Duke folur për pozitën e gruas
në shoqërinë tonë, kryetarja e Grupit të grave deputete, Blerta Deliu-Kodra ka
vlerësuar se gjinia femërore çdo ditë e më shumë po bëhet më e përgatitur për
të marrë përgjegjësi të reja në pozicione të rëndësishme. Ajo shtoi më tutje se
me gjithë këtë ende ka probleme për avancimin e perspektivës gjinore në Kosovë.
Disa prej komunave kanë vërejtur progres sa i përket barazisë gjinore, por
sipas saj, ka pasur edhe të dhëna dëshpëruese në një pjesë të komunave.
Deputetja Blerta Deliu Kodra i ka thënë më tutje gazetës “Epoka e Re” se ende
mbetet shqetësuese se gratë janë ato të cilat, në raport me burrat qëndrojnë
shumë ulët në ranglistat e punësimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës,
sidomos në nivelin lokal, ku janë përqindje tepër e ulët.