Qasja e ngurtë, tekanjoze, apo hileqare ndaj një çështjeje, procesi a mendësie, jo pak herë në histori ka treguar se ajo vet është bërë çështje më vete, porces e mendësi, të cilat bashkë apo ndaraz kanë përfunduar në doktrinë më shumë se sa kanë mbetur platformë në mundësi rishikimi, të paktën në momentet e liga ku mund të përfundonin shoqëritë, sikur kjo e jona sot në turbulencat që po ia shkakton BE-ja përmes Lajçakut, pas një dyzine gabimesh të bëra nga të gjithë që na përfaqësuan e më së shumti nga vet kryeari i sotëm dhe shefi i partisë së kryeministrit Hoti z.Mustafa. Këtë ngurtësim, që e rastisim kudo nëpër histori dhe nëpër gjeografinë e shoqërive të ndryshme, e kanë paguar po vet shoqëritë që ia hapën derën me përkrahje apo mos bërje të asgjëje kundër të keqes që po pllakoste. Në dijeni të zhvilllimeve të tilla, apo në pandjeshmëri shoqërore për të keqen që thuret, vie momenti kur kambanat pushojnë së rëni dhe shoqëria gjindet si përfundim jo vetëm në kënetën e mbllaqitur nga qajse të gabuara por edhe në labirinthin e saj, fatalitetin e vet.
Në kohën e re skenarët e së shkuarës nuk bëjnë shumë hajr. Këtë mësim të historisë, sikur duket nuk e ka mësuar kryetari Thaqi, i cili për ironi të fatit është historian në vokacionin e tij profesional! Apo ndoshta, sikur gjithmonë që ai ia ka dalur ta bëjë zhurmën mjegull për zhvillimet, edhe kësaj radhe po mundohet ta davarisë këtë velon gri, e cila i ka mbuluar pritshmëritë tona me tisin e akullt Lajçak.
Të paktën janë disa çështje shumë jetike nëpër të cilat po kalon Kosova dhe disa procese me të cilat po përballemi si shoqëri. Procesi i ndërtimit të një shoqërie në terma reale shtetësie për ta përballuar gjeopolitikën rajonale, nevoja për të mbetur korpus i homogjenitetit etnik i cili favorizon hapsirë ekonomike homogjene dhe pranueshmërinë e harmonizimit të interesave edhe përtej konditave që shtron ekonomia e tregut apo kanalet përthithëse të gjeopoilitikës së madhe, mbijetesa e përbërësve biologjik (në gjithë shtrirjen shtresimeve shoqërore) pa të cilët jo vetëm zhvillimi dhe ecja me hapin e rajonit, por as vet egzistenca e shtetësisë apo zgjatimi i korpusit etnik nuk janë të mundur, meqë do kalonin nëpër një stërkeqje, të cilën për fat të keq na e shëmbëllejnë shumë fshatra të zbrazura e qyteza mbetur në pak numra nga braktisja. Ne nuk jemi shoqëri e zhvilluar që të përballojmë me teknologji rrallimin biologjik të hapsirave të mëdha që po na ndodhë, por as edhe ekonomi e kamur që të përballojmë sfidat e perspektivës apo të sigurisë.
Derisa të gjitha këto po ndodhin, presidenti Thaqi ka zgjedhur fjalorin që nuk i shkon institucionit të cilin ai përfaqëson në raport me opozitën e madhe sikur do ta quanim LVV-në dhe drejtuesin e saj. Z.Thaqi në jetën e tij publike, si askush tjetër në vendin tonë, ka drejtuar gjithë mekanizmat e dhunës që i janë impononuar shtetit që nga lindja e tij, mjete për ta mbrojtur kontratën shoqërore të normuar në rregulla e ligje. Ai pati edhe autoritetin e peshës morale në parashtetin tonë, luftën çlirimtare. Përfaqësimi i luftës nuk është një dekor dukjeje, por një përgjegjësi mbarëvajtjeje dhe drejtimi.
Nëse z.Kurti paska qenë një këndues skutave serbe, sikur thotë kryetari Thaqi, pse është lejuar të ishte eksponent i luftës pikërisht në zyrën e Adem Demaçit, pse ai nuk është dekonspiruar gjatë luftës, atëherë kur rreziku ishte më i madh se çmimi i jetës së secilit? Nëse kjo e kaluar këndimi e z.Kurti është mësuar pas lufte, pse nuk është proceduar para drejtësisë? Janë shumë pyetje hipotetike që shtron përtej zelli i presidentit Thaqi sot në paskohën e rrëfejzave alla autoritarësh, kur edhe Ligjin edhe Mlaiqin e kishin në duar akuzuesit. Sot z.Thaqi nuk i ka këto mjete dhe nuk vepron dot, meqë i mungon hapësira e vënjës së atukracisë si autoritet të pranuar në shoqëri apo kapja e shoqërisë alla Putin.
Pse e bënë atëherë ai? Me të drejtë pyetemi të gjithë!
Ato që thotë z.Thaqi, po të ishin apo të jenë të vërteta, na shtrojnë para dilemës: ç’e shtyri z.Thaqi të mos e proçedonte “kënduesin Kurti”? Cilat ishin pritshmëritë e z.Thaqi, nëse nuk ishte kapja e “kënduesit Kurti” në çarkun e marimangës së tij (atje ku përfunduan me hir a pahir gjithë të tjerët)?! Pra në gjithë këtë nuk kemi më shumë se thjeshtë hile e pak apo fare sukses. Dikush duhet t’ia thotë kryetarit se diskurseve të tilla u ka dalë boja!
Krahas një retorike të përzier, ndryshe nga njëzet vitet që ai kryepriu politikat e vendit, kësaj radhe ka zgjedhur t’i thotë gjërat për dialogun apo për shoqërinë sikur të ishte në fund të rrugës së tij jetësore. Pleqt, në postaqiat e odave, kur u bëhej vonë mosha dhe këtë ua thonte ora e trupit linin ca fjalë, të cilat paskoha e tyre i shtjellonte si qelësa porositës. Përshpërima pastaj rendte nëpër vite: na e thoshte plaku po ne nuk e merrnim vesh. Po po na thoshte… Po kryetari ynë për ku po rend?
Obsesioni që z.Thaqi po e shpreh kaq hapur për liderin e opozitës së madhe, është faji i radhës që ai po ia bënë vendit. Disa mund të thonë se ai po e shpëton vendin duke ia pamundësuar kohezionin e brendshëm politik për temat që po e shtyjnë vendin me shpatulla për muri, për çka në këto kohë trysnia minimizohet ose paqenësohet duke mos patur mundësi vendimarrjeje nga faktori ynë për shkak të fragjilitetit të skenës politike dhe pamundësisë në horizont që ta ndikoi trysnia ndërkombëtare rreshtimin e saj me çka do bëhej cak shigjetimi.
Për njohësit e z.Thaqi ky konspiracion është i paqenë. Ai ka të paktën dy dekada që sillet njësoj dhe ka notuar në të gjitha ujërat. Kosova, sot është vënë më shumë para dilemave se sa para zgjidhjeve. Ka gjëra që janë bërë keq në të shkuarën dhe tani ka ardhur koha e të vërtetës së tyre. Diskursi që e mban të mbërthyer deri në grykë në armiqësi politikën tonë është faj të cilin do ta paguajmë të gjithë së bashku. Shteti ynë sot duhe të guxoi të merr vendime të forta. Vendimet e tilla hapin shtigjet e së ardhmës, nëpër të cilat me hir apo me pahir do duhet t’i ecim. Heshtja që po mbretëron në popullin tonë është miratim se politika duhet të marrë vendime.
Politika në të shkuarën ka operuar gabueshëm. Ajo, në gjithë këto kohë, me vendimet që ka marrur, ka mbajtur në mjegull e paqartësi gjithë opinionin, deri sa në paskohët e rëna qetësisë e harresës kanë plasur të vërtetën me gjithë përmasën e saj zhgënjyese, ku kanë bërë kinse fatkeqin se nuk ndryshokan më gjërat, meqë zotimi i marrur në të kaluarën e imponuar si zgjedhje na qenka detyrim me peshë përgjegjësie që imponon të qenit marrëveshje ndërkombëtare, etj.
Shtyrja e LVV-së në llogoret e armiqësisë së papajtuar, lë shijen e një ndërmarrjeje të prodhuar nga një strategji dalur një platforme për t’i shërbyer doktrinës si mjet më vete të aspiratës së kryetarit Thaqi!
A kemi ne komoditet të sillemi kështu në kohë kaq të turbullta kryetar Thaqi? Me sjellje të tillë do prodhojmë barrikadim elektoral dhe prodhim militant mbi pozicionime të forta me vija të trasha e të thella ndarëse.
Furia e tipit: hajde të prodhojmë armiq me Pacollin dhe Batonin nën sqetull, i bënë ata që shigjetohen të shkëlqejnë pranueshmëri të madhe qytetare, ku e ku edhe deri në adhurim. Këpurdha të tilla, të cilat shtyhen të bulojnë me hovin egocentrik janë ushqim fatkeq që po na servohet në sofrën kënetë, për të paktën edhe një dekadë të tërë.