Ministria e Financave ka bërë publike Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, i cili është miratuar të hënën në mbledhjen e Qeverisë.
Buxheti për vitin e ardhshëm parashihet të jetë shumë më i madh se i sivjetshmi. Ai kap dy miliardë euro, apo për afro 320 milionë euro më i lartë se buxheti i vitit 2016. Ai kryesisht mbështetet në të hyrat fiskale. Një pjesë e tij planifikohet të sigurohet nga huadhënia nga institucionet ndërkombëtare dhe një pjesë e mjeteve që lirohen nga AKP-ja.
Në arsyetimin e buxhetit theksohet se investimet kapitale të parapara me këtë buxhet do të jenë 50 për qind më të larta.
Në këtë Buxhet reflektohet përkushtimi dhe adresimi i sfidave zhvillimore në zbatimin e reformave dhe projekteve specifike të cilat ndikojnë në përmbushjen e objektivave që ka Qeveria e Kosovës për zhvillim ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës.