Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: PRIVIMI ME ARROGANCË NUMRASH MALLKIMI QË NUK E DUAM

Debati ynë i brendshëm është tekanjoz dhe i mbushur me urrejtje. Ai nuk ia ka dalur asnjëherë të bëhet më shumë se vetëm akuzë dhe goditje. Kjo mjerisht është edhe vet baza politikbërëse e jona, meqë ne nuk ia kemi dalur të shëndrrohemi në shoqëri politikë-prodhuese. Këtë e tregoi edhe shpirtngushtësia e djeshme e arrogancës së numrave.

Patriotizma është e imja dhe unë e ndaj hisen kush është me mua e kush jo. Kështu u shpreh dje arroganca e numrave.

Asnjëherë në historinë tonë të re Kosova nuk ka qenë më e brishtë në pushtetbërjen e saj. Kosova ka një potencial të mirë për politkbërje. Ajo ka një përvojë, edhe pse të re, plotësisht të mjaftueshme për të mos bërë gabime të mëdha.

Edhe pse ne po kalojmë nëpër dy procese të njëkohshme: bisedimet me Serbinë dhe goditjen nga Gjykata Speciale, prap se prap kapacitetet ton janë të plota nëse koordinohemi ashtu sikur e kërkon koha.

Aprovimi i rezolutës për mbrojtjen e vlerave çlirimtare që ndodhi dje në parlamentin tonë duke e privuar LVV-në nga mundësia për të harmonizuar edhe ajo qëndrimin e vet brenda asaj rezolute është një ogur jo i mirë. Papërgjegjshmëria arrogancë e numrave nuk na ndihmon. Duhet ta mbajmë vëth në vesh, që një zgjidhje përfundimtare me Serbinë në rastin e mirë do kërkonte gjithë votat shqiptare, apo të paktën pjesën dërmuese të tyre.

Të gjithë e dimë, se: sikur edhe partitë tjera, edhe LVV në zakonin e saj është përfituese e secilës mundësi për të krijuar imazh elektoral. Por, kjo nuk duhet të bëhet obsesion i partive tjera dhe jo veçanarishte  PDK-së, e cila mbi supet e veta ka bartur goxha procese. Destruktiviteti i LVV-së, të cilin e shfaqi një deputet i saj në seancë me tendenciozitetetin prej mjerani, që në rezolutë të përfshihej kërkim falja për votimin e gjykatës speciale më 2015 do të çonte po atje ku parlamenti përfundoi me injorimin që i bëri LVV-së, andaj propozuesja nuk kishte pse mos t’i ipte mundësi një bashkimi për këtë rezolutë.

Politika e jashtme, veçanarisht në këto kohë kur Kosova është në një brishtësi të tillë sikur thamë më lartë, nuk do duhej të nëpërkëmbej kaq lëndueshëm!

Kosova sot e ka presidentin nën akuzë gjysëm të shpallur por tërësisht të nënkuptuar. Kjo gjendje nuk është krejt e thjeshtë kur dimë se presidenti Thaqi ishte në fakt vet identifikimi marrëveshës i Kosovës për bashkësinë  ndërkombëtare dhe realisht petku  më komplet i politikbërjes brenda vendit kur kemi të bëjmë me politikat identitare dhe ndikimi i tyre në shoqëri. Askush sikur ai, nuk ia ka dalur deri sot ta shtrijë ndikimin e vet në gjitha institucionet e vendit nga kudo që të ketë qenë pozitë, opozitë apo në presidencë.

Gjetja e një presidenti pasues, sikur duket është bërë e vështirë edhe përkundër asaj që nëntavolinat e përpjekjeve mund të kenë kalkuluar shumë emra. Sublimimi i presidentit Thaqi te PDK-ja, ish kryeministrit Haradinaj te AAK-ja, dhe drejtuesve tjerë si kapje rreshtimesh të tyre politike e ka bërë të pamundur mbijetesen e ndonjë autoriteti me vlerat njerëzore dhe atdhetare të tipizimit që reflekton Jakup Krasniqi si virtyte në mbamendjen e skenës sonë, por që nuk u mjafton si figurë për faktin e mëtimit taktizues të secilit nga kalkulatorët e quajtur shefa.

Shkuarja e Vjosa Osmanit në presidencë me këtë fragjilitet të politikës sonë mund të përkthehet edhe si filli i një pauzimi të dialogut. Sjellja e saj prej urrejtësje në drejtimin e parlamentit na thotë se ajo nuk është njeriu i duhur. Për të mos pritur zarfin e radhës prej ku një Atifete do nxirrte kokën është mirë të realksohet politika dhe të gjindet një konsenzus për emrin e presidentit pasues.

Tashmë përmaja e Kosovës e ka emrin Listë Serbe. Ajo po e sfidon shtetin e Kosovës për t’i dhënë një atu Vuçiçit në bisedimet që po rihapen. Sfida e saj është kontrolli i territorit. Këtë figurë serbe të këtij kontrolli shtetëror të Serbisë mbi Veriun në veçanti, por edhe menaxhimin e dhjetë komunave të cilat po quhen serbe si tërësi, Vuçiqi po e nxitë për ta përdorur në bisedime si arsye përmes së cilës ai pretendon ta shtyjë ndarjen e Kosovës me marrjen e Veriut.

Pushteti në Prishtinë nuk po është koshient për këtë apo ndoshta po kalkulon në frikë më shumë nga sa mban rreziku serb. Rivënja e autoritetit atje do të ishte mirë të bëhej një orë e më parë. LVV që qe braktisur nga LDK-ja sa ishte në pushtet nuk reagoi dhe kjo tashmë po paraqet problem dhe lehtë mund të agravoi në rrezik zhvillimesh.

Qeveria Hoti po duket se nuk është qeveri për të qenë, ajo më shumë po sillet si një trambolinë tejkalimi të asaj që është gatuar tash e dy dekada. Ky mision i pamundshëm i është vjerrur në qafë LDK dhe ai dita ditës do ta ngulfasë atë.

Mungesa e një debati të brendshëm për temat e mëdha ku do të alarmoheshin rreziqet dhe do afirmoheshin shtigjet po e bënë Kosovën edhe më jofunksionale. Kjo sjellje prej moskokëqarësi nuk është nga fodullëku i ndonjë zyrtari por nga mungesa e kapaciteteve drejtueese të kryeministrit Hoti. Të njëjtën qasje kishte edhe qeveria Kurti.

Nëse kemi dy gjëra mbi kokë, sikur dhe i kemi Gjykatën speciale dhe Dialogun, është koha ta lexojmë me realizëm brishtësinë tonë karshi këtyre proceseve. Miratimi i rezolutës së djeshme ishte një rast i mirë për ta tejkaluar secili të keqen e vetes së tij. Kjo nuk ndodhi mjerisht, dhe ne për këtë nuk mund të mbetemi peng i vetëm së djeshmës. Amendamentimi i ligjit për gjykatën speciale mund të jetë një moment i ri i radhës. Ligji për gjykatën speciale është mirë të amandamentohet me çka gjykatës do t’i jipeshin kopetenca shtesë. Bërja e gjykatës speciale me referat pune dhe ingerenca mbi krimet e si tërësi pa dallim etnie është detyrë e kësaj legjislature dhe e kësaj kohe. Ndryshe ne do detyrohemi heret a vonë ta formojmë një gjykatë e cila do t’i trajtoj të gjitha verpimet e gjenocidit serb mbi shqiptarët.

Vetvendosja mund ta shtyjë këtë amandamentim duke kërkuar seancë të jashtëzakonshëm dhe një sfide të tillë nuk ka se si mos t’i përgjigjet faktori shqiptar dhe pakicat josebe.

Kudo që ta gjejnë mirëkuptimin forcat tona parlamentare ajo do jetë pikënisja e zgjedhjes së presidentit pasues dhe garanca arritjes së një marrëveshjeje të mirë për vendin.

Gjithmonë kur Serbia na ka goditur ne kemi ditur të bashkohemi dhe nuk ka pse të mos ndodhë edhe sot po e njëjta gjë. Serbia sot po i gëzohet fragjilitetit tonë, goditjeve të gjykatës speciale dhe sjelljes sfiduese për shtetin tonë të Rakiqit. Çfarë u dashka ne të bëjmë në një rrethanë të tillë përveç se të bashkohemi dhe të pengojmë krijimin e një fryme të re të cilën mund ta pranojnë kancelaritë europiane.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …