Deputetja e PDK, Blerta Deliu-Kodra, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për protestën e mbajtur sot kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike në vend. Ajo ka kritikuar ashpër vendimin për shtrenjtimin e rrymës, duke e quajtur atë një formë të hapur të padrejtësisë ekonomike ndaj qytetarëve të Kosovës. “Rritja e çmimit të rrymës është vjedhje e hapur ndaj qytetarëve. Është mundi i përditshëm që po ju vidhet pa mëshirë. Çfarë tjetër duhet të ju marrin? Dinjitetin? Të ardhmen? Kjo padrejtësi duhet ndalur! Asnjë cent më shumë nga djersa e qytetarit!”, ka shkruar ajo. Deputetja e PDK-së ka bërë thirrje për reagim qytetar dhe institucional për të ndalur, siç ka thënë ajo, barrën e padrejtë që po i imponohet qytetarëve në një kohë sfiduese ekonomike. Protesta e sotme është organizuar nga qytetarë dhe shoqëria civile, si reagim ndaj vendimit të fundit për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, i cili ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe spektrin politik.
