leoni

Bujar KLINAKU: Cenimi i pavarësisë së gjyqësorit në Kosovë

Parimi i pavarësisë së gjyqësisë duket se gëzon njohje universale në secilin sistem juridik kombëtar. Për më tepër, instrumentet regjionale (rajonale) për të drejtat e njeriut kanë theksuar garancën e gjykatave të pavarura dhe të paanshme si elemente esenciale të së drejtës për gjykim korrekt. Në këtë drejtim, “secili ka të drejtë në gjykim korrekt dhe publik brenda një afati të arsyeshëm kohor nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e themeluar me ligj, kështu thotë një parim i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Derisa në çdo vend të botës, dega e gjyqësorit është e pavarur dhe funksionon e ndarë nga degët tjera të pushtetit si ai legjislativ dhe ekzekutiv, këtu tek ne në Kosovë është krejt ndryshe. Tek ne është cenuar pavarësia e gjyqësorit nga ana e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ku janë vërejtur ndërhyrjet e ekzekutivit në gjyqësor. OSBE-ja me disa raporte që i kishte publikuar ka deklaruar se dhënia e urdhrave ekzekutive nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) për personat e paraburgosur rezulton me probleme të shumta. Problemet e tilla kanë të bëjnë me mungesën e bazës ligjore në ligjin ndërkombëtar dhe në atë vendas për dhënien e urdhrave , si dhe me mungesën e rishqyrtimit gjyqësor për këto paraburgime. Duke e vlerësuar çështjen e paraburgimit, PSSP-ja filloi të ndërhyjë në fushën e aktvendimeve gjyqësore, ku me pushtetin e tij ekzekutiv, filloi të ndërhyjë edhe në mbarëvajtjen e procedurave gjyqësore dhe injoroi pushtetin e mirëfilltë, të cilin zakonisht e kanë vetëm gjykatat. Rast i ndërhyrjes së PSSP-së ishte rasti i katër shqiptarëve të dyshuar për sulm me bombë në autobusin e Nish Ekspresit më 18 shkurt 2001.
Këtu ilustrohet mënyra në të cilën Urdhrat Ekzekutiv të PSSP-së ndërhyjnë në pushtetin e gjykatave. Pas hetimeve të ndërmarra nga gjykatësi hetues ndërkombëtar i caktuar për atë lëndë në bazë të Rregullores së UNMIK-ut 2000/64, kolegji i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, i përbërë ekskluzivisht vetëm nga gjykatës ndërkombëtar, vendosi të lirojë tre të dyshuarit në mungesë të provave për veprën me të cilën ngarkoheshin ata. Megjithatë, vendimi i gjykatës kurrë nuk u ekzekutua për shkak të intervenimit të menjëhershëm të PSSP-së. Paraburgimi i të dyshuarve vazhdoi në bazë të Urdhrit Ekzekutiv të PSSP-së, kurse tre të dyshimtit ishin liruar më 18 dhjetor 2001, pas vendimit të Gjykatës Supreme. 
Në sistemin tonë gjyqësor kemi pasur ndërhyrje edhe nga ana e KFOR-it, ku kemi rastin e një të pjesëtari të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), i cili ishte arrestuar më 25 prill 2001 me akuzën për tentim –vrasje, posedim të paligjshëm të armëve dhe sjellje kërcënuese. Më 4 qershor 2001, pas ankesës së bërë nga mbrojtja kundër zgjatjes së paraburgimit të urdhëruar nga kolegji i Gjykatës së Qarkut, Gjykata Supreme e Kosovës vendosi se nuk kishte baza për mbajtjen e të dyshuarit në paraburgim dhe si rezultat i kësaj urdhëruan lirimin e tij. Për më tepër se një muaj pas lirimit, më 14 korrik 2001, KFOR-i e riarrestoi të dyshuarin në lidhje me të njëjtin rast dhe e paraburgosi atë në bazë të pushtetit të komandantin të KFOR-it. 
Çdo kund në botë politika ndikon në gjyqësor, mirëpo sa më demokratike dhe institucionale të jetë shoqëria (shteti) aq më pak ka ndikim politika në gjyqësi. Kurse, sa më pak demokraci dhe shoqëri institucionale, gjithmonë më shumë ndikime në gjyqësi. Pasi që Kosova nuk është shtet, dhe shoqëria jonë mund të përshkruhet si një shoqëri e organizuar dhe demokratike, tek ne mungon çdo gjë që formon shtetin, por më së shumti mungon demokracia (përmbushja e vullnetit të shumicës). 
Rast konkret është rasti i Albin Kurtit, i cili për arsye të parimeve të vetëvendosjes (të cilat i respektoj) arrestohet dhe burgoset me motive politike. Edhe pse vetë institucionet ndërkombëtare dhe vendore e dinë se ai është viktimë, dhe se vrasësit dihen. Prandaj, për shkak të mendimit ndryshe, bashkarisht politika e udhëheqësisë së lartë vendore dhe ndërkombëtare e sakrifikojnë viktimën -Albin Kurti. 
Pra, siç po shihet, gjyqësori në Kosovë nuk funksionion si i pavarur sikur në vendet tjera, por ai ndikohet nga pushteti legjilslativ dhe ekzekutiv. Për të funksionuar si i pavarur gjyqësori në Kosovë duhet të bëhen këto ndryshime: duhet të ndryshohet Rregullorja e UNMIK-ut 2000/47, në mënyrë që t’i lejoj gjykatat vendase që të shqyrtojnë dhe vendosin mbi veprimet e tilla administrative apo vendimet e autoriteteve të UNMIK-ut; pastaj gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtar duhet të jenë objekt i mekanizmave të njëjtë për mbajtjen e anëtarëve të gjyqësisë në përgjegjësi disiplinore, sikurse që është rasti edhe me anëtarët e tjerë të gjyqësisë; rregullorja e UNMIK-ut 2000/64 duhet të ndryshohet, dhe të bëhet miratimi i kritereve të sakta për definimin e zbatueshmërisë së rregullores për rastin përkatës. Kriteret duhet të miratohen zyrtarisht në formë të urdhëresës administrative; duhet të eliminohet korrupsioni. Mekanizmat ekzistues për parandalimin e korrupsionit nuk duket të kenë rritur besimin e publikut në gjykatat vendore; duhet të rregullohet edhe kohëzgjatja e proceseve gjyqësore civile. Kjo shkaktohet nga mungesa e numrit të mjaftueshëm të gjykatësve dhe personelit mbështetës për t’u marrë me numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura, si dhe për shkak se gjykatësit nuk janë të caktuar nëpër gjykata sipas nevojave ekzistuese etj. 
Gjykata Evropiane kishte thënë disa herë se “ drejtësia nuk duhet vetëm të bëhet, por ajo gjithashtu duhet të shihet se është duke u bërë”.
(Autori është gazetar dhe kandidat për titullin Master të Shkencave Politike në UP)

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …