Brigada zjarrfikëse në Ferizaj pajiset me automjet që shuan zjarre edhe në kate të larta

Brigada e zjarrfikësve në Ferizaj ka përfituar një automjet me të cilin mund të shuaj zjarret edhe në katet e larta të ndërtesave. Në disa raste të tilla ku është dashur të intervenohet ka pasur mjaft telashe kjo brigadë, ndërsa me gjithë mungesat e tjera që ka institucioni automjeti i ri do të jetë mjaft i rëndësishëm.

Kryetari i komunës së Ferizajt vlerësoi se komuna kë bërë një investim të qëlluar duke dhënë një shumë prej 16 mijë e 200 eurosh për blerjen e këtij automjeti.

“Mendojë se ky bashkëpunim  që po zhvillohet me “Rotary clubin” e Ferizajt, është shumë i frytshëm dhe ka dhënë rezultate edhe në të kaluarën me pajisje të kësaj brigade edhe me kamionë të tjerë,  dhe ne do ta zgjerojmë këtë bashkëpunim edhe në sfera të tjera”, ka thënë kryetari Svarqa.

Kurse përfaqësues të organizatës “Rotary Club” thanë se automjetin për zjarrfikësit e siguruan edhe nga bashkëpunimi me shoqatën “Diaspora” në Zvicër. Besa Sadiku nga kjo organizatë tha se edhe çmimi i blerjes është zbritur mjaft duke pasur parasysh nevojën që ka pasur Ferizaj për këtë automjet. U premtua angazhim edhe për sjelljen e mjeteve të tjera të nevojshme për institucionet lokale të Ferizajt.

Nga ana tjetër udhëheqës të Brigadës së zjarrfikësve thanë se ndonëse  nevojat për punë efikase mbeten edhe më tutje të mëdha në skuadrën e tyre, automjeti i ardhur sot do t’ua lehtësojë mjaft punën.

Pajisjet e intervenimit thuhet se tashmë janë kompletuar deri diku në Brigadën e Zjarrfikësve ferizajas, numri i vogël i punëtorëve ende mbetet problem aty. Ndërsa edhe mosha e zjarrfikësve është e shtyer për aktivitetet fizike që ua kërkon detyra. Komuna është zotuar se së shpejti do të angazhohet për zgjidhjen  këtij problemi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …