Kandidati për të parin e Prishtinës nga radhët e Nisma për Kosovën, Shyqiri Bytyqi gjatë një takimi me artistët e kryeqytetit, është zotuar se do të ndihmojë komunitetin e tyre duke emëruar një rrugë me emrin “Rruga e artistëve” si dhe kthimin e Pallatit të Rinisë në duart e njerëzve të kulturës dhe sportit. Bytyqi me këtë rast thënë rruga e sheshit “Edit Durham” do të marrë një pamje shumë më të mirë, kur të pasurohet me veprat e artistëve, e të cilat do të kenë mundësi që çdo ditë t’i shijojnë qytetarët e Prishtinës dhe më gjerë. Ndërkaq, me rikthimin e Pallatit të Rinisë ai është zotuar se të gjitha të hyrat do të shkojnë në fondin e kulturës dhe sportit. “Ne jemi zotuar se në rast se do ta qeverisim komunën, do të vendosim një rrugë, do të quhet ‘Rruga e artistëve’. Ky ka qenë një zotim i joni, i programit dhe pastaj do të varet direkt nga artistët. Ky është hapi i parë, të njëjtën gjë kemi thënë edhe për Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sportit, sepse atyre iu takon më së shumti. Dhe besoj se në qeverisjen tonë një gjë të tillë do ta bëjmë. Pallatin e Rinisë do ta kthejmë në duart e të rinjve, të sportistëve, të njerëzve të kulturës, sepse Pallati i Rinisë do të menaxhohet nga njerëz të kulturës dhe krejt të ardhurat, të cilat do të krijohen në Pallatin e Rinisë, do të shkojnë në donacionin e kulturës dhe sportit”, tha ai.
Ndërkaq regjisori Dibran Fyelli ka theksuar se artistët deri më tani kanë qenë të lënë pas dore, përderisa ka theksuar se në takimin e sotëm me ministrin Bytyqi, përfaqësojnë edhe klube letrare të ndryshme, krijues të lidhjes së shkrimtarëve, artistë, regjisorë, aktorë, që në një të ardhme do të ulen dhe do t’i shtrojnë kërkesat e tyre që të marrin ndihmë nga Qeveria e Kosovës. “Ministri i Arsimit nuk na ka ftuar për fushatë. Na ka ftuar kryekëput që ta ketë një takim me artistë dhe krijuesit e kryeqytetit. Deri sot asnjë nuk e ka kthyer kokën nga komuniteti artistik dhe krijues. E dimë si është gjendja e lidhjes së shkrimtarëve, jemi pa seli, të gjitha takimet i mbajmë nëpër kafene. Ndoshta t’i kishim kërkuar ministrit që të kemi një takim diku në një zyre, qoftë partiake apo ministrore, sigurisht se do të na kishte pranuar, por ne vet deshëm të themi se ne si krijues gjithmonë jemi nëpër rrugë”, tha ai.