Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Bashkimin Evropian, Josep Borrell ka paralajmëruar një angazhim më të shtuar të BE-së në raportet Kosovë-Serbi. Në fjalimin e tij para deputetëve të Parlamentit Evropian, kryediplomati i BE-së ka theksuar se mungesa e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës ishte çështja më e vështirë në Ballkanin Perëndimor. “Për të pasur një perspektivë të qartë, BE duhet të punojë për të zgjidhur dallimet midis Kosovës dhe Serbisë,” theksoi Borrell.
Ai tha gjithashtu se përfaqësuesi i ri special i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, mori detyrën një javë më parë dhe është në kontakt me autoritetet e të dy palëve. “Ai është ende duke krijuar një ekip dhe le t’i japim kohë të shohë se si ai mund t’i ndihmojë të dy palët të vazhdojnë bisedimet”, ka thënë Borrelli.