Blerim Sleman Lokaj (14.12.1975 – 14.6.1998)

Blerim Selman Lokaj (14.12.1975 – 14.6.1998)

Dëshmori i kombit Blerim Lokaj, u lind më 14 dhjetor të vitit 1975, në fshatin Prejlep të Deçanit, në një familje të njohur për bujari e tradita atdhetare. Prindërit e tij, Selman Lokaj dhe Mane Mahmutaj-Lokaj, i lindën dhe i rritën pesë fëmijë, tre djem e dy vajza: Gazmendin, Blerimin, Besartin, Hysën dhe Vlorën. Prej këtyre pesë fëmijëve, të cilët i rritën dhe i edukuan në frymë të shëndoshë kombëtare, dy djemtë e mëdhenj, Gazmendin e Blerimin, ia falën lirisë.
Blerimi shkollën fillore e kreu në vendlindje, në shkollën “Sylejman Vokshi”, të mesmen në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ndërkaq studimet e larta i vazhdoi në Fakultetin e Edukatës Fizike në Universitetin e Prishtinës, ku ishte student i dalluar. Me të filluar lufta, sikurse edhe i vëllai, Gazmendi, ndërpreu studimet dhe u kthye në vendlindje për t’ju bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përveç pjesëmarrjes së vazhdueshme në protestat dhe demonstratat që organizoheshin kundër pushtuesit serb, qoftë në Prishtinë, qoftë në Deçan, që në ditët e para të luftës, Blerimi me të vëllain iu përgjigj kushtrimit të luftës për liri, duke patur fatin e shenjtë që bashkë të luftojnë e të bien dëshmorë për liri, bashkë të hyjnë në përjetësinë e kombit.
Fillimisht të dy vëllezërit u mobilizuan në kuadër të Shtabit Lokal të UÇK-së në fshatin Prejlep, ku kryen një varg aktivitetesh ushtarake qoftë në vijat e frontit, qoftë në furnizim me armë. Blerimi dhe Gazmendi ishin pjesëmarrës edhe në operacionin për furnizim me armë, kur në të kthyer nga Shqipëria, më 27 prill 1998, 69 luftëtarët prejlepas ranë në pritën e forcave serbe në Syrgyn të Vokshit, ku luftuan heroikisht. Aty ranë tre dëshmorë të kombit, Sadri Latifaj, Edmond Dabiçaj e Haxhë Tolaj, u zunë rob katër çlirimtarë të tjerë, por edhe u plagosen disa luftëtarë lirie, në mesin e të cilëve edhe i vëllai i Blerimit, Gazmendi.
Blerim Lokaj, i njohur me emrin e luftës “Toni”, që nga dita e parë e themelimit të Njësitit Special për Ndërhyrje të Shpejta “Shqiponjat e Zeza”, të Zonës Operative të Dukagjinit, vullnetarisht u sistemua në radhët e këtij njësiti. Blerimi i plotësonte të gjitha kushtet për të qenë pjesëtar i saj. Edhe në stërvitjet taktike, teknike dhe në kalitjen fizike doli shkëlqyeshëm.
Njësiti “Shqiponjat e Zeza” e Zonës Operative të Dukagjinit, që nga themelimi i saj, më 14 maj 1998, nën drejtimin e komandantit dhe luftëtarit të shquar të UÇK-së, Idriz Balaj – “Togeri”, ishte njëri ndër njësitet më të përgatitura për luftë, i shquar për stërvitjet ushtarake dhe përgatitjen fizike të pjesëtarëve të saj, gjë që e tregoi me luftën heroike e të suksesshme në frontet më të rrezikshme të luftës. Luftëtarët e këtij njësiti, pa përjashtim, ishin gjithmonë aty ku e kërkonte nevoja, aty ku vijat e frontit ishin më të rrezikshmet dhe ku betejat ishin më të rreptat.
Blerimi gjithnjë ishte i gatshëm për aksionet më të vështira dhe më të rrezikshme. Mori pjesë në luftimet për çlirimin e vendlindjes së tij, Prejlepit në muajin maj 1998, në betejën e Rastavicës dhe në ruajtjen e vijave të frontit në pjesë të tjera të Dukagjinit. Mori pjesë në vijat e para të frontit edhe në Carrabreg, Lloçan, Junik, Voksh, Sllup, Pobergjë, Drenoc, Gramaçel, Baballoç, etj., duke i dalë në ndihmë me tërë forcën edhe popullatës civile.
Blerimi ishte i përgatitur fizikisht e psiqikisht për t’i bërë ballë pushtuesit serbë. Shquhej për virtytet më të larta njerëzore, sinqeritetin, zgjuarsinë, vetëmohimin, dashurinë ndaj atdheut, krenarinë, moralin dhe ndërgjegjen e lartë kombëtare. Sa ishte i afërt e i sjellshëm me familjen, shokët e bashkëluftëtarët po aq ishte i rreptë dhe i pakompromis në luftë kundër armikut. Besonte fuqishëm në fitoren e lirisë, pavarësisht çmimit që duhej paguar.
Në fund të muajit maj dhe në fillim të qershorit armiku kishte marrë një ofensivë të ashpër për nënshtrimin e brezit kufitar. Në qershor të vitit 1998, pas sulmit të organizuar të forcave ushtarako-policore serbe në regjionin e Vokshit, ku ishin përqendruar forca të shumta serbe, përfshirë edhe njësitet paraushtarake të Arkanit, “Shqiponjat e Zeza” u caktuan për të vepruar në atë rajon, ku në vazhdimësi u zhvilluan luftime të përgjakshme. Forcat e UÇK-së i ndalën hordhitë serbe në të hyrë të fshatit Voksh dhe ndërkohë çliruan Junikun. Blerimi me bashkëluftëtarët kreu me sukses një varg aksionesh në prapavijë të armikut.
Rënia heroike e të vëllait, Gazmendit, në luftimet e zhvilluara në vendlindjen e tij, në Prejlep, më 5 qershor 1998, kur pozicionet e UÇK-së u bombarduan edhe nga avionët luftarakë serbë, nuk e gjunjëzoi por i dha forcë edhe më të madhe që tashmë të luftojë për vete dhe për të vëllain.
Njësiti i tij mori për detyrë të vepronte në territorin përtej rrugës së asfaltuar. Fillimisht Blerimi u vendos në Voksh, prej nga për vëzhgim dhe detyra luftarake, bashkë me shokët e njësisë shkonin në Pobergjë e Hulaj, të cilat kontrolloheshin nga forcat serbe. Blerimi me bashkëluftëtarët e tij nga njësia speciale në ndërkohë morën detyrë që të vepronin në Drenocin e djegur dhe të braktisur nga popullsia. Blerimi mori pjesë në pastrimin e terrenit nga forcat serbe që ishin pozicionuar në këtë fshat. Skuadrat që vepronin në Drenoc ishin bërë pengesë e madhe për armikun, i cili ndërmori sulm të rrufeshëm me trupa të shumtë këmbësorie kundër luftëtarëve të lirisë.
Ditën e 14 qershorit 1998, në Drenoc u zhvilluan luftime të përgjakshme, madje edhe në afërsi. Blerimi me bashkëluftëtarët e tij luftoi heroikisht për orë të tëra. Forcat serbe kishin vënë në përdorim artilerinë e rëndë dhe helikopterët. Atë ditë në Drenoc, luftëtarët e UÇK-së, veç tjerash, e shpartalluan tërësisht një njësit të paraushtarakëve të Arkanit.
Luftëtarët e Njësisë Speciale Blerim Lokaj dhe Armend Kukleci shtinin pa ndalur prandaj armiku e përqendroi zjarrin në pikat ku shtinin ata. Bilanci i luftës ishte i përgjakshëm. Humbjet e armikut ishin të mëdha. Afër xhamisë së fshatit Drenoc ndanë rrugës Drenoc-Sllup, në vijën e parë të frontit ra dëshmor Armend Kukleci. Më pas ra edhe Blerim Lokaj, në përpjekje për të depërtuar te pozicionet ku kishte rënë Armendi derisa po qëllonte me granatahedhësin 150-tësh).
Angazhimi në luftë, sistemimi në njësinë elite dhe rënia heroike e Blerimit në vijën e parë të frontit në Drenoc të Deçanit, dhe e të vëllait Gazmendit, në vijën e parë të frontit në Prejlep, brenda dhjetë ditësh, nuk janë të rastësishme. Vëllezërit Lokaj ishin ndër djemtë e parë të Prejlepit që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por patën edhe fatin e madh që ndër të parët të bien dëshmorë në Altarin e Atdheut, për të mos vdekur kurrë.
Trupi i dëshmorit Blerim Lokaj u varros në varrezat e Pejës, për t’u rivarrosur në ditë lirie në vendlindjen e tij, me nderime të larta ushtarake e popullore, në shtator 1999, atje ku pushojnë edhe bashkëluftëtarët e tij dëshmorë, Beqir Qufaj e Jeton Dabiçaj. Heroizmin e dëshmorit e kanë përjetësuar me shkrime përkujtimore Emrush Xhemajli në “Zëri i Kosovës”, Hasan Hasani në librin “Të pavdekshmit e Dukagjinit”, Fetnete Ramosaj, etj.
Blerimi nuk ishte i martuar. Ka lënë pas vetes prindërit Selmanin e Manën, vëllain Besfortin dhe dy motrat. Familja e tij është nderuar me mirënjohje të shumta për djemtë dëshmorë, Blerimin e Gazmendin, si nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Njësia Speciale “Shqiponjat e Zeza”, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Komuna e Deçanit, etj.
Në vitin 2000, në vendin e rënies së dëshmorit Blerim Lokaj, bashkëluftëtarët i kanë ngritur pllakë përkujtimore. Ndërkaq në prill të vitit 2012, në vendlindjen e tij, është përuruar Kompleksi Memorial për Dëshmorët e Prejlepit, në të cilin është përjetësuar dëshmori Blerim Lokaj me 14 dëshmorët dhe martirët e këtij fshati, në shenjë kujtimi e nderimi të përjetshëm. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …