Lufta në Siri, nuk ka të ndalur. Karakteri i saj çlirimtar ka pësuar në radhë të parë në mungesë të përkrahjes parimore dhe humane nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tërheqja e Uashingtoni zyrtar nga synimi për ta ndihmuar popullin e Sirisë në luftë kundër diktaturës njëpartiake të Bashar al Assadit, natyrisht se mbetet tërheqje strategjike për qëllime që mund të kalkulohen dhe mund të paragjykohen, por mendoj se tërheqja ka të bëjë me raportin e forcave ndërluftuese në Siri. Shtetet e Bashkuara nuk arritën ta fusin në veprim NATO-n, në Siri sikur ndodhi në Libi dhe në disa shtete, në radhë të parë për shkak se Siria ka lidhje shumë të forta jo vetëm ekonomike por edhe politike e ushtarake me Rusinë. Në planin ushtarak, strategjik nuk duhej pritur që Amerika të hynte në luftë kundër interesave ruse, sepse një intervenim i tillë do të shkaktonte pasoja zinxhirore, mes superfuqive botërore.
Ka mjaftuar kjo tërheqje e Amerikës që lufta në Siri të degradojë dhe kryekrimineli Assad ta rimarrë veten, duke refuzuar bisedimet me kryengritësit, duke vepruar njëjtë sikur kishte bërë diktatori Milosheviq, duke bërë përpjekje për t’i shtypur tri luftërat çlirimtare të kroatëve, boshnjakëve myslimanë dhe shqiptarëve, Nuk duhet ta harrojmë edhe faktin se Milosheviqi e kishte mik të ngushtë Asadin, i cili vazhdon të jetë mik i fortë i Jeremiqit, Daçiqit dhe kreut çetnik të Serbisë. Këto fakte nuk i vënë në spikamë kujdestarët e luftës, jo kundër Asadit por kundër luftëtarëve shqiptarë që po luftojnë atje.
Në Siri po luftojnë pjesëtarët e 7o kombeve e popujve të botës dhe jo vetëm shqiptarët
Hulumtimet e kryera nga ICSR mbështetur në 1.500 burime, kanë treguar se mbi 11 mijë evropianë janë përfshirë në këtë luftë. Observatoriumi Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Londër, i cili është i afërt me opozitën siriane, thotë se që nga fillimi i luftës janë vrarë mbi 130 mijë njerëz nga marsi i vitit 2011.
Por Kombet e Bashkuara thanë se nuk mund të mbështesin këto shifra të dhëna nga Observatoriumi Sirian, apo nga cilado organizatë tjetër, pasi verifikimi i të dhënave momentalisht është i pamundur
Burime e lajmeve nga mediet botërore bëjnë të ditur se rreth 100 000 kryengritës opozitarë, të cilët po luftojnë kundër Assadit, gati një në 10 mes tyre, vjen nga jashtë Sirisë, nga një prej 75 vendeve që janë origjinë e tyre. Numri i atyre që vijnë nga Evropa Perëndimore, veçanërisht vendet ballkanike, gati është trefishuar që nga pranvera e vitit 2013, transmeton Shekulli shkrimin e Hajrudin Somunit, (ish-ambasador i Bosnjës në Turqi, një gazetar me emër nga koha e Jugosllavisë Federative).
Hajrudin Sumun, ish-ambasador i Bosnjës në Turqi shkruan se sa kohë që muxhahedinët e huaj luftonin në vijat e “Ushtrisë së Lirë Siriane, atyre u ishte dhënë, ndonëse jo me shumë dëshirë, një dritë jeshile nga qeveritë perëndimore.
Gjithsesi, kur një pjesë e madhe e tyre, iu bashkuan Jabhat al-Nusra-s, Shtetit Islamik të Irakut, Al-Shamit dhe grupeve të tjera më të vogla militante që janë të lidhura me Al-Qaeda-n, kjo shërbeu si një kambanë alarmi për agjencitë perëndimore të inteligjencës. Në të njëjtën kohë, konsultimet dhe konsiderata për masat që duhen marrë për parandalimin e kthimit të tyre në shtëpi, kanë nisur të zhvillohen në kryeqytetet evropiane. E përditshmja britanike “The Independent” raportonte në muajin dhjetor se kërcënimi terrorist për Evropën dhe SHBA-të nga ana e luftëtarëve të Sirisë, po rritet shumë shpejt.
“The Strategic Culture Foundation”, një revistë online, mësoi se MI5 dhe Scotland Yard kanë gjurmuar rastin e parë të rebelëve që janë dërguar nga Siria në Londër me synim, realizimin aty, të sulmeve terroriste, “atëherë kur do të jetë e nevojshme”.
Sipas shërbimit sekret amerikan dhe zyrtarëve të kundërzbulimit, nga frika e trajnimeve dhe indoktrinimit ekstremist, FBI-ja ka nisur një survejimi 24 orë në 24 për rreth 70 amerikanë, të cilët ose kanë udhëtuar në Siri, ose janë përpjekur që të shkojnë atje në këto tre vitet e fundit.
Zyrtarë nga disa vende të BE-së, si Britania e Madhe, Franca, Holanda dhe Belgjika kanë bërë tanimë të ditur se xhihadistët mund të humbasin shumë nga të drejtat e tyre, deri edhe nënshtetësinë, nëse ata tentojnë të kthehen në shtëpi.
Gazetari i njohur i kohës së bashkim vëllazërimit, Nehat Islami, dikur korrespondent në Lindjen e Afërme, thotë se prania e luftëtarëve nga Kosova, në Siri , po i sjell vetëm dëme kauzës së popullit sirian. Ai parasheh përfundimin e kësaj lufte me pasoja të mëdha për vendin dhe ndërtimin e një qeverie kalimtare, e cila do ta vlerësojë kontributin e shqiptarëve të Sirisë për liri. Islami kërkon që shteti të merret me ata shqiptarë të Kosovës kur të kthehen nga Siria dhe t’i trajtojë njësoj siç do t’i trajtonte gjithë Evropa shtetasit e vet – duke i ndjekur penalisht. Ky gazetar nuk akuzon kriminelin dhe diktatorin Bashar Al Assad, i cili deri ka vrarë më shumë se 120 mijë banorë të Sirisë, ka shkatërruar gjysmën e vendbanimeve dhe pushtetin despotik e ushtron me ndihmën e Rusisë. Gazetari, Islami nuk flet për faktin se në Siri luftojnë më shumë se 12.000 luftëtarë nga të gjitha shtetet e krishtera të Evropës, por mendon se prania e 30 luftëtarëve shqiptarë po i shkaktuaka dëm të madh Sirisë, ku sundon vrastari i popullit të vet, diktatori, Bashar Al Assad.
(Siria, zyrtarisht Republika Arabe e Sirisë, është një shtet në Azinë perëndimore që kufizohet me Libanin dhe Detin Mesdhe në perëndim, me Turqinë në veri, me Irakun në lindje, me Jordaninë në jug dhe me Izraelin në jugperëndim. Kryeqytet i Sirisë është Damasku dhe qyteti më i madh është Halepi.
Sipërfaqja e Sirisë përbëhet nga një zonë bregdetare me një rrip të ngushtë, të dyfishtë malesh që ulen në perëndim drejt Detit Mesdhe dhe një rrafshnaltë shumë e madhe në lindje. Klima është kryesisht e thatë, rreth tre të pestat e të vendit kanë më pak se 250 milimetra reshje në vit. Toka pjellore është burimi më i rëndësishëm natyror i vendit, dhe janë bërë përpjekje për të rritur sasinë e tokës së punueshme nëpërmjet projekteve të ujitjes.
Popullsia është e përzier dallohen arabët sirianë, kurdët dhe armenët. Për nga feja dominojnë anëtarët e fesë së myslimanëve me rreth 80% të ritit sunit, pastaj vinë me radhë të krishterët, hebraikët dhe drusët.
Në bregdet, luginat e lumit dhe fushat e ujitura mbillen misri, mëndafshi, pemët dhe rrushi. Blegtoria veçohet për kultivimin e dhenve dhe dhive. Si pasuri natyror ka naftën dhe gazin natyrorë. Në Siri po ashtu ndër të tjerat është e zhvilluar industria e tekstilit dhe e produkteve ushqimore. Partner të tregtisë kryesisht janë vendet Evropiane, Turqia, Arabia Saudite dhe Libani.
Ka dy porta të njohura bregdetare, në Latakia edhe në Banias, ndërsa porta ajrore ndërkombëtare ndodhet në kryeqytet.
Siria ka një popullsi rreth 18,448,752 banorë, me një dendësi prej 100 banorë/km2. Rritja e popullsisë është 3.5%. Sirianët janë grup njerëzish që janë formuar nga imigrimet nga Arabia Saudite, Azia, Evropa. 89% i popullsisë janë Arab, 6% Kurdët, 3% Armenët, dhe pjesa tjetër Turqit, Çerkezët etj. Gjuha zyrtare e Sirisë është Arabishtja. Flitet edhe Turqishtja, Kurdishtja, Gjuha Armene, Gjuha Çerkeze.
Shumica e popullsisë i takon fesë Islame. Një pjesë e vogël janë Krishter. Këto krishterët janë zakonisht Katolik, Ortodoks, Ortodoks Sirian, Monofist, Protestant. Shumica e muslimanëve janë Sunnitë, por ka edhe Alevitë, Shiitë dhe Jezidi. Jeziditë Adhurojnë Iblisin. Rreth 60% i popullsisë rinore shkon në shkollë. Qyteti më i madh dhe më i zhvilluar është kryeqyteti Damasku, qytetet tjera të rëndësishëm janë Halepi, Humusi, Hama dhe Lazkije.)
Ahmet Qeriqi
Shkuret 2014