Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: Super-patriotizmi si punë dreqi

Gjithë këto kohë kam dashur të besoj se z. Zijadin Sela në botën politike shqiptare në Maqedoni ishte një ardhje e mirë! Pse jo, edhe një ardhje për të dhënë shembullin se ne para së gjithash jemi njerëz. Nëse ne nuk e ndryshojmë dot fatin e hapësirës ku jemi, mund ta ndryshojmë rrjedhën e historisë për mirë! Historia sikur e dimë të gjithë nuk ka qenë aq buajre për asecilin nga ne popujt e kësaj hapësire e veçanarisht ka qenë shumë e rëndë për ne shqiptarët. Kjo nuk hedhet lehtë prapa krahëve! Por…, mjafton të kemi mësuar të gjithë se si të sillemi. Rrjedha e atyre që ndodhën në dekadat e lëna prapa na mëson të krijojmë lirinë për të gjithë, ndryshe realiteti i ndërthurshëm popujsh të ndryshëm në vend që të përkthehet në vlerë, rrezikon të ribëhet sherr dhe sherret mes popujve nuk janë gjë tjetër veçse pellgje kujdestare gjaku. Sapo kemi dalur së notuari nga to. Por, ato janë akoma aty dhe po provojnë të na ripërpijnë në mugëtirën e tyre!

Zoti Sela është njëri nga viktimat e kësi lloj sherreve. Urrejtja që errësoi sytë e VMRO-istëve rrezikoi Maqedoninë ta fuste në luftë civile, e cila që në fillet e saj domosdo do ndërronte rrjedhë dhe do merrte karakter ndëretnik. Megjithatë, e keqja u mund në saje të vetëdijes që kishte mbledhur Zaev dhe LSDM-ja, sigurisht e këshilluar dhe ndihmuar nga Bashkësia ndërkombëtare, e cila që nga lufta e 2001-shit është në unison të plotë me liderin e Shqiptarëve atje z Ahmeti, pa të cilin rajoni do të ishte më i zymtë.

Ali Ahmetit historia ia ka caktuar detyrën e vështirë, qoftë para shqiptarëve qoftë para rajonit. Do duhen studime të veçanta për ta shtjelluar personin, rolin dhe detyrën e tij. Patriot e zuzar, bashkë-etni e ndërkombëtarë, miq e armiq, ka dekada që përthehen në duart e këtij njeriu dhe paqja ka po aq kohë që rri me këmbët e forta në këto hapësira. Nëse Çmimi Saharov do të udhëtoj sërish në rajon, ai do duhej të bëhej aureola ndriquese e këtij burri.

Maqedonia po jeton mesveten e saj nëpër drithma. Në vend që ta rrezikonin shqiptarët qenësinë e saj për pabarazinë akoma të madhe, çuditërisht atë po e rrezikon shovenizmi maqedonas! Praktika shoveniste maqedonase ka marrë fytyrë serbe dhe frymë ruse, me çka po tneton të mbajë pezull rajonin për vatër gjeopolitike.

Maqedonasit po provojnë të dalin nga kjo përmes frymës Zaeviste. Është e vështirë të themi sot se do ia arrijnë, meqë shovenizimi është opium që di të infektoj deri në shkatërrim.

Proceset e filluara për mbarë nga përmbysja e Gruevistëve deri tani mbaheshin të varura nga laku në fyt që ua mbajti Presidenti i vendit Ivanov, i cili u bë streha e horrave dhe siguresa institucionale edhe pse jo e vetme shovene maqedonase. Këtë front sot është koha për ta thyer me pengimin e zgjedhjes së kandidatit të VMRO-së për presidente të vendit.

Dëshira do na e donte që edhe kryetarin e shteti maqedon ta kishim shqiptar, por sot votat shqiptare nuk sigurojnë një mundësi të tillë dhe ne duhet të jemi koshient për këtë! Në rrethanë të tillë e raport votash, a nuk ishim ne që u gëzuam kur z. Talat Xhaferi u votua për kryetar parlamenti edhe pse vetëm me votat shqiptare nuk do bëhej kurrë! Parlameti maqedonas sot flet edhe shqip.

Atëherë kujt i shërbekan krrakatjet kinse patriotike “Arnautët do të votojnë për kandidatin maqedonas, ndërsa shqiptarët e vërtetë do të votojnë shqiptarin Blerim Reka”?

Nuk dua të konstatoj se vetëm një horr do të donte të përfitonte për shkëlqimin personal në dëm të një procesi të tërë për të tejkaluar këto sëmundje shovene që kanë vënë rrënjë me Ivanovin në presidencen maqedonase. Them nuk dua të konstatoj, sepse zotit Sela i takon të kuptoj të paktën kaq; se vota e munguar shqiptare në taborrin e kundërt me kandidatin e VMRO-së është pikërisht fitorja e shovenizmit maqedonas sot VMRO-së. Me presidencën në dorë të VMRO-së. Praktika e Ivanovit në Presidencë do jetë një pikë uji në oqeanin shoven që VMRO do të sjellë në rast të rimarrjes së saj nga kandidatja e tyre.

Ky “patriotizëm” i ngërthyer në këtë thënje të zotit Sela, më lë shije interferimi. Populli ynë ka një përvojë në këso lloj patriotizmash. Dikur Serbia përdorte klerin në përqimin e politikave të veta: psh na kujtohet thirrja e klerit popullsisë sonë nëpër xhamia e kisha të mos dërgoheshin fëmijët në shkolla se bëheshin shkije.

Po sot kjo thirrje kujt i shërben, kur dimë se vota shqiptare nuk mjafton për t’u votuar kryetari i shtetit në Maqedoni? Vota e munguar shqiptare për kandidatin e LSDM-së për njohësit e rrethanave e bënë presidente kandidaten e VMRO-së! Kujt i shërbeka pra? Ç’është kjo thirrje? Ç’është ky mashtrim mbështjellur me flamurin e patriotizmës shqiptare.

Zijadin Sela nuk duhet të lejoj të mbetet horr i këtij zhvillimi, qoftë edhe për pak dritë në fund të tunelit për të betonuar aureolën patriotike në shërbim të një vote të shtuar për edicionet e radhës elektorale.

Krrakatjet e patriotëve të vonuar me bateri të skaduara bëjnë mirë të kuptojnë se përtej fantazisë jeton tereni i ashpër e real ballkanik. Ajo është toka dhe koha ku jetojnë shqiptarët dhe jo deliri i fatazive histerike!

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Qeverisja ekonomike në shifra

Një përshkrim i asaj çfarë ka  në ekonomi brenda këtyre katër viteve : Po fillojmë …