lëkurë lepuri!   

A ka ndryshuar Vetëvendosja nëpër mësimin që ia dhanë zhvillimet e fillim vitit që po e lëmë pas? është pyetja që sot e shtrojnë vendorë e ndërkombëtarë.

Vendorët dhe ndërkombëtarët dallojnë shumë në interesat e tyre, apo pritshmëritë që kanë nga pushteti i ri, i cili do të del nga zgjedhjet që po duken në horizont. Ato, zgjedhjet, do të ndodhin sot apo nesër, dhe sa do që të vonohen ato na ekspozojnë para mundësive që pushteti të ndërrohet përmes përmbysjes, gjë që do ta dëmtonte shumë imazhin tonë, por edhe që do prolongonte përmbylljen e statusit të Kosovës dhe proceset integruese brenda kombëtare të paktën për një dekadë, derisa integrimet e jashtme do përfundonin vullnet eksponentësh për kusuritje interesash vetanake të tyre.

Ngjashmëria e mëkateve të subjekteve politike në masë dhe formë dhe mbyllja e syve për radhët qeverisëse deri edhe në koketim veprimi, ka bërë që një e nga një të bien besimet dhe të pritet në heshtje rënja e përdhosësve të jetës dhe nderit të vendit.

Ka shumë arsye që sollën përmbysjen në Besianë (Podujevë): pafundësia e një pushteti të fodulizmit mospërfillës të Agim Veliut dhe LDK-së, të cilën ai ia kishte arritur ta mbante në terrenin e luftës kundër të kuqve të malit me darët e viktimizimit kinse argumentues përmes rastit personal të njëjtësuar me vrasjet politike, të cilat ia garantuan pushtetin këto dy dekada dhe po mos të paraqitej një forcë e tretë e re, sikur erdhi LVV-ja, pa hipotekën e të kaluarës, Agim Veliu dhe LDK-ja do mbeteshin në pushtet të përjetshëm edhe sikur t’ua shtronin zullumin deri në përzënje llapjanve. Llapi ka qenë në kërkim të një mundësie dhe ajo i erdhi me qershinë mbi tortë, “Zhgënjimi+LVV+Vjosë Osmani”. Llapjanët mundën kësaj radhe të bëhen edhe kundër kapjes së LDK-së edhe me LDK-në! Faktor i dytë është nisma e Vjosës edhe pse e pa shpallur akoma si subjekt, por mjaftueshëm si grumbullim jashtë LDK-së nga LDK-ja për të mbetur në hulinë e bastionit Llapjanë edhe me  Fatmir Sejdiun e mohuar nga Isa Mustafa dhe shpura e tij. Faktori i tretë që ndihmoi të përmbyset kaq keq anija e Isa Mustafës mbi shpatullat e Agim Veliut në masë të madhe është tundimi ndaj të resë dhe lufta e brezave, ku fëmijët dhe prindërit votojnë ndryshe, kundër njëri tjetrit brenda familjes biologjike duke i dhënë shtytje ndarjes politike.

Kjo fitore e brezit të ri kundrejt konservatizmit të të vjetërve do kaloi nëpër shumë zhgënjime derisa të ravijëzohet ndarja politike. Ajo i takon së ardhmes, por sot mjaftoi t’ia delte ta dënonte përjashtimin e sa e sa eksponentëve të LDK-së nga skena.

Kjo pashpirtësi e “klanit Mustafa” është tregues se brenda LDK-së ka shumë gjëra për t’u njohur nga opinioni ynë, gjëra me interes publik e rrezik shoqëror (ca nga të tilla mund të dalin tullumbace deri në dhomat e specializuara e që mund të jenë fryrë e lidhur grykën, stisur apo krijuar, brenda jetës sonë politike  a shoqërore.

Përmbysja në Podujevë delegjitimon pushtetin qendror dhe e bënë atë më jofunksional. Administrata e nivelit qendror, e mësuar me frikërat e pushteteve në ardhje, që nesër do filloi të identifikohet me koloritin e ri LVV-ës në ardhje, në funksion të ruajtjes së vendeve të punës, për çka, aty këtu do tregoi mosbindje apo bishtnim në kryerjen e punëve përmes prolongimit dhe zhagitjes. Kjo sjellje e masës së madhe të administratës, do ta nxjerr tërësisht jashtë binarëve vagonin qeverisje. Gjithçka, nga nesër do të jetë vetëm në detyrë.

Zgjedhjet e shpejta janë e vetmja rrugë e vetme e mbijetesës për partitë në degdisje sikur do kthehen brenda ditësh LDK, PDK, NISMA. Liderët e këtyre subjekteve kanë arsye të fortë të shqetësohen që sonte e tutje. Me fitoren e sotme, LVV-ja e ka prerë biletën edhe për hyrje të fuqishme në Drenicë dhe rajonin e Podgurit sikur njihet zona Pejë-Burim (Istog). Ditët e javët në vazhdim do të jenë piku i luftës për mbrojtje të anëtarësisë. Mbajtja e strukturave mund të arrihet vetëm përmes lëshimeve të shumta nga klanet kapëse tek LDK-ja dhe PDK-ja. Klanet në këto parti do të humbin teren të konsiderueshëm. AAK-ja, varësisht nga leximi dhe notimi në ujërat që po vinë rrëmbyeshëm, e ka në dorë t’i ruaj numrat ose të kthehet atje në kuotat e përjetshme të saj mes 6 e 7 përqindëshit. Edhe pse e vetmja parti të cilës nuk i rrezikohet struktura në këto zhvillime, ajo duhet të guxoi prapakthimin politik te popullzimi përballës, ose te rreshtimi pa ekuivok në krah të ndryshimit, për aq sa gjërat janë në dorën e partive për tu shtyrë.

Bashkimi i te gjithëve për të mos e lënë LVV-në të vijë në pushtet pa zgjedhje të reja, duket se mbetet opsioni vetëvrasës, apo çmendja ku do të lëngojnë paritë me diarre elektorale që mund të shpie deri te protestat, të cilat mund të bëhen edhe të dhunshme nëse pushteti nuk reflekton. Një përmbysje të pushtetit me protesta të dhunshme, mund t’ia donte vendit vetëm ndonjë i lënë mëndësh, që në shul shqip i thuhet i marrë. Zgjedhjet mund të prodhojnë pushtet të çfarëdoshëm por jo pa zgjedhjet e shpejta që po i imponon Vetëvendosja dhe këtë duhet ta ngulisin të gjithë në kokë sot.

Për marrjen e pushtetit qendror nga Vetëvendosja, sot vendosin qytetarët e Skënderajit, Drenasit, Pejës me Burimin dhe Ferizajit. Në këto qendra, klanet që degdisën partitë në këtë deregje, do provojnë të mbijetojnë përmes oligarkëve. Kjo mund ta tensionoi skenën tonë, sepse asnjëherë Oligarkia nuk ia ka dalur ta shtyp ndryshimin politik, të ardhur qoftë nga fryma e ndryshimit qoftë si kërkesë në rastin tonë, apo si vlerë e shtuar në emancipimin e shoqërisë, gjë që do ta donim më shumë se sa këtë që na e ka rezervuar fati si të parë e goxha të hidhur, e cila, nëse shefi i LVV-së nuk kupton se duhet të ndryshoi i pari ai, e tëra mund të përfundoj vetëm një kopje e keqe nëpër të cilën do mësojmë çfarë është edhe shpërthimi i pezmit mbledhur nëpër skutat e politikës e që mund të shfaqet me fytyrë pushteti e duar shteti.

Rreziku nga tendenca e oligarkisë për të mos u shqitur nga bashkë kapja e shtetit, me mbështetje forcave në ikje në zgjedhjet e ardhshme në tendencë mbetjeje vazhduese të tyre për të qeverisur, do të sillte rënien totale të shtetit në duart e klaneve tashmë funksionale politikë-oligarki ekonomike, të cilave nuk u dihen kufijtë ku përfundon njëra e ku fillon tjetra. Pra tashmë ato janë një binon familje e tipit kapje mafioze e të dy anëve të shkopit.

Jo pak herë në histori ka ndodhur që vdekja, apo thënë në zhargonin politik ‘mënjanimi nga skena’, t’i ketë ndërruar prurjet për ndryshimin. Kjo duhet ta nxisë kujdesin e shoqërisë për ta ruajtur fitoren e ndryshimit që po vjen si në planin e pushtetit edhe të strukturave partiake! Nëse kapacitetet e munguara të shoqërisë, bëjnë që LVV të detyrohet ta mbrojë fitoren që po i buzëqeshë në horizont, ne do bëhemi dëshmitarë të mbylljes së tërësishme brenda klaneve të tashme të partive të mëdha sikur janë PDK dhe LDK, të cilat determinojnë me madhësinë e tyre zhvillimet në vend edhe përtej një fitoreje plebishitare që mund ta korrë LVV-ja në zgjedhjet e ardhshme.

Tani kemi të bëjmë me rrezikun e dështimit të kujtdo që nuk ia del t’u prijë zhvillimeve, për faktin se zgjedhja e kryetarit të ri, do bëhet ngërçi gur prove për pushtetin e ri, i cili po nuk u parapriu zhvillimeve duke përçuar mesazhe afrie vështirë për të ndërtuar urat, të cilat me aq përkushtim populist, sa herë u gjend përballë kërkesave që shtronte koha.

Maturiteti i LVV-së, zgjedhjet e shpejta për pushtetin qendror dhe zgjedhja e kryetarit të ri do bëheshin rruga e gjetur e vendit për punët e mëdha që e presin.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …