Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik ka paralajmëruar se do ta dërgojë në gjykatë vendimin e Inspektoratit të Punës që kishte konstatuar një mori shkeljesh në shkarkimin e Basri Sejdiut nga posti i drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së. Sejdiu njoftoi se edhe shkalla e dytë e Inspektoratit të Punës kishte hedhur poshtë ankesën e Bordit Drejtues ndaj vendimit të shkallës së parë. Ndërkaq, të martën, në një komunikatë për media, ky bord ka njoftuar se e ka pranuar vendimin, por ka shtuar se do të ankohet duke thënë se Inspektorati s’e ka vlerësuar gjendjen në mënyrë adekuate. Aktualisht ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në SHSKUK është Valbon Krasniqi.
