Brenda një viti në Kosovë janë shënuar gjashtë raste të vrasjeve në familje, ku viktima kanë qenë femrat. Katër nga këto raste, burri ka vrarë gruan e tij, në një rast viktimë ka qenë vajza e të dyshuarit, kurse në rastin tjetër viktimë ka qenë gruaja e djalit të të dyshuarit. Rasti i fundit i dhunës në familje që përfundoi me fatalitet, ishte të martën në Prizren, ku një grua është vrarë me armë zjarri, kurse i dyshuari kryesor është bashkëshorti i saj. Përveç vrasjeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti, 785 raste janë raportuar për dhunë në familje, ku 620 nga to, viktima kanë qenë femrat, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Policisë së Kosovës. Ndërsa, vitin e kaluar 1533 ka qenë numri i rasteve të raportuara për dhunë në familje, kurse në 1229 raste viktima kanë qenë femrat. Kodi Penal i Republikës së Kosovës, dënimin më të rëndë për vrasje e parasheh dënimin me burgim të përjetshëm. (REL)
