Mbi 200 milionë euro më pak do t’i ketë buxheti i vitit 2021, i cili pritet që të shkojë në Kuvend në fund të tetorit. Kjo do të jetë sfida e radhës e Qeverisë për sigurim të votave për ta kaluar këtë projektligj, i cili parasheh që buxheti për vitin e ardhshëm të jetë 2.4 miliardë euro. Sipas zëvendësministrit të Financave, Agim Krasniqi, e rëndësishme është që brenda partnerëve qeveritarë të ketë konsensus për miratimin e këtij projektligji. Në projeksionet buxhetore për 2021 nuk parashihet ndonjë mbyllje tjetër ekonomike shkaku i pandemisë Covid-19 dhe se vlerësimet janë që do të ketë rritje ekonomike prej 4 për qind. Por FMN në raportin e fundit thotë se duhet pasur parasysh zhvillimin e pasigurt të pandemisë dhe se buxheti për 2021 duhet të përfshijë një alokim të përgjithshëm të rezervës për masat zbutëse që mund të vendosën në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, nëse është e nevojshme.
