Vendimi i Gjykatës së Apelit, në Shkup, që konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm për 6 shqiptarët e dënuar për terrorizëm, ka shkaktuar revoltë të madhe te familjarët e të dënuarve. Bedri Hajdari, i cili ka në burg vëllain dhe dy nipa, nuk përjashton as hakmarrjen, nëse nuk zbardhet e vërteta për të afërmit e tij, për të cilët thotë se nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen e 5 maqedonasve në vitin 2012. “Nuk do ta lëmë me kaq këtë rast, duhet ta kenë parasysh edhe hakmarrjen, sepse nuk është diçka që falet. Porosia është për të gjithë, maqedonasit e dinë, por edhe shqiptarët le ta kenë parasysh se, nuk do të mund të na shesin ‘mish për top’”, tha Bedri Ajdari, familjar i dy të dënuarve në këtë rast .
Avokati Naser Raufi, i cili mbron disa nga shqiptarët e dënuar në një gjykim për vrasjen e 6 sllavomaqedonëve nuk i beson Gjykatës së Apelit, për të cilën thotë se është nën ndikimin e Prokurorisë publike. Ai ka kërkuar, që vrasja të hetohet nga Prokuroria Speciale dhe i ka bërë thirrje kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, t’ia dorëzojë këtij institucioni provat për këtë rast, që posedon nga skandali i përgjimeve. Në të kundërtën, Raufi ka paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi penale nga Zaevi, i cili ka deklaruar disa herë se posedon prova, që dëshmojnë se rasti “Monstra” është i montuar nga pushteti, por që nuk i ka publikuar dhe nuk i ka dorëzuar në Prokurori.