Ilirët si parardhës të shqiptarëve pranohen nga shumica e ekspertëve dhe studjuesve seriozë të historisë, nga kombe të ndryshme. Gjetjet për ilirët edhe sot analizohen nga historianë, arkeologë, por nganjëherë edhe politikanë, që në rast të rivalëve të shqiptarëve, kanë përdorur “argumente” kundër prejardhjes shqiptare nga ilirët dhe kanë tentuar të propagandojnë se gjoja edhe disa nga sllavët “kishin prejardhje ilire”. Së fundmi edhe Oliver Schmitt, një studjues zvicëran i është bashkuar zërave të futjes së konfuzionit dhe tentimit për të ”rishkruar dhe rizbuluar” historinë e shqiptarëve, duke theksuar se gjoja ”nuk paska një vazhdimësi mes ilirëve dhe shqiptarëve”. Ai është po ashtu i njohur si person që shkroi një libër kontradiktor mbi Skenderbeun, për të cilin libër mori kritika shkencore nga studjues të ndryshëm.
Pasi lexova deklarimet e tij të fundit shtypit kosovar, vendosa të përgatis këtë shkrim duke zgjedhur disa nga gjetjet e ekspertëve ndërkombëtarë të historisë, të cilët dëshmojnë se Ilirët janë parardhësit e vërtetë të shqiptarëve dhe kanë dominuar gjeografinë në Ballkan historikisht. Disa nga këto fakte dhe të dhëna, unë i kam publikuar në pjesën e tretë të librit tim të dytë, ”Shtetndërtimi dhe Kosova”, të botuar më 2010, si dhe argumente tjera si p.sh. nga Noel Malkolm dhe Instituti suedez për politika të jashtme që dëshmojnë qartë lidhjen dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare.
The Palgrave Concise Historical Atlas of the Balkans – Atlasi konciz historik mbi Ballkanin: Ky libër historik në formë atlasi, i shkruar në vitin 2001, nga profesorët amerikanë, Dennis P. Hupchick dhe Harold Cox, është një atlas-libër historik dhe objektiv për shqiptarët në Ballkan. Në shpjegimin historik thuhet se: shqiptarët flasin një gjuhë unike që rrjedh nga ilirishtja e vjetër. Në kohën antike, Ilirët kanë banuar pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor (harta nr. 4). Valët invaduese të romakëve, gotëve, avarëve dhe sllavëve i shtynë/detyruan Ilirët të zhvendosen në rajonet malore të banuara nga shqiptarët e sotëm. Po aty thuhet se shqiptarët dhe grekët janë popujt më të vjetër në Ballkan kurse të tjerët janë ardhacakë, kush më herët e kush më vonë.
Në hartën numër 6, atë mbi Perandorinë Romake lindore, fundshekulli i VI-të përmenden si porte të rëndësishme detare Durrësi dhe Vlora. Po aty tregohet një hartë autentike e viteve 527-565 në kohën e sundimit të Justinianit I dhe aty shihet se Ilirët kanë dominuar qartë Ballkanin Perëndimor dhe kanë banuar në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë, në Serbinë e sotme dhe kuptohet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Po në atë hartë, në ato vite dhe në ato vende që përmendëm nuk shihen sllavët që ende nuk kishin ardhur në Ballkan. Por, nëse shfletojmë një faqe më tej në hartën numër 7 dhe në fund shekullin e VII-të shihen dallime të mëdha sepse aty paraqitet Perandoria Bizantine dhe ardhjet masive të sllavëve në Ballkan nga malet e Karpateve!
The Illyrians – Ilirët nga John Wilkes (Blackwell Publishers, 1992, USA): Për më shumë se 1000 vite para ardhjes së sllavëve në Ballkan në shekullin VI-VII, tokat në lindje të Adriatikut kanë qenë vendi dhe shtëpitë e njerëzve të njohur nga bota e vjetër si Ilirët (f.3). Dokumenti dhe shkrimi i parë në botën moderne mbi ilirët u botua në Albanesische Studien të J. G. von Hahn, të publikuar në Jena më 1854, në të cilin shkrim autori paraqiti dhe mbrojti tezën se shqiptarët e sotëm kanë origjinë nga Ilirët e vjetër (f.5). Edhe Wilkes thekson se ilirët kanë jetuar në tërë Gadishullin Ballkanik duke përfshirë përveç Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë edhe Slloveninë e sotme, Kroacinë, Malin e Zi. Emrat ilirë janë dëshmi tjetër që lidhen me shqiptarët e sotëm. Në gjeografinë e studiuesit Strabo, tradita greke identifikonte ilirët si popull apo etni që ishin të ndryshëm nga trakasit, maqedonasit dhe grekët. Studiuesit modernë të emrave ilirë, si p.sh. H. Krahe, A. Mayer, definuan një lingusitikë të veçantë të ilirëve. Emrat si Gentius-Genti, Teuta, Plator, Ledio, Pleurat etj. ekzistojnë edhe sot tek shqiptarët dhe janë dëshmi të rëndësishme të përcjelljes së traditës.
Ilirët – Enco Gatti (Ilirët, 1981, Bargjini): Kush ishin ilirët? Janë disa gjëra që japin përgjigje në këtë pyetje: Toponomastika: regjistrat e gjeografisë së lashtë, arkeologjia, ndërsa duhet interpretuar edhe mbishkrimet e lashta. Shkrimet e vjetra, toponomastika dhe arkeologjia janë materiale të vjetra të parahistorisë. Duhet shfrytëzuar për të njohur ilirët. Fjalori gjeografik i ilirëve është provë e padiskutueshme e shtrirjes së këtij populli, e gjuhës së tij, vendqëndrimit dhe qytetërimit të tij (f.48). Toponimet dëshmojnë të njëjtën përmbajtje ilire. Dëshmojnë gjithashtu që Iliria shtrihej mbi të gjithë Ballkanin (f.49). Ilirët, në kohët romake zotëronin pothuajse mbarë Ballkanin e arrinin deri mbi Alpe, në Eindilica e në Retia (f.10). Gjuha shqipe është bijë e gjuhës së lashtë ilire (f.53). Shenja alfabetike shumë të lashta dëshmojnë lashtësinë e gjuhës së shkruar ilire. Leximi i shkrimeve të lashta iberike na konfirmon një lidhje në shkrim dhe në fonetikë midis fjalorit ilir dhe fjalorit shqiptar (f.56-57).
Burimet greke dhe romake që flasin për Ilirinë nuk janë të besueshme. Janë të vona dhe ilustrojnë shekujt e disfatës. Janë të njëanshme dhe keqdashëse. U shërbejnë orekseve greke dhe romake. Por, mbi të gjitha janë tejet konfuze. (E. Gatti, Ilirët, 1981, faqe 7).
“Romakët kanë shkatërruar bibliotekat, ndoshta edhe atë të Aleksandrisë. Nazifashistët kanë djegur libra. Por shkatërrimi i një gjuhe, i një shkrimi, i një toponomastike, i një historie dhe i një feje është një dukuri gjiganteske, e pabesueshme që kurrë nuk ka ndodhur në histori. Për të lënë në heshtje të kaluarën, para së gjithash, i duhej mbyllur goja shkrimit e duhej krijuar një konfuzion gjuhësh. Konfuzioni i gjuhëve i përgjigjet së vërtetës historike. Shkatërrimi i botës së lashtë indoevropiane sjell krijimin e gjuhëve sllave, anglosaksone dhe të tjera” (f.147). Në botën indoevropiane e ilire ka nyje e prapashtesa. Roma modifikon gjuhën: eliminon nyjat. Modifikon prapashtesat, fut të reja, të çuditshme e vulgare, të tipit “um, arum, orum, abus ed ibus”. Pastaj Roma modifikon shkrimin. Ilirët shkruanin nga e djathta në të majtë, atëherë kjo u ndërrua në të kundërtën, nga e majta në të djathtë (f.148). Falsifikimi shkrimor nuk ishte i rastësishëm. Të gjitha konceptet e popullit ilir shkatërrohen e përmbysen me ashpërsi e egërsi. Hyjnitë e ilirëve zëvendësohen, me mujshi, me perënditë e reja greke e romake. Edhe gjuha ilire përdoret për këtë ndryshim. Panteizmi, konceptimi themelor i fesë ilire, mohohet, goditet me të gjitha mënyrat.
Përmbysja totale e koncepteve, teologjive, riteve, vlerave, zakoneve godet Hyjneshën e madhe, Nënën Ilire. Pastaj vazhdohet me fyerjet dhe mallkimet ndaj ilirëve. Edhe arti shërben për të sulmuar e për të hedhur poshtë konceptimet e vjetra. Arti linear, gjeometrik, i stilizuar e i thjeshtë i të lashtëve akuzohet si një art primitiv, i shëmtuar e barbar (f.149-152). Megjithatë, qytetërimi grek dhe ai romak nuk kishin krijuar as pëlhurën, as bronzin, as rrotën, as qeramikën, as grurin, as vreshtat, as ullinjtë, as shkrimin dhe as rrugët e tullave. Ulliri dhe vreshti, simbole sigurie, paqeje e gëzimi, janë krenaria e popujve mesdhetarë: e albano-ilirëve (f.120). “Vet ekzistenca e shqiptarëve dhe fakti që jemi këtu, që kemi trashëguar nga një brez në tjetrin gjuhën tonë, artin tonë, muzikën tonë, kostumet tona origjinale, provon qenien tonë si popull antik, i pamposhtur” (S. Anamali, Bull. Assoc. Int. Etudes Sud Europeen 1972/2).
Kosova një histori e shkurtër – Kosovo a short history nga Noel Malcolm (Macmillian 1998): Malcolm në faqet 37-38 thekson se origjina e shqiptarëve duhet të kërkohet tek ilirët veçanërisht në Kosovë, në Malësi dhe në pjesët veriore të Shqipërisë e Mal të Zi si dhe në bregdetin Adriatik. Elementet latine në gjuhën shqipe konfirmojnë këtë gjë. Tjetër element Malcolm përmend emrat e vendeve, emrat personal dhe emrat fisnorë në latinisht (faqe 32) si dhe mësimi i fesë së krishterë nga mësues latinë ose latinfolës (f.36). Ai thekson në faqen 31 se “është e qartë që gjuha shqipe është me të vërtetë e vetmja gjuhë reprezentuese e vjetër ballkanike (së bashku me greqishten). Gjuha shqipe i takon familjes indoevropiane, por është një nëndegë pa gjuhë të tjera të afërta apo të ngjashme”. Gjersa në faqen 23 shkruan mbi ardhjen e parë të invaduesve sllavë në Kosovë dhe atë vitet 547-548 nga malet Karpate dhe andejpari.
Instituti suedez per politika të jashtme – Utrikespolitiska institutet – në publikimin për Shqipërinë (UI, shkurt 2009) në faqe 11 shkruan se “shqiptarët kanë prejardhje nga ilirët, një popull që në periudhën e Bronzit (rreth 1000 vite p.e.r) kanë banuar në Ballkanin Perëndimor”. Gjersa në faqe 6 thuhet se “gjuha shqipe është e vetmja gjuhë që rrjedh nga ilirishtja”.
Këto janë argumente dhe të dhëna shumë të rëndësishme historike-ndërkombëtare për vazhdimësinë iliro-shqiptare. Këto fakte të shkruara objektivisht, profesionalisht dhe në mënyrë neutrale nga ekspertë ndërkombëtarë të historisë janë përgjigjja më e mire ndaj autorëve si Schmitti, ndaj enciklopedisë falco maqedonase apo tentimeve tjera për të “rizbuluar historinë” në vitin 2013!!
Si përfundim, më lejoni të jap një shembull praktik nga përvoja ime në MPJ të Republikës së Kosovës. Si përfaqësues i MPJ-së një nga gjashtë vendet më të fuqishme të BE-së, në një vizitë zyrtare, para tre viteve, në fund të një takimi zyrtar dhe dhënies së një dhurate me simbole të historisë së Kosovës (Hyjnesha në Fron, Ulpiana dhe simbole tjera historike-turistike të Kosovës), udhëheqësi i lartë i MPJ-së të atij vendi më thotë në fund të takimit: “Nuk mund ta blejmë me para këtë histori të pasur që e keni ju shqiptarët, mbi 3500 vjeçare”. Unë paksa i prekur nga sinqeriteti i tij po i përgjigjem se ne ju jemi shumë mirënjohës dhe falënderues që një shtet aq i rëndësishëm si i juaji ka përkrahur dhe përkrah Republikën e Kosovës dhe për këtë ndjehemi të privilegjuar.
Historia përfundimisht dëshmon të vërtetën, civilizimin, kulturën, trashëgiminë dhe identitetin e një populli dhe atë askush s’mund të ua marrë ose mohoj shqiptarëve, qofshin ata studiues nga qarqe lindore apo edhe perëndimore. Ne si shqiptarë e kemi obligim të reagojmë me argumente historike (objektive dhe autentike) kur të paraqitet nevoja.