leoni

Bujar Rexhep Visoqi (19.6.1979 - 12.4.1999)

Bujar Rexhep Visoqi (19.6.1979 – 12.4.1999)

Kur në bisedën e burrave, në familjen Visoqi, bëhej fjalë për historinë e familjes: për vrasjen nga serbët të të parëve të kësaj familjeje, Metës, Ramës, Aliut, e të Rexhepit në bjeshkën e Carravodës, më 1918; për pjesëmarrjen e xhaxhait të babait, Isufit, në frontin e Pazarit të Ri në kohën e Luftës së Dytë Botërore, e i cili më vonë detyrohet të shpërngulet nga Kosova për në Turqi; për konfliktet e vazhdueshme të familjes me Terziqtë, që ishin mishi i egër i fshatit … , Bujari bëhej tërë sy e vesh. Atij i interesonte çdo detaj i këtyre ngjarjeve, por edhe i atyre të zhvilluara ndërmjet familjeve të tjera e shqiptarëve në përgjithësi dhe serbëve, në periudha të ndryshme të historisë. Tablonë e këtyre ngjarjeve atij ia kompletonin edhe këngët heroike për trimat e Kosovës, Azem e Shotë Galica, Kamer Loshi, Selman Kadria e të tjerë, të cilat i dëgjonte me ëndje. Ai sikur shfaqte parandjenjën se edhe vetë do të kishte punë me pushtuesin që ia kishte vrarë e përndjekur gjysh e stërgjysh. Ai sikur jepte shenjat se po rritej për Kosovën e për lirinë e saj.
Më 19 qershor të vitit 1979, në një ditë të ngrohtë pranvere, kur fushave kaltëroshe të Llugave u jepnin bukuri fluturat krahshkruara, e tingujt e bilbilave dhe kur degët e qershive ishin përkulur nga frutat e përskuqura, familjes Visoqi në Llukafc të Begut të komunës së Burimit (Istogut) i lindi fëmija i pestë i Rexhepit e Havës. Atë e pagëzuan me emrin që simbolizon njërën nga vetitë me të cilën shquhet populli shqiptar, Bujar.
Megjithëse sugar i prindërve, Bujari rritej jo si fëmijë i llastuar që do t’i sfidonte vëllezërit e motrat e tij, Ganimeten, Agronin, Arbenin e Valbonën, por i sjellshëm e i qetë. Kjo natyrë e përcolli atë edhe pas hyrjes në shkollë, si nxënës i shkëlqyeshëm në mësime.
Shkollën fillore, Bujari e kreu në fshatin e lindjes, kurse gjimnazin në Burim (Istog), në kushtet e ilegalitetit të shkollës shqipe, ku për shkak të përndjekjes shtetërore serbe, mësimi zhvillohej në shtëpitë private. Në këtë kohë djaloshi flokëgështenjë kishte lëshuar shtat dhe kishte krijuar raporte të afërta me shokët e shoqet e gjeneratës. Veç përkushtimit për suksesin në mësime, merrej edhe me sport, ku pasion të veçantë e kishte lojën e futbollit. Ky orientim bën që pas mbarimit të shkollës së mesme, në Universitetin e Prishtinës ta regjistrojë degën e kulturës fizike. Mirëpo, studimet në këtë degë arriti t’i ndjekë vetëm disa muaj të semestrit të parë, në vjeshtë të vitit 1998, sepse tashmë në Kosovë po bëhej luftë ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese serbe dhe se zemra e Bujarit po rrahte tjetërkund e jo në fakultet.
Vendimin për të ndërprerë studimet e për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kishte marrë përfundimisht ditën kur, derisa po udhëtonte me autobus nga Prishtina për në vendlindje, në fshatin me banorë serbë, Dollc, afër Klinës, autobusin e ndalon policia serbe, prej ku e zbret dhe e arreston një të ri shqiptar. Kjo ngjarje Bujarit ia kishte shtuar edhe më urrejtjen për pushtuesin, prandaj me të arritur në shtëpi deklaron se u kishte dhënë fund studimeve. Që nga ky moment përkushtimi i tij merr një drejtim të ri, ku do të mobilizohet me tërë qenien në detyrat ushtarake që do t’i marrë nga drejtuesit e njësitit të UÇK-së të formuar në fshat.
Në realitet, Bujari edhe më herët kishte kryer detyra të caktuara ushtarake, të marra nga i vëllai, Arbeni, i cili ishte kyçur në UÇK qysh në pranverë të vitit 1998, në Zonën Operative të Dukagjinit. Arbeni kishte bartur armatim nga Shqipëria dhe kishte marrë pjesë në betejën e njohur të zhvilluar në Loxhë, në qershor të vitit 1998, kurse tash po bënte pjesë në bërthamën e luftëtarëve të kësaj treve që do ta formonin Brigadën 133 “Adrian Krasniqi”, prandaj nëpërmjet tij do të rekrutohet në radhët e UÇK- së edhe i vëllai, Bujari. Ky rekrutim u bë në janar 1999, me ç’rast Bujari do të angazhohet edhe rreth organizimit të Brigadës 133, duke kontribuar në takimin e mbajtur për këtë qëllim në shtëpinë e Kamber Dreshajt në Prigodë, Studenicë, Tomoc e në bazat e fshatrave të tjera.
Shtëpia e Bujarit, në atë kohë, por edhe më parë ishte bërë vendstrehim i sigurt pë luftëtarët e lirisë. Aty kishin hyrë e dalë shumë pjesëtarë të UÇK-së, si: Hajrush e Tasim Elezaj (dëshmorë), Blerim Kelmendi, (dëshmor), Azem Veseli, Zenun Gashi, Agron Spahiu nga Kastrioti i Drenicës e shumë të tjerë.
Me formimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, në kuadër të saj u formua edhe Njësiti Special i Brigadës 133, të cilën e komandonte eprori Naser Shatri. Pjesëtar i kësaj njësie u bë edhe Bujari. Detyrat e tij ushtarake ishin vëzhgimi i terrenit dhe sigurimi i vijës komunikuese Prigodë – Dobrushë- Trubuhofc, meqenëse kjo arterie mundësonte lidhjen e zonës së brigadës, me komandën e Zonës Operative të Dukagjinit, por edhe ndërlidhjen e kësaj zone me atë të Drenicës. Sigurimi i kësaj vije duhej bërë me shumë vigjilencë edhe për faktin se në Llukafc të Begut kishte disa familje serbe, të mbiquajtura Terziqtë, të njohura që me kohë për qëndrime anti-shqiptare e për lidhje me Beogradin. Anëtarë të këtyre familjeve ishin edhe
Radoshi, në atë kohë deputet i Kuvendit të Serbisë dhe Trifuni, punëtor i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, i cili kishte bërë shumë zullum mbi shqiptarët e kësaj ane. Terziqtë, shpesh herë më parë kishin rënë në konflikt edhe me Visoqtë e me familje të tjera të Llukafcit të Begut e të fshatrave fqinje.
Në javët dhe muajt në vijim, Bujari merr pjesë në aksione ushtarake kundër forcave serbe, duke dëshmuar trimëri të veçantë dhe shkathtësi në përdorimin e armës. Një aksion i tillë ishte edhe ai i ndërmarrë brenda asaj kohe në Tomoc, së bashku me Hajrush Elezajn e Fikret Shatrin. Po ashtu, me bashkëluftëtarët bën tërheqjen e topit nga pozicioni mbi Burim, për në pozicionet e Tedelit (Vrellës). Ndjenja e lartë e gatishmërisë për aksion bën që ai të jetë sa në Llukafc të Begut, sa në Prigodë, Vrellë, Studenicë, Kaliçan, Albë (Jabllanicë e Pejës), e Novosellë. Ky varg fshatrash përbënte edhe zonën e lirë të cilën deri në gjysmën e muajit prill 1999 e kontrollonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ditën kur soldateska pushtuese serbe ndërmerr sulm me goditje të përqendruara mbi këtë zonë dhe me mësym je këmbësorike nga ana lindore kundër pozicioneve të UÇK-së në Tedel (Vrellë), më 12 prill 1999, Bujari ndodhej në fshatin Novosellë. Ai së bashku me dhjetëra luftëtarë niset sakaq për t’u shkuar në ndihmë bashkluftëtarëve në pozicionet e sulmuara në Vrellë. Në përpjekje e sipër për t’u dalë forcave armike pas shpine, në mënyrë që t’ua mundësojë tërheqjen bashkëluftëtarëve, hyn në shënjestër të armëve të armikut, me ç’rast plagoset në këmbë. Edhe pse i plagosur, Bujari kundërpërgjigjet me zjarr deri në fishekun e fundit edhe të karikatorit që ia kishte dhënë bashkluftëtari Hajrush Elezaj. Mirëpo, furia e të shtënave serbe, madje nga një afërsi e madhe, shkakton plagosen e tij pa shpresë për shpëtim. Në ato momente, bashkë me të, në përjetësi hyjnë edhe dëshmorët Skënder Maraj e Abedin Dërvishaj. Më 12 prill, në betejën e Tedelit (Vrellës) bien edhe dëshmorët: Ismet Bicaj, Xhafer Mehmetaj, Izet Shatri, Smail Fetahaj, Nezir Mujaj dhe Muharrem Vuthaj. Në përpjekje për të penguar depërtimin e mëtejshëm të trupave agresore serbe në zonën e kontrolluar nga UÇK-ja, në Vrellë, më 13 prill ranë dëshmorë edhe luftëtarët: Sami Gashi, Nexhmedin Hakaj, Qazim Hakaj dhe Sylë çetta, ndërsa në fshatin Studenicë bie edhe Njomëza Lipaj, rekrute e re e UÇK-së. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …