Në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë dëshmorë shumë luftëtarë nga të gjitha trevat e Shqipërisë etnike. Në mesin e tyre, bëjnë pjesë edhe eprori dhe komandanti i tri luftërave çlirimtare shqiptare, të zhvilluara në Kosovë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në Maqedoni, Tahir Sinani, Bylbyl Breçani nga Tropoja, po ashtu eprori dhe pjesëmarrësi në tri këto luftëra, Skerdilajd Llagami, nga Tirana, eprori, Indrit Cara nga Kavaja, Hamdi Mula nga Dobruna e Golajt, Astrit Suli, nga Berati, Halit Coka, Arjan Brahimi, Hazir Malaj, Pajtim Roci, Lefter Koxhaj, Arif Shpend Dautaj, Qazim Hazir Dautaj, Fatmir Ndoçi, Mehmet Dizdari, Hysni Hajdarmetaj, Tahir Memiaj, Ramiz Memiaj, Tahir Hoxha, Hysen Mella e shumë të tjerë.
Në luftën e UÇK-së kanë marrë pjesë dhe kanë kontribuar me mundin, gjakun dhe profesionalizmin e tyre edhe eprorët e mirënjohur nga Shqipëria administrative, si Dilaver Goxhai, Zëvendës-shef i Shtabit të Përgjithshëm, Adem Shehu, komandant i Brigadës 153, “Hyzri Talla” në Zonën Operative të Llapit, Bardhyl Tahiri, epror në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së e të tjerë.
Një ndihmë të jashtëzakonshme luftës së UÇK-së i ka dhënë edhe Divizioni i Kukësit i Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë, në krye me gjeneral Kudusi Lamën si dhe shumë eprorë e ushtarë të tjerë, të cilët ishin sistemuar në bazat e UÇK-së rreth shumë pikave të zonës kufitare.
Djalëria e viseve të andejkufirit, siç ka imponuar pushtimi shekullor i Kosovës, të quhen viset kufitare brenda territorit të Shqipërisë politike, qysh herët kishte mbajtur kontakte dhe kishte ndihmuar trimat e trimëreshat e UÇK-së. Një pjesë e tyre qysh në fillim ishte angazhuar edhe vetë sidomos në kalimin e kufirit të hekurt të ruajtur nga ushtria pushtuese serbe, dhe në bartjen e armatimit për në Kosovë. Në mesin e tyre ishte edhe Bylbyl Hazir Breçani, dëshmor i Atdheut.
Bylbyl Breçani u lind në fshatin Markaj të rrethit të Tropojës. Rrjedh prej një familjeje të njohur atdhetarësh, të cilët nga brezi në brez kishin luftuar kundër pushtuesve të ndryshëm të trojeve shqiptare. Xhaxhallarët e tij, Cen Selimi dhe Shaban Sadiku kishin qenë pjesëmarrës të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Shkollën fillore, Bylbyli e kreu në fshatin Markaj. Shërbimin ushtarak e kishte kryer në Pukë dhe në Tiranë, ku edhe ishte aftësuar në repartin e përdorimit dhe mirëmbajtjes së raketave.
Me rastin e intensifikimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bylbyli, ashtu sikur edhe shumë luftëtarë të tjerë nga Shqipëria politike iu bashkua luftës në Frontin e Koshares. Fillimisht ishte sistemuar në formacionet e Brigadës 138, “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Dukagjinit. Ai ishte shquar në luftime, prandaj edhe njihet si luftëtari, që i pari kishte ngritur flamurin shqiptar në Postën kufitare të Kamenicës, në Koshare.
Pas çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999, Bylbyl Breçani me Ali Fejzullahun nga Mitrovica dhe me Isuf Mulliqin kishte marrë përsipër gjetjen e trupave, të dy të rënëve në vendin e quajtur, “Shkoza e Koshares”. Më 25 qershor, duke gjurmuar vendin ku supozohej se ndodheshin trupat e rënë, ai bie në fushë të minuar dhe merr plagë vdekjeprurëse. Në atë rast, nga shpërthimi i minës bie edhe Ali Fejzullahu, ndërsa plagoset Isuf Mulliqi.
Trupi i dëshmorit, me nderime ushtarake u varros në vendlindjen e tij, në fshatin Markaj, më 27 qershor 1999. Në shenjë nderimi dhe respekti për dëshmorin e UÇK-së, shkolla fillore e fshatit Markaj mori emrin e tij.
Pas rënies, dëshmori Bylbyl Breçani është shpallur “Qytetar Nderi post mortum” nga komuna e Bujanit dhe nga qyteti Bajram Curr. Prindërit e tij, Hazir dhe Kajda Breçani rritën katër djem e tri vajza.
Familja e dëshmorit Bylbyl Breçani ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme dhe nga organizatat e dala nga lufta. (A. Q)