Bushati dhe Kotzias, pikëpamje të ndryshme për Çamërinë

Bushati dhe Kotzias, pikëpamje të ndryshme për Çamërinë

Derisa jashtë po vazhdonte protesta e çamëve, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe homologu i tij grek, Nikos Kotzias, mbajtën një konferencë të përbashkët për medie ku shprehën qëndrimet e dy diplomacive përkitazi me çështjen çame dhe kontestet e tjera. Duke folur për Ligjin e Luftës, ministri grek i Punëve të Jashtme, Kotzias, theksoi se Greqia beson në deklaratën e vitit 1987, sipas të cilës, është shfuqizuar gjendja e luftës. “Marrëveshja e miqësisë në 1996 është e vërtetë. Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe perspektiva e hyrjes në BE na bën jo vetëm miq, por dhe partnerë. Nëse ekzistojnë dyshime nëse jemi ose jo në gjendje lufte, do të jetë objekt diskutimi që do të zhvillohet dhe do të gjejmë”, ka deklaruar Kotzias. Ministri i Jashtëm grek ka vazhduar me cilësimet e rëndomta të Athinës ndaj çamëve, duke i quajtur ata si ‘bashkëpunëtor të nazistëve’. Në anën tjetër, ministri Ditmir Bushati bëri të qartë se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Greqisë, porse dëshiron vendosjen e një drejtësie të munguar. “Çështja çame është pjesë e kapitullit që e ka origjinën në Luftën e Dytë Botërore. Jemi vende fqinje dhe është normale të kemi lexime të ndryshme, besojmë se një trajtim realist do të zbuste tonet nacionaliste dhe të vendoste drejtësinë e munguar. Nuk bëhet fjalë për pretendime territoriale. Shqipëria nuk ka asnjë lloj pretendimi territorial”, ka theksuar ministri, Bushati. Përndryshe, kreu i diplomacisë greke arriti me vonesë në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, meqë protesta e lëvizjes ‘Çamëria’ shkaktoi një tollovi para ndërtesës. Me këtë rast, Kotzias u detyrua të hynte në Ministrinë e Jashtme përmes derës dytësore. Protestuesit nga radhët e komunitetit çam protestuan sot me moton ‘Unë jam shqiptar i Çamërisë, unë ekzistoj”.  Ata kërkuan shfuqizimin e ligjit të luftës dhe njohjen e të drejtave të pakicës çame.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj përjashton mundësinë e koalicionit në mes PDK-së dhe Vetëvendosjes pas zgjedhjeve të ardhshme

Nënkryetari i PDK, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se nuk sheh mundësi për një koalicion qeverisës …