Burime zyrtare: Deri tani, në Bruksel janë identifikuar 34 viktima, flitet për rreth 170 të plagosur

Katër shpërthime kanë tronditur Brukselin në orët e para të mëngjesit të së martës, dy prej të cilëve të verifikuar në Aeroportin Zaventem, ndërsa dy të tjerët në dy stacione metroje në zemër të kryeqytetit belg. Motivet e shpërthimeve nuk dihen ende, ndërkohë që burime zyrtare flasin për të paktën 34 viktima, 14 prej të cilëve kanë humbur jetën në aeroport dhe 20 në stacionet e metrove. Gjithashtu, flitet për rreth 170 të plagosur. Shpërthimet vijnë katër ditë nga kapja në Bruksel të Salah Abdeslam, i dyshuari kryesor i sulmeve të nëntorit në Paris.  Nga raportimet e mediave lokale mësohet se, aeroporti është evakuuar, ndërsa fluturimet janë anuluar. Gjithashtu, janë pezulluar të gjitha shërbimet hekurudhore që të çojnë tek kompleksi. Të dhëna të tjera flasin se një nga shpërthimet ka ndodhur pranë check-in-it të American Airlines, por sërish ato janë të pakonfirmuara. Ndërkohë, një shpërthim tjetër është verifikuar rreth një orë më vonë në stacionin e metrosë Maalbek, fare pranë selisë së Komisionit Europian. Re të zeza tymi janë ngritur në rrugë dhe paniku ka përfshirë kalimtarët. Ai është pasuar nga një tjetër shpërthim në stacionin Schumann. Transmetuesi belg RTBF citoi një dëshmitar të thoshte se, në ambientet e aeroportit kishte njerëz të shtrirë në tokë, të plagosur ose pa ndjenja, shumica e të cilëve në zonën e nisjeve, përballë hotel “Sheraton”.

Ndërsa një punonjës i aeroportit tha për televizionin holandez VRT: “Po bëja një moment pushim kur papritur dëgjova dhe ndjeva një shpërthim të madh. këtej nga jam shoh shtëllunga tymi të zi të ngrihen nga zona e nisjeve”. “Dritaret janë të thyera, njerëzit kanë dalë jashtë nga frika. Gjërat nuk duken mirë”, tregoi dëshmitari. Dëshmitarë të tjerë thanë se para shpërthimeve kishin dëgjuar të shtëna dhe thirrje në gjuhën arabe, duke ngritur dyshimet për sulme kamikaze. Të dhëna të mëtejshme sugjerojnë se brenda aeroportit është gjetur edhe një bombë e pashpërthyer. Situata ka futur në kaos kryeqytetin belg, atje ku nodhen institucionet kryesore të Bashkimit Europian. Autoritetet kanë pezulluar qarkullimin e mjeteve publike si trenët, metrotë dhe tramvajet, pa harruar këtu pezullimin e të gjitha fluturimeve nga aeroporti. (Top Channel)

Kontrolloni gjithashtu

Pabarazia, injorimi i shqipes, mos përdorimi i simboleve kombëtare, kanë nxitur luftë të armatosur në Maqedoni, në vitin 2001

Pabarazia, injorimi i gjuhës shqipe, mos  përdorimi i simboleve kombëtare, mungesa e përfaqësimi  në Parlament dhe në …